Komisioni për shëndetësi nuk e miraton projektligjin për falje të gjobave gjatë pandemisë

Me katër vota kundër, projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, nuk ka arritur të miratohet në Komisionin për shëndetësi.

Në favor të këtij projektligji votuan tre deputetë të Komisionit.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, ka thënë se pas përhapjes së COVID-19, është dashur të merren masa për parandalim.

“Qytetarët nuk mund t’i ndajmë në të përgjegjshëm dhe papërgjegjshëm. Nuk mund të krahasohen gjobat e dhëna për rrezikim direkt të shëndetit publik” – ka thënë ajo.

Sekretari i Partisë Social Demokrate (PSD), Nol Nushi, ka prezantuar sot projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.

Ky projektligj është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021 si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë së 11 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Nushi sot në komision ka kritikuar Kuvendin për vonesën e procedurave në të cilat ka kaluar projektligji.

Nga falja përjashtohen edhe partitë politike.

“Në këtë projektligj përjashtohen bizneset e mëdha. Përjashtohen nga falja edhe partitë politike” – ka thënë ai.

Ai tutje ka treguar numrin e gjobave të shqiptuara nga Policia bazuar në Ligjin për pandeminë.

“Sot kam marrë nga policia të dhënat që në emër të këtij ligji janë shqiptuar 329 mijë gjoba” – ka thënë Nushi.

Deputeti i  PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se ardhja e projektligjit më kaq vonesë në Kuvend, përben shkelje ligjore.

“Askush nuk ka pasur të drejtë një iniciativë qytetare të prolongohet kaq gjatë. Të gjitha këto procedura të caktuara në ligjin për nisma legjislative dhe rregullorja e kuvendit janë shkelur” – ka thënë ai.

Ndërsa sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, falja e borxheve është padrejtësi për ata që i kanë respektuar masat anti COVID-19.

“Mua së paku po më bëhet e padrejtë sepse kam respektuar masat. Ka pasur edhe deputetë dhe politikanë që janë dënuar” – ka thënë ai.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është duke e shqyrtuar në parim projektligjin për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë.

Aktivistë të PSD-së, në qershor të vitit 2021 dorëzuan peticionin e nënshkruar nga 11.286 qytetarë për të iniciuar projektligjin për faljen e gjobave të dhëna gjatë pandemisë COVID-19.

Në një njoftim të kësaj partie thuhet se, dënimi i mbi 200 mijë qytetarëve ka qenë i padrejtë në shumë rrafshe, si atë ekonomik, por edhe shëndetësor ku nuk u siguruan vaksina.

Sipas tyre, qytetarët nga kjo qeveri kanë marrë vetëm dënime.