Ilustrim

Posedimi i dokumenteve të brendshme, ndihmesë për OJQ-të në fitimin e projekteve

Në mesin e sfidave me të cilat përballen vazhdimisht, me qëllim që t’iu dalin në ndihmë grave, Organizatave Joqeveritare iu duhet që të jenë në rregull edhe me ligjin, e madje të plotësojnë e posedojnë dokumente e dokumente që të tregojnë seriozitetin e tyre.

Përputhshmëria me legjislacionin e zotërimi i dokumenteve të tilla bën që OJQ-të ta kenë më të lehtë që të aplikojnë e fitojnë grante e projekte të ndryshme.

Organizatat që kanë synim të rrisin nivelin e barazisë gjinore në Kosovë duhet që të regjistrohen në organet kompetente e të jenë korrekt edhe me legjislacionin në fuqi në mënyrë që ta kenë edhe me të lehtë punën e tyre.

OJQ-ve, në shumë raste, kur aplikojnë për ndonjë projekt në institucione të ndryshme, dhe jo vetëm, iu kërkohen edhe të dhëna të cilat dëshmojnë në një formë seriozitetin e asaj organizate, duke përfshirë këtu aktin e themelimit, statutin e OJQ-së, rregulloren për menaxhim financiar e shumëçka tjetër.

Organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë e personat që punojnë në OJQ të ndryshme, e që merren edhe me të drejtat e grave e vlerësojnë si të nevojshme që secila organizatë të ketë rregulloren e saj të brendshme.

Dhurata Prokshi e cila ka përvojë në shkrimin dhe koordinimin e projekteve të OJQ-ve pajtohet se rregulloret e brendshme të organizatave i ndihmojnë ato që të shihen si më serioze.

Ajo thotë se kërkimi i të dhënave të lartcekura është bërë edhe kriter i donatorëve të organizatave.

“Organizatat dhe agjencitë donatore jo çdo herë kërkojnë që organizatat të kenë rregullore të brendshme si një dokument i vetëm, mirëpo matja e seriozitetit të veprimtarisë së organizatës, respektivisht profilit vlerësohet duke parashtruar kërkesat për këto dokumente”- thotë ajo.

Pikëpamja e Rrjetit të Grave për menaxhimin që kanë OJQ-të 

Në Kosovë janë më shumë se 12 mijë organizata aktive, e nga ky numër, në Rrjetin e Grave të Kosovës janë të anëtarësuara gjithsej 141 organizata, e të cilat punojnë në të gjithë territorin e vendit.

Sipas Rregullores dhe Kodit të Mirësjelljes së Anëtarësisë në RrGK,  për t’u bërë pjesë e rrjetit secilado OJQ duhet të pranojë Statutin dhe Misionin e RrGK-së dhe të angazhohet për përmbushjen e qëllimeve të RrGK-së, të plotësoj dhe dorëzoj aplikacionin për anëtarësim në RrGK dhe si pjesë aplikacionit të zotohet në zbatimin e Rregullores dhe Kodit të Mirësjelljes së Anëtarësisë.

RrGK gjatë vitit të kaluar ka publikuar një raport për vlerësimin e anëtarëve të saja. Në këtë vlerësim është përfshirë edhe pjesa nëse OJQ-të kanë dokumente e rregullore të brendshme.

Në statistika të ndara, RrGK ka folur edhe për rregullore të punës, ku nga 141 organizata, sipas Rrjetit 58 anëtare, apo 48 për qind kanë shkruar rregullore të punës dhe standarde të sjelljes që rregullojnë punën e tyre.

Përderisa Prokshi, që në karrierën e saj punoi edhe si koordinatore projektesh tha se posedimi i rregullores gjithsesi që është tregues i seriozitetit të organizatës dhe i njëjti mund të ndihmoj organizatën për ta bërë diferencën në raport me organizatat tjera aplikuese në konkurs.

Ndonëse ajo shton se nëse nuk është kërkuar një dokument i tillë në thirrje nuk ka peshë vendimtare.

“Në Kosovë ka komunitet të madh të OJQ-ve, të cilat fushë veprimtarinë e tyre e kanë caktuar me statut të organizatës, edhe pse nuk kam bërë një hulumtim në këtë drejtim, por nga ajo që kam hasur kam vërejtur që organizatat e mëdha me shtrirje gjeografike, ato që avokojnë në hartim politikash/zbatim dhe monitorim të tyre të mbështetur nga donatorë të mëdhenj zhvillojnë rregullore të tilla por jo të gjitha” – thotë ajo.

E njëjta shton se kjo praktikë nuk haset tek organizatat e mesme dhe të vogla.

 

Sipas Departamentit të OJQ-ve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në data bazën e tyre janë gjithsej 12 mijë e 433 organizata aktive.

Në këtë numër bëjnë pjesë të tri kategoritë e mundshme të organizimit si OJQ e të cilat janë shoqata, fondacione dhe institute.

RrGK që si mision ka të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, në vazhdimësi bashkëpunon me OJQ në të gjithë Kosovën.

Ky Rrjet tregon se anëtaret e tyre janë të grupeve të ndryshme etnike, moshe, aftësie, dhe zone gjeografike dhe punojnë për çështje të rëndësishme për njerëzit, veçanërisht për gratë dhe vajzat, brenda komuniteteve të tyre.

Madje RrGK për të përkrahur edhe më tej OJQ-të ka krijuar edhe një fond të quajtur “Fondi i Grave”.

Ky fond ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale dhe/apo grupeve të margjinalizuara.

Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 289 grante, duke përkrahur 153 organizata, në një shumë të përgjithshme prej 1,771,249.96 euro.

Vlera totale e këtyre granteve është deri më tani 1 milion e 11 mijë e 387euro.

Përderisa, mbështetje organizatat kanë edhe nga Ministria e Drejtësisë, por që OJQ-të në vazhdimësi ankohen se kjo mbështetje institucionale nuk është e mjaftueshme për aktivitet që ata kanë.

Edhe Afërdita Zeneli nga OJQ “Dita” që vepron në Prishtinë ka thënë për KALLXO.com se gjatë këtij viti nuk kanë marr asnjëherë përkrahje as nga qeverisja qendrore e as ajo lokale.

Ajo ka shtuar se kanë rregullore të brendshme e posedojnë dokumentet e nevojshme të cilat zakonisht kërkohen, duke shtuar se kjo i ka ndihmuar në shumë raste por që këtë vit sfidë kryesore i kanë financat.

“I kemi dokumentet, po prapë shumë problem me pas financa. Nuk kemi përkrahje nga qeverisjet” – ka thënë ajo.

Ministria e Drejtësisë, në përbërjen e saj ka Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale, i cili deri në dhjetor të vitit 2022 kishte funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave.

Në fillim të 2023-ës, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me përgjegjësitë, kishte hapur thirrjen për subvencionim të OJQ-ve të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për qytetarë në nevojë sociale.

Për vitin 2023, sipas MD-së, Qeveria e Kosovës, ka mbështetur subjektet juridike gjegjësisht OJQ-të, për periudhën janar-prill 2023 në vlerë prej 500 mijë euro.

Ministria e Drejtësisë kishte thënë se janë në proces e sipër të mbështetjes financiare në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro periudhë maj-dhjetor 2023 deri në shkurt 2024.

Përgjigjet e MD-së kishin bërë të ditur se në vitin 2022, Ministria e Financave, kishte mbështetur financiarisht organizatat në vlerë prej 1 milion euro. Ku prej kësaj shume, 400 mijë euro ishin ndarë për strehimoret, ndërsa 600 mijë për OJQ-të tjera të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

Pra nga kjo vlerë monetare në 2022 janë mbështetur 44 Subjekte Juridike, prej tyre 10 strehimore dhe 34 OJQ tjera në të gjithë territorin e vendit.

Aplikimi në projekte – dokumentet që i ndihmojnë OJQ-ve 

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është një nga organizatat e pavarura, jofitimprurëse, që përkrahin zhvillimin e shoqërisë civile dhe nismat që promovojnë një kulturë demokratike dhe i përgjigjen nevojave socio-ekonomike të Kosovës.

Fokus i veçantë i kësaj organizate është edhe dhënia e kontributit për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, e që është e ditur se një nga kushtet që duhet të plotësohet për të qenë pjesë e BE-së është respektimi i të drejtave të njeriut e po ashtu barazia gjinore.

Ky Fondacion në vazhdimësi përkrah OJQ-të me grante e përkrahje të ndryshme në aktivitetet e tyre.

Madje në faqen e tyre zyrtare ata kanë edhe një listë të dokumenteve që OJQ-të duhet të kenë duke shpjeguar me rëndë rëndësinë e gjithsecilit prej dokumenteve.

Këtë listë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Edhe Dhurata Prokshi nga përvoja e saj ka renditur një pjesë të dokumenteve që i hynë në punë organizatave për ‘t’ia mbushur donatorëve syrin’ për seriozitetin në punë të OJQ-së aplikuese.

“Raporti vjetor i Auditorit, raporti narrativ i punës, certifikata nga Administrata Tatimore e Kosovës, vërtetimi nga Gjykata Komerciale, CV e stafit implementues për zbatimin e projektit të propozuar, një portfolio e projekteve që organizata implementon me theks të veçantë atyre që janë më të përafërta me thirrjen për grante për të cilën po aplikohet” – janë disa nga dokumentet që renditë ajo.

Ajo thotë se këto dokumente, ndikojnë se sa organizata është e zhvilluar, stabile si dhe e përkushtuar në zbatimin e Ligjeve që korrespodojnë me fushë veprimin e saj.

Madje ajo shtonë se këto të dhëna janë shndërruar në kritere të organizatave donatore dhe si të tilla shërbejnë për vlerësimin teknik të aplikuesit, pa kaluar në vlerësimin e përmbajtjes së projekt propozimit.

Prokshi thotë se një situatë e tillë tregon që organizatat joqeveritare, rregulloret e brendshme duhet të konsiderojnë hartimin e rregulloreve si një mekanizëm i brendshëm i matjes, kontrollit të ecjes së organizatës në përputhje me vizionin dhe objektivat e saj.

Përderisa Prokshi tregon se nevoja për të pasur rregullore OJQ-të, konsideron që duhet të iniciohet nga komuniteti i donatorëve institucional për t`u trasuar tek donatorët ndërkombëtarë.

“Duhet të sqarohet edhe një gjë që vetëm posedimi i rregullores deklarativisht nuk siguron që e njëjta edhe do të zbatohet nga organizata, andaj e njëjta duhet të përfshihet si pjesë e kontratës për ta fuqizuar para së gjithash përkushtimin dhe mirëqenien e raportit punëtorë- punëdhënës në arritjen e vizionit të organizatës, integritetin e punës e të tjera” – tha ajo.

Sipas saj që një dokument i tillë të ketë peshë do të duhej të zhvillohej mbi standardin e grupit të organizatave, si për shembull grupi i OJQ të drejtave të fëmijëve, atyre ambientaliste, të sigurisë dhe të përfshihej si kaptinë e veçantë gjatë raportimit.

Edhe legjislacioni kërkon rregullore të brendshme

Ligji për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare gjithashtu kërkon që OJQ-të të pajisen me dokumente të brendshme.

Ky ligj ia jep të drejtën OJQ-ve për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burime financiare, materiale e njerëzore, qoftë vendore, të vendit të huaj apo ndërkombëtare, për realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të saj.

Mirëpo, ligji po ashtu përcakton dokumentet që iu duhen OJQ-ve, duke filluar që nga akti themelues, akt që duhet të përmbajë një emër të plotë dhe shkurtesë të organizatës, formën organizative (shoqatë, fondacion, institut), adresën e organizatës, qëllimin dhe fushë-veprimtarinë e të dhëna të tjera.

Ky akt themelues duhet të nënshkruhet nga secili themelues, ndërsa për personat juridik, akti themelues nënshkruhet nga përfaqësuesi i autorizuar i personit juridik.

OJQ-së i kërkohet edhe statuti i saj, pra rregullimi i hollësishëm i çështjeve të organizimit, të funksionimit dhe të veprimtarisë së OJQ-së.

Ligjin e plotë me të dhëna të tjera mund ta gjeni KËTU.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.