Këtë mandat 36% e Kuvendit të Kosovës përbëhet nga gratë

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat u mbajtën në Kosovë, 44 gra arritën që të marrin votat e nevojshme për t’u bërë deputete të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtij mandati të legjislativit, gjithsej 44 ulëse, ose 36.6 % e përbërjes së Kuvendit të Kosovës do të ju takojnë grave.

Për herë të parë në Kosovë, personi më i votuar historikisht në zgjedhje ishte po ashtu një grua.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani është kandidatja më i votuar në Kosovë në këto zgjedhje.

Si prijëse e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë hiç me pak se 300 mijë e 788 vota.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, numri i ulëseve që gratë kanë fituar këtë mandat në Kuvendin e Kosovës e kalon edhe mesataren e ulëseve që gratë mbajnë në nivelin botëror.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, mesatarja e ulëseve të mbajtura nga gratë në nivel botëror është 25.2%.

Mbrëmë përmes një njoftimi, Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.

“Krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019), përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse. Nga gjithsej 120 ulëse do të jenë 44 deputete apo 36.6%, kurse në legjislaturën e kaluar kjo shifër ishte 32.5% apo 39 deputete. Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj”, thuhet në njoftim.

Sipas RrGK, në bazë të rezultateve të deritanishme të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm 11 prej 44 deputeteve të zgjedhura kanë pasur nevojë për kuotë për të siguruar ulësen parlamentare, kurse 33 gra kanë fituar pa kuotën gjinore.

RrGK: Zgjedhjet dëshmuan forcën e grave, përpjekja për barazi vazhdon