Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com
Në kujtim të Elizabeta Hasanit
Dështimi i Komunës së Mitrovicës për të përfshirë emrin e një fëmije rom në një pllakë përkujtimore për viktimat e masakrës së Tregut të Gjelbër, zbulon pasojat e dëmshme të mungesës së dokumentimit të duhur dhe gjithëpërfshirës të viktimave të luftës në Kosovë.
Që nga qershori i sivjetmë i kam hyrë një projekti qe synon të dokumentojë masakrat e luftës në Kosovë 1998-2000. Ideja është që ta kemi një libër që i përmbledh të gjitha masakrat në mënyrë objektive, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, gjuhësore, politike, krahinore a gjinore e të masakruarve.
Dy dekada pas përfundimit të luftës, ky projekt, i implementuar nga organizata “Admovere”, e i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, synon të jetë burim i besueshëm i informimit për masakrat gjatë kësaj periudhe, i shkruar objektivisht e pa gjuhë të urrejtjes.
Javën e kaluar u mora shumë me katër masakrat në Mitrovicë dhe në rajonin e saj: 1. Tregu i Gjelbër (13 mars 1999), 2. Lagjja e Kovaçëve (14 prill 1999), 3. Mali Dreth (19 prill 1999) dhe 4. Veriu i Mitrovicës (3-4 shkurt 2000).
Ndërsa po e hulumtoja Masakrën në Tregun e Gjelbër, u ballafaqova, si pothuajse në çdo masakër tjetër, me shpërputhje të të dhënave, ngaqë diku thuhej se ishin vrarë pesë, diku gjashtë e diku shtatë qytetarë të pafajshëm.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj), Komuna Jugore e Mitrovicës, si dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (AShAK), fjala vjen, jepnin të dhëna për gjashtë qytetarë të pafajshëm të vrarë, që të gjithë shqiptarë.
Sidoqoftë, gazetat vendore e ndërkombëtare të kohës dhe raportet e organizatave joqeveritare ndërkombëtare jepnin shifra krejt të tjera, ngaqë disa prej të plagosurve në masakër më vonë patën ndërruar jetë në spitale në Mitrovicë e Beograd.
E rëndësishme këtu është se shtypi i kohës, pa e përcaktuar përkatësinë gjinore e etnike, raporton se një prej të vrarëve në këtë masakër është fëmijë pesëvjeçar. Fotografia e fotografit dhe gazetarit Tyler Hicks nga prestigjozja New York Times, e vërteton më së miri faktin se në Masakrën në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës ishte edhe një fëmijë i vrarë.
Bazuar në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) mund ta saktësojmë identitetin dhe përkatësinë gjinore e etnike të fëmijës: është Elizabeta Hasani, çikë, rome, e lindur më 11 maj 1994 në Itali, nga prindërit Isa dhe Nada Hasani. Pra, në Masakrën e Tregut të Gjelbër në Mitrovicë janë vrarë gjithsejt shtatë qytetarë të pafajshëm.
Por, në pllakën përkujtimore në qendër të qytetit, të ngritur nga Komuna e Mitrovicës, figurojnë vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve të vrarë. Romja pesëvjeçare, Elizabeta Hasani, nuk shënohet.
Prandaj, më 2 gusht 2020, pa ditur se ishte Dita e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve, në Facebook postova një status lidhur me gjetjet e mësipërme, duke bërë pyetjen “Pse jo edhe romja pesëvjeçare Elizabeta Hasani?”.
Pas këtij postimi, reaguan gazetarë, publicistë, veprimtarë shoqërorë e politikë, punonjës shkencorë, shumë qytetarë të indinjuar, sikurse edhe aktivistë e organizata të shoqërisë civile në Mitrovicë. Të gjithë me kërkesën që të përkujtohen të gjitha viktimat e luftës pa dallim dhe që sa më parë emri i Elizabeta Hasanit të vihet në pllakën përkujtimore me të vrarët e tjerë.
Së fundi, reagoi edhe Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, por në vend se t’u premtonte qytetarëve të Mitrovicës e të Kosovës që, sa më parë që të jetë e mundshme do ta gdhendte emrin e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore për viktimat e Masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, mbajti leksione se si duhet të sillen qytetarët e Kosovës me pushtetarët komunalë.
Mujka tha se nëse kemi vërejtje për pushtetin komunal, duhet të shkojmë t’i paraqesim në komunë, e jo publikisht, sepse atëherë jemi egocentrikë dhe këtë e bëjmë për famë. Kjo është qasje prepotente që e intimidon lirinë e shprehjes së qytetarëve, e për rrjedhojë krejtësisht e papranueshme.
Për fat të mirë, vijoi një reagim nga Komuna e Mitrovicës, ku premtohej se “ky gabim… ndonëse pa fajin e Komunës dhe pa qëllim, do të përmirësohet pa asnjë hezitim”. Por, edhe në të, avokimin e shoqërisë civile, Komuna e Mitrovicës e cilësonte sulm dhe, për më keq, akuzonte se shoqëria civile nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për fshehje të faktit krejt këto vite, nëse i ka pasur në dispozicion të dhënat.
Komuna e Mitrovicës duhet të mos merret më me lajmëtarin, por vetëm – dhe siç ka premtuar – me lajmin. Shpresoj se pa u mbyllë java do ta përmirësojë këtë lëshim e nuk do ta harrojë zotimin e bërë publikisht. Në të kundërt, veprimtarë të zellshëm të shoqërisë civile do t’ia përkujtojnë. Publikisht.
Përkujtimet për viktimat e luftës në Kosovë duhet të jenë të hulumtuara mirë dhe gjithëpërfshirëse. Nëse është i nevojshëm frymëzimi, atëherë duhet të ndiqet shembulli i Sarajevës, ku pllaka që përkujtojnë masakrat në rrugën ‘Ferhadija’ dhe në tregun ‘Markale’ përkujtojnë viktimat boshnjake, serbe dhe kroate. Askush nuk është lënë jashtë.
Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN