Ilustrim:Pixaby

Mungesa e fondeve - sfida që i përcjellë OJQ-të që përkrahin gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Organizatat që merren me të drejtat e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, vazhdojnë të përballen me mungesë të fondeve duke u penalizuar në realizimin e objektivave të tyre në trajnim dhe emancipim të këtyre grave.

Të diskriminuara, me qasje të kufizuar në punësim, edukim, integrim, janë vetëm disa faktorë që po kontribuojnë në cenimin dhe margjinalizimin e thellë të grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. 

Në vitin e fundit, 23 raste janë paraqitur për diskriminim nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, sipas platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për këto tri komunitete.

Në Kosovë, sipas statistikave të fundit [2011] jetojnë 8,824 rom, 15,436 ashkali dhe 11,524 egjiptianë.

Kështu, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë në Kosovë, ashkalitë 0.89 për qind dhe egjiptianët 0.66 për qind. 

Për t’iu ndihmuar në vetdijësim dhe emancipim grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në Kosovë ekzistojnë disa organizata joqeveritare – por fondet e pamjaftueshme janë problemi që ato theksojnë. 

“Nuk je e vetmja që ki apliku, ka edhe tjera, a duhet me i refuzu tjerat me të dhanë veç ty fonde a?!”  – këto janë fjalët që drejtoresha e organizatës “Foleja” kujton gjatë një bisede me një zyrtar kur kishte apliku për fonde për të realizuar aktivitete në shënim të ditëve kombëtare të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. 

Gjyzel Shaljani është drejtoreshë e organizatës “Foleja” e cila merret me trajnimin e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo dhe gratë me të cilat punon, thotë se janë shumë të zhgenjyera me donacionet dhe mjetet që atyre iu ndahen si organizatë. 

“Shumë pak donacione ka për organizatat e grave të komuniteteve sepse donatorët meqë e lypin një profesionalizëm e OJQ-të e grave të komuniteteve nuk janë ende të profesionalizume siç janë ato të shqiptarëve dhe shpesh herë refuzohet projekti. Institucionet përkatëse kur aplikojmë me projekte japin buxhet të turpshëm, nëse i kem kërku 5 ose 6 mijë euro, na i japin 2 ose 3 mijë e tash më këto – tash a me pagu koordinatoren që ka me realizu programin, apo me i pagu pjesëmarrësit” – thotë ajo. 

Ajo përmend edhe një projekt që iu ka dështuar për shkak se nuk i morën fondet e premtuara. 

“Një projekt e kemi pasë që me shënu 21 Qershorin me shënu Ditën e Muzikës me i ftu këngëtar të komunitetit rom, dhe ramë në kontakt me të shteteve tjera që me i afru edhe kulturat, dhe m`u refuzu [projekti], më thojshin “po po”, në fund kurgjo” – ka thënë ajo. 

Që nga viti 2007, për t’i njoftuar për të drejtat që u takojnë dhe në zhvillimin e tyre në vetpunësim, vepron edhe Rrjeti i Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptian. 

“Kishim ba hala ma shumë për vajzat dhe gratë e këtyre komuniteteve por s’ka fonde të mjaftueshme”,  thotë Xhulieta Devolli nga kjo organizatë në një bisedë për KALLXO.com.

Ajo tregon se punojnë me vetdijësimin e grave duke filluar nga raportimi i dhunës në familje. Nga puna në terren thotë se sfidë e punës së tyre paraqet niveli i ulët i edukimit të këtyre grave.

“Si organizatë mundohemi në vetdijësimin e tyre lidhur me të drejtat e tyre. E dim se dhuna në familje është fenomen në të gjithë botën, mirëpo te gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane dhe sdomos të ato rome, shfaqen probleme më të mëdha.  Sepse shumica kanë nevojë ende për vetdijësim së pari se çka është dhuna në familje, dhe pse nuk duhet të ndodhë, për t’u vetdijësuar për t’i raportuar ato raste, nuk janë në njohuri për institucione tjera përveç Policisë ”- thotë ajo.

Ajo thotë se probleme me fonde kanë filluar që nga pandemia dhe që po i përcjellë edhe tani. 

“Kemi fonde por jo të mjaftueshme në mënyrë që t`i realizojmë objektitave tona strategjike që me qenë më afër grave dhe vajzave rome, ashkalike, egjiptiane dhe më shumë për t’i adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen në përditshmëri”- thotë Devolli.

Niveli i arsimit – sfidë për organizatat 

Shumica e anëtarëve të tri komuniteteve shpeshherë jetojnë në margjina të shoqërisë, në përpjekje me nivele të larta të papunësisë dhe arritje të ulët arsimore.  Gjyljane Shaljani nga organizata ‘Foleja’ thotë për KALLXO.com se 99 për qind e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të jenë të papunësuara. Ajo përmend se rreth pesë gra në Prizren, u larguan nga puna për shkak të përkatësisë etnike. 

“Janë 99 për qind të papunësuara, ka pas një rast i një firme afër komunës që i ka pas të punësuar 4-5 gra rome në Prizren, dhe kur erdh një firmë tjetër, ka thënë se kush janë të komuniteteve s’du m`i pa këtu, dhe i kanë largu”- tregon ajo.

Voice of Roma, Ashkali & Egjyptian është një tjetër organizatë që punon ngushtë në zhvillimin dhe emancipimin e grave dhe vajzave të tri komuniteteve.

Albina Thaçi nga organizata ‘Voice of Roma, Ashkali & Egjyptian’, thotë se përballen me shumë sfida të cilat i kanë idetifikuar në terren.

“Ne përballemi me koxha shumë sfida, të cilat më të mëdha i kemi në terren, në vizita, që i kemi me gratë e komuniteteve për shkak të nivelit të ulët të shkollimit që këto gra e kanë, dhe sidomos i gjen në disa lokacione në: Ferizaj, Fushë Kosovë, Shtime”

”Por janë disa të tjera që gratë e komuniteteve në Gjakovë dhe Klinë janë më të emancipuara, por sidoqoftë ka edhe prej atyre që nuk kanë fare shkollim, që mandej e vështirëson punën tonë, ideja është që na me i marrë këto gra dhe me i trajnu profesionale, me ju kriju biznes plane, me ju ndihmu me apliku për grante dhe me i fuqizu, por kur këto nuk kanë shkollim është telashe edhe për neve me i ndihmu se nuk dinë shkrim e lexim”- thotë ajo. 

Sipas saj, shpesh gratë refuzojnë të garojnë për grante me frikën se iu ndalohet pastaj asistenca sociale që marrin.  

Një aktivitet i Voice of Roma, Ashkali & Egyptians, Foto: Facebook

“Një sfidë tjetër që kam pa në terren është se komunitetet janë përfitues të skemave sociale dhe kjo i krijon njëfar rehatije sociale dhe është e vështirë me punu me to, ka pasur rast që kemi pasur mundësi me ju ndihmu me grante, dhe kemi ardhur deri të përfitimi i grantit dhe janë tërhequr sepse kanë pasur frikë që nëse fitojnë një grant, largohen prej socialit. Preferojnë që me i marrë qato pak pare, por të sigurta sesa me e fillu një punë që mundet mos me qenë e sigurt”- ka thënë Thaçi.

Stigmatizimi 

‘Roma in Action’ është një organizatë e themeluar që prej vitit 2017, fushëveprimtari ka fuqizimin e të rinjëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe jo vetëm. 

Ndonëse kjo organizatë vepron vetëm në komunën e Gjakovës, drejtori Emrah Cermjani thotë për KALLXO.com se përballen me mungesë të fondeve për shkak se fondet, sipas tij, janë të “koncentruara kryesisht në Prishtinë”.

Ai thotë se gratë e komuniteteve shpesh e kanë humbur motivin për të qenë pjesë e organizatave për shkak të stigmatizimit që kanë pasur ndërvite. 

“Meqenëse jemi organizatë lokale, e që fushëveprimtarinë e kemi në Gjakovë, kjo ndoshta është sfida e parë që ballafaqohemi sepse fondet, kryesisht, janë të koncentruara në Prishtinë, dhe shumë pak, organizata lokale kanë mundësi me përfitu fonde prej thirrjeve të ndryshme. Kur jemi te gratë, shumë herë kemi pas edhe humbjen e motivit për të qenë pjesë e organizatave për shkak të stigmatizimit dhe ndikimeve që i kanë pasur ndërvite për t’u intregru në këtë fushë”- thotë ai. 

Por, fatmirësisht, thotë ai, se kohëve të fundit ka ngritje të ndergjësimit tek gratë dhe vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të jetë pjesë aktive.

Cermjani thotë se organizata e tyre përmes edhe përkrahësve të tjerë kanë arritur që të ndihmojnë gratë të realizojnë dhe të menaxhojnë bizneset e tyre. 

“Kemi pasur mungesë të vajzave për të qenë pjesë e stafit, por tani 70 për qindëshi i stafit të organizatës janë të gjinisë femërore dhe këtu po e shohim se potenciali i aktivizmit të tyre çdo ditë po rritet, edhe mbështetja që e kemi bërë sipas mundësive, gratë që kanë pasur ndonjë ide për të zhvilluar ndonjë biznes individual. Edhe këtu kemi pasur mundësi me iu ndihmu nëpërmjet mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve tanë, idetë e tyre i kemi realizu dhe tashmë menaxhojnë me bizneset e tyre”- shprehet ai.

“Secila grua i ka ato kërkesat dhe interesat e veta, por kryesisht pjesën më të madhe, ku kemi dëgju prej tyre është se dëshirojnë me u marrë me rrobaqësi, me sallone të bukurisë dhe këto janë më të shpeshta që kanë kërku me u fuqizu në këtë aspekt”- thotë ai. 

Në anën tjetër, aktivistja dhe artistja Mirjeta Qehaja nga Gjakova thotë se organizatat që merren me vajzat dhe gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian duhet të bëjnë më shumë për mbijetësen e tyre jo vetëm në sensibilizim.  

“Ka organizata që merren me gratë e komuniteteve, dhe marrin pjesë ato, por me mujtë këto organizata me bë diçka që me pas përfitime këto gra. Nuk munden vetëm me aktivitete me siguru diçka për mbijetesë. Për sensibizilim, OJQ-të janë shumë të mira, por në anën tjetër nuk janë të mjaftueshme për më pasë ato një mbijetesë, një punësim ose që me mujtë më thanë që pas shumë aktiviteteve që marrin pjesë mundem me siguru diçka që me mujtë me punu”. 

“Gratë e komuniteteve hasin në vështirësi është për shkak të jo pavarësisë financiare, dhe martesat e hershme se ka shumë prej komuniteteve që martohen herët dhe e lënë shkollimin dhe i përqëndrohen vetëm familjes”- thotë ajo.

Punimet e artistes Mirjeta Qehaj, Foto: Facebook

Gratë e komuniteteve si storje suksesi 

Përtej sfidave, organizatat që merren me promovimin e të drejtave të grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kanë edhe storje suksesi për të ndarë.

Artistja Mirjeta Qehaja nga komuniteti egjiptian ka hapur organizatë për arte vizuale. Ajo tregon se përmes pikturave të saj është munduar që të shfaqë shpeshherë edhe çështjet sociale me të cilat përballet komuniteti i saj. 

“Unë kur jam regjistru në fakultet të artit, nuk është që jam ardhur nga një shkollë e artit, por nga gjimnazi shoqëror, ku kam qenë shembullore, masnej e kam regjistru fakultetin e artit, e kam përfundu bachelor edhe masterin me 10-she, jam marrë me organizata të ndryshme si aktiviste dhe jam mundu përmes çështjeve sociale që i kam pa dhe zbatu pëmes organizatave me i përkthy në art”- ka thënë ajo.

“Sensibilizim mundohem gjithmonë me bë edhe përmes pikturave, ku shpesh paraqes ngjarje që kanë të bëjnë me komunitete për sensibilizim dhe në çdo aspekt. Unë e kam një organizatë për art, që funksinon në bazë të subvencioneve, së fundmi kemi marrë një subvencion prej komunës për realizimin e ekspozitë. E kam hapë për art vizuale, nëse flasim për aktrim ose muzikë kemi prej komuniteteve që kanë kry fakultet edhe për arte vizuale jamë e vetmja”- shprehet Qehaja.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Roma in Action” ka thënë për KALLXO.com thotë se kanë arritur që një grua nga këto tri komunitete të merret me produksion. 

“Kemi arritur që me hap një produksion që menaxhohet prej një gruaje të komunitetit dhe për këtë e kemi bë që edhe me i fuqizu por edhe me i tregu vajzave dhe grave të tjera që jo vetëm puna në shtëpi është ajo mundet me u bë prej tyre, por edhe profesione të tjera që ndoshta janë edhe paragjykuese, psh xhirimi me kamerë, dhe kemi parë që ka ndikuar tejmase në thyrjen e mendimeve negative dhe në motivimin e tyre”, thotë Emrah Cermjani.

Xhulieta Devolli nga Rrjeti i Grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, thotë se ka përparim te vajzat e komuniteteve për vijim të shkollimit të lartë, duke cekur edhe disa storje suksesi të grave që janë arritur përmes programeve të kësaj organizate.

“Ka përparim të vajzat e komuniteteve që po vijon shkollim të lartë, ka edhe në politikë, mirëpo në anën tjetër kemi edhe gratë që nuk janë të edukuara mjaftueshëm për të marrë një vend të mirë të punës”

“Ne kemi pasur një rast në Gjakovë që një grua egjiptiane e kemi mbështetuer që ka filluar të përgatit ushqime [embësira] prej shtëpisë, e pas disa muajve e ka hapë lokalin e parë në Gjakovë dhe po i ecë shumë mirë biznesi. Kemi pasur raste që i kemi mbështetur gratë me makina të qepjes, dhe një tjetër e kemi ndihmu me mjete që i nevojitet për mjeljen e lopëve, në mënyrë që qumështi mos të prishej deri sa ta shes, edhe ajo është storje suksesi”- shprehet ajo.

‘Krahu’ i shtetit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Platforma Kombëtare për Mbrojtjen nga Diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian është themeluar nga Qeveria e Kosovës në qershor 2022 për të mbështetur vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës. 

23 raste janë paraqitur në këtë platformë gjatë vitit 2023, sipas të dhënave nga zyrtarë të Zyrës për Qeverisje të Mirë që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeminsitrit. 

Me miratimin e Kushtetutës, Kosova mori zotimin dhe përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. 

Në këtë drejtim, “Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Kosovës. Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike, që bazohet në sundimin e ligjit. Në zhvillimin e Republikës së Kosovës, inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu përkasin komuniteteve”.

Kushtetuta, komunitetet i cilëson banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës. 

Ligji për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, e sqaron më tutje këtë përkufizim dhe për qëllimet e këtij ligji, komunitetet përkufizohen si grupe kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës të cilat nuk janë shumicë. Këto grupe janë komuniteti serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez, kroat dhe komunitete të tjera. 

Siç shihet nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë komunitete të njohura e të pranuara në Republikën e Kosovës, të cilët gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi. 

Kushtetuta u jep pjesëtarëve të komuniteteve të drejtën që të shprehin, të avancojnë dhe të zhvillojnë lirisht identitetin dhe atributet e tyre si komunitet. 

Çdo person që i takon një komuniteti ka të drejtë që lirisht të zgjedhë të trajtohet apo të mos trajtohet si i tillë dhe asnjë dëm apo diskriminim nuk do të rezultojë nga zgjedhja e ushtrimit apo jo, të të drejtave të cilat lidhen me këtë zgjedhje. 

Në dhjetorin e vitit 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës aprovoi Strategjinë për Integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës 2009-2015 , si dhe Planin e Veprimit për zbatimin e saj , duke i identifikuar fushat e rëndësisë së veçantë për integrimin e të tri komuniteteve. 

Secila nga fushat e identifikuara përmbante masa për arritjen e ndryshimit të kërkuar për arritjen e qëllimeve dhe objektivave specifike. Sidoqoftë, për shkak të burimeve të pamjaftueshme financiare dhe burimeve njerëzore për monitorimin e progresit, koordinimit jo të mirë në mesin e ministrive dhe institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, përfshirë shfrytëzimin e pamjaftueshëm të ekspertizës së organizatave relevante të shoqërisë civile, zbatimi i strategjisë ka pasur ngecje. 

Duke e pasur parasysh faktin se Plani i Veprimit përfundonte në fund të vitit 2015, Komiteti Drejtues ndërinstitucional i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të bashkërenditur veprimet për zbatimin e Strategjisë, në vitin 2014 artikuloi nevojën për të pasur një dokument të ri politik për integrimin e dy komuniteteve, në përputhje me Kornizën e BE-së për strategjitë kombëtare për integrimin e romëve deri në vitin 2020.

Korniza e BE-së përcakton katër fusha prioritare për integrimin e komuniteteve rom dhe ashkali:

1. Qasja në arsim: Të sigurohet se të gjithë fëmijët përfundojnë të paktën arsimin e obligueshëm

2. Qasja në punësim: Zvogëlimi i dallimit në punësim në mes të pjesëtareve të komuniteteve dhe pjesës tjetër të popullsisë.

3. Qasja në përkujdesje shëndetësore: Zvogëlimi i dallimit në gjendje shëndetësore në mes të pjesëtarëve të komuniteteve dhe pjesës tjetër të popullsisë.

4. Banimi dhe qasja në shërbimet esenciale: Zvogëlimi i dallimit në mes të qasjes së pjesëtarëve të komuniteteve në banim dhe shërbime publike (uji, rryma elektrike, gazi) dhe pjesës tjetër të popullsisë.

Ndërkaq, Strategjia për përfshirjen e Komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare – 2022-2026, paraqet një vazhdimësi të politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e një shoqërie shumetnike dhe krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve. 

Kjo Strategji synon të plotësojë hendekun e komuniteteve rom dhe ashkali, që përfshinë por nuk kufizohet në fushat e: arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, banimit dhe diskriminimit. Strategjia për përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali – 2022-2026 është paraparë në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021–2025 dhe në Planin Strategjik Operativ (PSO) të Zyrës së Kryeministrit. 

Kjo Strategji është hartuar nën udhëheqjen e Zyrës për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.