Kërkohet themelimi i një qendre multikulturore

 

Në edicionin e 5-të të festivalit multikulturor, Organizata “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka diskutuar për rëndësinë e themelimit të një qendre multikulturore.

Përmes një njoftimi, organizata bëri të ditur se kjo temë u diskutua në panelin: “Rëndësia e forcimit të identitetit kulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore: Roli i qendrës kulturore ne komunitete”, pjesë e të cilit ishin: Sylejaman Elshani, zëvendësministër në Ministrin për Kultur Rini dhe Sport, Eliza Hoxha, deputete në Kuvendin e Kosovës dhe Vesa Batalli nga Voice of Roma, Ashkali and Egyptians.

Deputetja Hoxha ka thënë se një qendër multikulturor do të shërbej për të festuar të ndryshmet që i kemi.

“Ne nuk kemi nevojë me shpik multikulturalizëm, kulturat që kemi do një platformë që i bashkon njerëzit. Secili prej nesh ka diçka të veçantë dhe veçantia na bënë unik” – ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër zëvendësministri Elshani ka thënë që qendra multikulturore do të ndikonte shumë në promovimin dhe do të krijonte mundësi të reja për të rinjtë e komuniteteve.

“Është e rëndësishme të kemi një qendër në Prishtinë në të cilën promovohen kulturat e komuniteteve. Njerëzit që kanë mundësi me vizitu qendrën do të ndihmojnë që të thyhen ato paragjykimet të cilat mund të ekzistojnë” – ka thënë Elshani.

Në njoftim theksohet se në përfundim të panelit, të pranishmit patën mundësi që të bashkëbisedojnë me panelistët dhe të shkëmbejnë ide për të ardhmen.

Edicioni i 5-të i Festivalit Multikultikuror, që këtë vit mbahet me moton “Le të festojmë ngjashmëritë tona” ka nisur te premten.

Festivali Multikulturor do të mbahet në Prishtinë, Obiliq, Kamenicë e Graçanicë dhe ka për qëllim vetëdijesimin shoqëror për të luftuar paragjykimet e stereotipet ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe gjiptas. Gjithashtu edhe ngritjen e një debati shoqëror rreth historikut, vlerave dhe traditave që ofrojnë komunitetet me njëra tjetrën.

Në kuadër të këtij festivali është hapur edhe panairi i ushqimeve, veshjeve dhe punimeve artizanale tradicionale.

Gjatë tri ditëve, në kuadër të këtij festivali do të prezantohen shfaqje teatrale, ekspozita, punëtori interaktive mbi pikturën e muzikën, debate kulturore e koncerte me artistë të njohur.

Me ndarjen e çmimeve ‘Joanat e Kosovës” e thirrjet për barazi për komunitetet ka nisur Festivali Multikulturor në Prishtinë