Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Kafenetë e mbushura plot që ‘shërbejnë’ diskriminim për minoritetet

Shumë bare, kafene dhe restorante në Kosovë në mënyrë të përditshme ndajnë klientelën e tyre, duke parapëlqyer klientët me pamje më ‘pasanike’. Si pasojë e kësaj ndasie, qytetarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ndihen më të diskriminuar se shumica.

Dita në Kosovë për shumë njerëz nis dhe mbaron me një kafe në një nga kafenetë e shumta në vend. Por jo të gjitha u shërbejnë të gjithë njerëzve që në mënyrë të barabartë.

Praktika e lokaleve që zgjedhin klientelën e tyre në bazë të veshjes, llojit të këpucëve apo pijeve që porosisin, nuk është diçka e re.

Nga paragjykimet e deri te veprat, qytetarë të caktuar janë objektiv i përjashtimit nga hapësira të tilla ose për shkak se pronarët dëshirojnë të krijojnë një emër duke tërhequr një klientelë “elitare”, ose sepse janë armiqësorë ndaj grupeve të ndryshme sociale apo etnike.

Përderisa kjo formë e diskriminimit është problematike në vetvete, bëhet edhe më e mundimshme kur ky diskriminim përqendrohet te raca, përkatësia etnike dhe ngjyra e lëkurës.

“Shoqëria u ka dhënë atyre fuqinë për të na diskriminuar”

Më pak se tre muaj më parë, Endrit Hyseni, një anëtar i komunitetit egjiptian në Kosovë, u dëbua nga një lokal në Prishtinë.

Kjo nuk ishte hera e parë që 24-vjeçari nga Peja dhe shokët e tij dëbohen nga një lokal në kryeqytet.

“Isha me disa shokë nga komuniteti egjiptian dhe kur u ulëm erdhi kamarieri dhe tha: ‘A keni prova të vaksinimit?’ Ne i kishim të gjithë, por kur ai pa se nuk kishte mundësi të na thoshin të largoheshim., ai na tha: ‘Ky vend është rezervuar nga disa persona të tjerë dhe nuk ka tavolina të tjera të lira’, tha Hyseni për Prishtina Insight.

Ai pohoi se shpeshherë kishte përjetuar një diskriminim të tillë kur ishte i shoqëruar me shokët nga komunitetet joshumicë – por asnjëherë me ata shqiptarë.

Hyseni tha se klientët e tjerë nuk u përjashtuan nga lokali me arsyetimin se vendet ishin të rezervuara ose për shkak të provës të tyre të vaksinës.

“Asnjëherë nuk na është thënë se jemi përjashtuar për shkak të përkatësisë sonë etnike, por jam i sigurtë se kjo është arsyeja pse ndodhi”, tha ai.

Sipas të dhënave të Policisë, në vitin 2018 janë raportuar 11 raste të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe etnik.

Në vitin 2019 numri i rasteve ishte 12. Por në vitin 2020 ishin 23 raste dhe 18 të tjera në periudhën janar-nëntor 2021.

Përkundër diskriminimit që përjeton, Hyseni nuk ndihet i rrezikuar në Kosovë. Por ai fajëson sistemin e drejtësisë dhe pronarët e kafeneve, “dhe aq më tepër shoqërinë që u ka dhënë atyre fuqinë për të bërë një diskriminim të tillë”.

“Sa i përket sistemit të drejtësisë, nuk dua të flas për të; për shkak të neglizhencës së tyre, njerëzit kanë vdekur”, thotë ai.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se diskriminimi i tillë dhe refuzimi i shërbimit shpeshherë është pasojë e mungesës së edukimit për të drejtat e njeriut.

Nevojiten ligje më të ashpra që dënojnë diskriminimin

Një rast tjetër i diskriminimit ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, kur disa qytetarëve jo-shumicë iu refuzua shërbimi në një kafene në Gjakovë.

Ky rast bëri bujë në opinion vetëm pasi e denoncoi në Facebook ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Pas këtij reagimi të një ministri të qeverisë, kanë reaguar edhe shumë persona të tjerë, të cilët bëjnë me dije se mund të ketë edhe shumë raste të ngjashme që nuk bëhen publike apo ngrihen si problematikë.

Në fjalimin e tij në Samitin Anti-Gjipsizëm, më 24 nëntor, kryeministri Albin Kurti tha se akte të tilla janë të dënueshme me ligj, por edhe me ndërgjegjen e të gjithëve. Sipas tij, nuk është as në kulturën dhe as në historinë kosovare të jesh diskriminues dhe as i dhunshëm.

Krasniqi, i cili është ministri i parë nga komuniteti egjiptian në historinë e Kosovës, tha për Prishtina Insight se të gjithë duhet të bashkohen në luftën kundër racizmit, dhe të mos lejojnë raste të izoluara të krijojnë situata të tilla.

“U bëj thirrje të gjithë atyre të cilët përballen me racizëm që të reagojnë dhe të denoncojnë rastin. Reagimet institucionale kanë jehonë më të madhe. Mirëpo reagimet dhe denoncimet e secilit rast kanë fuqi më konkrete, ngase asnjë rast i cili ka bazë raciste nuk duhet të neglizhohet dhe të tejkalohet,”tha Krasniqi.

Krasniqi tha se kishte kërkuar një takim të grupit punues kundër racizmit në me kërkesë që të përfshihet dënimi me gjobë për racizmin duke krijuar mekanizma ligjor të cilët racizmin e sanksionojnë me ligj.

“Një inspektor mund të shqiptojë gjoba për mosrespektim të masave të ndryshme psh.sanitare etj., apo të cilat lidhen me pandeminë COVID-19, mirëpo nuk parashihet gjobë për personat të cilët diskriminojnë individë në bazë të përkatësisë etnike, “ tha ai.

Në institucionin kryesor që merret me avokimin e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, të vetmet raste të diskriminimit të raportuara në të në tre vitet e fundit janë ato të raportuara nga mediat.

Zyra e Avokatit të Popullit tha për Prishtina Insight se nuk ka vërejtur ndonjë përparim të madh  në respektimin e të drejtave të njeriut gjatë këtyre tre viteve të fundit.

Aktivisti i shoqërisë civile Gazmend Quqalla tha se vetëm aktivizmi nuk mjafton për të ndaluar diskriminimin; duhet të adresohet në nivel institucional; gjithçka që aktivistët kanë arritur të bëjnë deri më tani është “thjesht të heqin pluhurin nga sipërfaqja”.

Frika nga ndëshkimi, frikë nga raportimi i rasteve në Polici

Një problem tjetër me të cilin përballen këto komunitete është frika nga raportimi i rasteve të diskriminimit ndaj tyre.

Për një qytetar rom që e kalon ditën duke mbledhur kanaçe në Prishtinë për të siguruar bukën e gojës, një diskriminim i tillë është më se i zakonshëm.

“Unë rrallë shkoj në kafene sepse mbledh kanaçe gjatë gjithë ditës. Por më ka ndodhur që të mos më shërbejnë. Ndoshta se nuk jam i veshur mirë, ndoshta pse jam nga një komunitet jo-shumicë, nuk e di”, tha ai për Prishtina Insight.

Ai nuk ka dashur të tregoj emrin e tij të vërtetë. “Jeta ime është mjaft e mjerë për ta bërë më të vështirë,” tha ai, kur u pyet se pse nuk dëshiron ta tregoj rastin publikisht.

Vetë aktivisti Quqalla u refuzua në një lokal shtatë vjet më parë, vetëm pse i përket komunitetit egjiptian.

“Ka ardhur kamarieri na ka thanë nuk mundem të iu lejojmë të hyni në lokal: Kërkoj falje më gjithë respektin që kam për ju nuk mundem me iu lejoj të hyni se pronari ka thënë mos më i lanë me hy prej komuniteteve jo-shumicë,” citon Quqalla.

Pronarët e kafeneve duan të krijojnë një reputacion ‘pasanikësh’

Sociologu Genc Xërxa thotë se vendet publike, apo hapësirat e frekuentuara janë të hapura për të gjithë, andaj nëse dikujt refuzohet shërbimi atje, nga pikëpamja ligjore është diskriminim.

Por Xërxa thotë se ka shumë vende të tilla në Kosovë, ku pronari i zgjedh mysafirët në bazë të pamjes së jashtme, duke i refuzuar të tjerët me pretekste të ndryshme si për shembull nëse kanë bërë ndonjë rezervim.

Kjo bëhet për të ruajtur një standard ose për të tërhequr një shoqëri të caktuar elitare që krijon një emër për kafenenë apo restorantin, tha ai.

Dekorim Sahiti, pronar i disa bizneseve të gastronomisë në Kosovë, nuk mohon se ka shkelje të tilla nëpër lokale, por dënon çdo ndarje racore të klientelës në bazë të racës, gjinisë dhe gjinisë.

Sipas tij, hapësirat e ushqimit dhe pijeve në Kosovë nuk kanë qenë kurrë të ndara racialisht – por çdo bar në botë ka rregullat e veta.

“Pavarësisht nëse [mysafiri] është shqiptar apo nga ndonjë kombësi tjetër, nëse i plotëson rregullat apo kodin për lokalin apo kafenenë, ai është i mirëpritur,” tha ai për Prishtina Insight.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.