Gjakovë, 20 familjeve nga komunitetet pakicë u ndërtohen/renovohen shtëpitë

Komuna e Gjakovës do të ndihmojë 20 familje të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, duke ju siguruar strehim, qoftë duke ua ndërtuar shtëpitë apo duke ua rinovuar shtëpitë ekzistuese.

Sipas njoftimit të kësaj komune, ky donacion do të bëhet në bashkëpunim me organizatën “Vorae” (Voice of Roma, Ashkali and Egyptas).

“Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar sot nga kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe përfaqësuesja e organizatës Violeta Thaçi, komuna do të ndajë shumën prej 25 mijë eurosh, ndërsa organizata ‘Vorae’, shumën prej 27 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kriteri kryesor për të përfituar nga ky donacion është që aplikuesi të ketë pronë të veten për ndërtimin e shtëpisë, ose shtëpi të dëmtuar që e njëjta t’i rinovohet nga donatorët.