Merren në Pyetje Deputetet që u Rrahën

Ftesat për të shkuar në prokurori i kanë konfirmuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu – Kamishi dhe ai i Vetëvendosjes Florin Krasniqi, raportoi të martën gazeta Express.

Në ditën kur kishte ndodhur rrahja, më 28 qershor, Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se deputeti i saj në kuvend, Rexhep Selimi, ishte provokuar nga deputeti i PDK-së, Latif Gashi, duke e kërcënuar që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media.

Sipas saj, pastaj fjalosja mes Gashit dhe Selimit kishte eskaluar në një përleshje fizike.

“Në atë moment, në përleshjen fizike është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit”, thoshte VV-ja.

Deputeti i PDK-së Haxhiu ishte parë në të njëjtën ditë, më vonë, me një lëndim në detyrë gjatë vazhdimit të seancës parlamentare. Të martën ai i ka thënë Expressit se e tëra ishte “planifikuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti”.

Vetëvendosja atëherë kishte shprehur keqardhje për ngjarjen dhe kishte akuzuar SHIK-un për nxitjen e saj.

Në punimet e parlamentit, në fillim të korrikut, edhe liderët e PDK-së dhe Vetëvendosjes, Thaçi e Kurti, ishin përfshirë në fjalosje të nxehtë. Kurti i kishte thënë Thaçit të “mos zgërdhihet”, ndëra Thaçi kishte thënë se Kurti i kishte dalë doresh edhe babait të tij. 

Më 28 qershor, Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thoshte se debatet në kuvend gjatë vitit 2011 e sidomos në fillim të vitit 2012 janë përcjellë me një gjuhë jo-tolerante të cilat janë degjeneruar në spastrim hesapesh personale “deri në përmasat e terrorit verbal dhe po krijonte rrethana për akte dhune”.

KDI thoshte se gjuha jo-parlamentare e debatit si dhe përleshjet e dhunshme mes deputetëve krijojnë shumë dilema tek qytetarët mbi sigurinë e përgjithshme, liritë civile dhe demokracinë në vend.