Prej Lojës Fëmijërore në Shtetndërtim

Prej se mbaj mend kujtoj sfidat që i përjetuam. Sa isha e vogël nana ishte ajo që kujdesej për mendimet e mia dhe fjalët të cilat guxoja t’i shqiptoja jo vetëm para një të huaji, por edhe para babait tim.

Si fëmijë luanim në rrugë apo “sokak” siç i kemi thënë ne, por larg dyerve të shtëpive tona, sepse posa afroheshim aty shfaqeshin nënat tona duke na thënë “hajt allahile dilni luni qatje se po boni zhurëm, po boni bërllog, sa e fshiva oborrin”.

Si zhvilloheshim ne, si luanim, si pajtoheshim mes vete, si i ndanim rolet?

Ne vajzat luanim një lojë- “llastik” i thonim-një litar elastik e mbanin dy veta që qëndronin si shtylla, ndërsa me duar e rrotullonin litarin në të cilin një apo dy vajza tjera kërcenim.

Që nga aty fillonin inatet, ngacmimet me fjalë, sepse vështirë e kishim ta pranonim humbjen, pasi më atraktive ishte me kërcy “llastik”, sesa të rrije si shtyllë derisa tjerat kërcenin, fitonin, e ti duhej t’i shikoje.

E privilegjuara për të kërcyer nën ritmet e lëvizjeve rrethore dhe për të mos qëndruar si shtyllë që lëvizte me duar, ishte pronarja e “llastikut”, ajo që e blinte atë.

Askush nuk guxonte t’ia prishte qejfin pronares së “llastikut”, ajo e luante lojën si të donte, fitonte sa herë të donte. Po ta hidhëronim e merrte “llastikun” dhe shkonte në shtëpi, ne mbeteshim pa lojë.

“Llastiku” fatmirësisht nuk kushtonte edhe aq shtrenjtë dhe blihej me gjatësi të ndryshme, varësisht nga dëshira.

Kjo ishte njëra ndër lojërat e vajzave- loja e djemve ndryshonte, më e shpeshta ishte ajo e futbollit.

Edhe te futbolli kishte pronarë të topit, i privilegjuari caktonte rregullat e lojës, përndryshe të tjerët mbeteshin pa top dhe pa luajtur.

Te loja me top më kujtohen ngjarje interesante, edhe kur luhej duhej pasur kujdes që topi të mos fluturojë në ndonjë oborr shtëpie. Ai  disa herë kthehej, por nëse ndodhte të binte shpesh pronari i oborrit dhe shtëpisë ku kishte rënë topi, e prente atë dhe copat si me ceremoni i hedhte në sokak.

Kjo “ceremoni” na mbushte zhgënjim!

Loja tjetër që e luanim ishte ajo kur bëheshim të gjithë fëmijët e lagjes sime bashkë dhe shkonim të shtyheshim me fjalë me fëmijët e lagjes tjetër-“ hajde shkojmë përlahum me mahallën tjetër” thoshim.

Kur vinte puna pick dhe tensionohej situata, dërgonim njërin nga fëmijët që ishte më i urtë për rregullim të situatës, pastaj prapë luanim bashkë. Kjo situatë përsëritej kur nuk kishim lojëra tjera më interesante.

Shkonim nëpër shtëpi kur vinte koha e drekës dhe natën kur errësohej për ta shikuar filmin e vizatuar nga 19:15 derinë 19:30, se pastaj fillonin lajmet dhe vetëm dëgjohej fjala”pa shuni”, edhe pse askush nuk fliste.

Dhe lajmet vazhdimisht bëheshin më të këqija e më të rënda dhe nga pasojat e dëgjimit dhe shikimit të tyre edhe fytyrat e prindërve merrnin pamje të tillë.

Pas orë 19:30 mund të flinim, ose të mos bënim zhurmë-misioni ynë ditor kishte përfunduar.

Si duket qe nga këtu qëndrojnë problemet tona psikike, pronësore dhe diktatoriale të ngulitura thellë në mendjet dhe nënvetëdijet tona, janë me neve që nga fëmijëria.

Situata e pardjeshme e zgjedhjes së Presidentit më ktheu shumë vite mbrapa, ma kujtoi egoizmin, inatin, dëshirën për kompromise koti, dëshirën e pronësisë.

Deputetët “problematikë” medoemos duhej të rrinin larg sallës së Kuvendit, sepse bënin zhurmë, pengonin “të zotët e shtëpisë” që tash e sa vite gjenden me banim të përhershëm aty. Ata sipas logjikës sonë fëmijërore duhet të bënin zhurmë në “sokak”, jo brenda oborrit të shtëpisë.

Pronari i “llastikut” apo i “topit” në këtë rast krerët e partive vendosnin rregullat e “lojës”- si duhej të votohej dhe për kë duhej të bëhej kjo.

Disa deputetë e dinin kohën e limituar 15 minutëshe për të parë filimin e vizatuar, pas asaj nga “i zoti i shtëpisë” apo kryeprlamentari vinte shprehja “pa shuni”- sikurse nga babi im dikur, sepse ishte zot shtëpie, ai vendoste për televizorin kush sa ta shikojë.

Pas përlarjes “mahallë me mahallë” që në Kuvend kthehet në parti me parti, duhet të gjendet një deputet më i urtë që t’i ftohë gjakrat e nxehur. Që ende nuk është gjetur

Vetëm pasi përfundoi gjithçka, koha ishte për të festuar. Edhe kjo pjesë i takon fëmijërisë së hershme- hajde festojmë se “flejtën fmija”.

Nga e gjithë kjo situatë e krijuar vetëm një gjë po më mundon, deri te cila gjeneratë fëmijët kanë pasur një fëmijëri të tillë si timen!

Deri te cila gjeneratë do të barten pasojat e inatit, xhelozisë, egoizmit e pronësisë. Kur do të përfundojnë privilegjet e pronarëve të “llastikut” e topit dhe “përlamjet mahallë me mahallë”.