Komuna e Kaçanikut
Jo Me Bacin
“Heroi tragjik” R. Mustafa, mund të banonte në një nga tregimet e bukura të shkrimtarëve, ashtu siç do të mund të jetonin edhe ‘bosët’ që u kapën për fyti për të, duke shpresuar se po zbulonin sekretin; fatkeqësisht, ky hero rron në një pallat të zakonshëm në qytetin dhe në shtetin që nuk përulet përpara dhembjes, dhe përpara autoritetit të padiskutueshëm të të mëdhenjve. Duke e pritur ndoshta fundin, siç e presin gjithë heronjtë tragjik.
Heronj të përulur përpara dhembjes, si vëllai i kryeministrit të Kosovës, janë me qindra. Ai ishte i gjallë, dhe ne e pamë, siç rrallë i shohim ata.
E dëgjuam edhe gazetaren që aq keq e lexonte tekstin e stories për të.
I pamë e i hapëm sytë edhe para bosëve të mëdhenj të jetës sonë, ndaç qeverisë, ndaç gazetarisë, dhe i pamë se si u përplasën deri në dhimbje këto ditë, duke shkelë edhe komunikimin intelektual e të ndershëm. Edhe njëri, edhe tjetri, në kohë e momente të caktuara, herë i janë vënë në krahë njëri-tjetrit e herë për fyti janë kapur. Sigurisht se kjo ishte vetëm një betejë e radhës, për të parë se kush po merr epitetin e të fortit e “të babës”, ani pse lufta qe e pandershme dhe e ashpër brenda llojit.
Në ‘sherrin’ e kësaj lufte sigurisht se nuk mund të rrinin indiferentë të shumtët. Në njërin dhe në tjetrin front, kush me të drejtë e kush pa të, gati gjithkush ‘cicëroi’ diçka. Përfundimet janë të dhimbshme, ngado që ta shohësh. Atë që një koleg imi e quajti “hero tragjik’ i Kosovës, s’ish veç viktima që deshi s’deshi përfaqësoi të gjithë heronjtë tragjikë të kësaj shoqërie.
Pse po bëhet krejt e pamundshme që storjet e jetës në Kosovë të shiten si storje suksesi? Pse po bëhet krejt e pamundshme që edhe storja për lirinë e medies në Kosovë, të shitet si storje e një vendi që nuk është as totalitar e as diktatorial dhe e një vendi që është si vendet e tjera përreth…
“A ka një shqiptar që ma fal bajrakun?”, thotë vargu i njërës nga këngët e bukura që ka krijuar populli. Pse ky varg edhe sot çon peshë dhe paturpshëm të vjen një si kushtrim nëse ka shqiptarë që mund ta ndryshojë imazhin qoftë për sistemin e tmerrshëm shëndetësor, qoftë për lirinë e munguar të medies në Kosovë. Duke qenë në kërkim të një adrese që do të mund ta ndryshonte këtë gjendje, dera e cilit zot shpie do të duhej kërkuar të hapej për ndihmë?
Në këtë rast, zoti Kryeministër, zotërinjtë gazetarë që e nxorën këtë hero, dhe i gjithë sistemi social kosovar, sharron thellë. Sharron në atë që është e ku është, po të cilën jo gjithmonë e kap syri: në jetën e kontrolluar, të shkelur ose të blerë, në sistemin pa përgjegjësi, në papërgjegjësinë e sistemit shëndetësor, në papërgjegjësinë e gazetarisë dhe në papërgjegjësinë e vetë qeverisë. Kësisoj, kërkimi për një adresë për të trokitur, merr fund.
Përgjegjësia morale, ligjore e politike është lidhur nyjë në këtë vend dhe ajo ua zë frymën qoftë heronjve tragjikë të shfaqur në medie, qoftë heronjve të pafundmë që rrinë në e nën sipërfaqe.
Storje të dhimbshme që qarkullojnë dhimbshëm, pavarësisht interesave e panjerëzisë së ‘bosëve’. Nganjëherë duket absurde që një grusht njerëzish të një vendi, që s’e mbushin dot as një lagje të një metropoli, të jenë kaq të ngatërruar, kaq përjashtues, kaq paragjykues e kaq të panjerëzishëm për njëri-tjetrin. Vogëlsia e shteteve të vocrra është problem, sepse kjo vogëlsi kultivon vogëlsinë shpirtërore, natyrën nepotiste brenda ngastrash të ngushta dhe natyrën e refuzimit.
Loja me të dobëtin përherë është lojë e ndyrë. Po siç e dinë mirë mendjet e mençura, jeta është një strategji e tërheqjes. Në vogëlsinë shqiptare, vdekja ende duket klasike, ndonëse nuk është aspak e tillë. Dhe vetëm nganjëherë, kur iu ngul sytë këtyre njerëzve të tërhequr, kupton se heronjtë mund të ekzistojnë.
Qendrat e dynjasë shqiptare, janë kapur sot, fort, pas gënjeshtrave e thashethemeve, dhe si asnjëherë më parë bashkëjetojnë me to. Janë kapur fort pas idesë së “bosit”, prandaj në këso rastesh të irriton edhe ta mendosh se ç‘pamje do të ketë e ardhmja, për ç‘vlera do të përplasemi, kush kënd e ka zili më shumë, dhe nga fillimi në fund, kush kë po e mund.
“Cili është ai shqiptar që ma fal bajrakun?” ia thotë vargu, po vetëm këtë bajrak s’e lëshoj aman.