"Fake News": Një realitet i hidhur i kohëve moderne

Në retorikën politike, jo vetëm në Kosovë, është e zakonshme që nga liderët politikë të ketë deklarime të cilat mund të jenë pjesërisht apo plotësisht të pavërteta. Ky fenomen, sado që i pa-pëlqyer në konditat shoqërore, është një realitet i cili e shoqëron artin e politkbërjes. Dhe fakti që politikanët për të shtyer para agjendat e tyre ndjehen rehat për ta përdorur hiperbolën nëpër deklarime, nuk është risi. Në fakt, është sekret publik.

Në një kohë kur kemi një përhapje të theksuar e shqetësuese të lajmeve të rreme, apo siç ndryshe njihen si ‘fake news’, si pasojë e rrjeteve sociale, bëhet edhe më i domosdoshëm rishikimi i fakteve nga ana e gazetarëve para publikimit të lajmeve. Tanimë, nuk është e panjohur as në vendin tonë, praktika e politikanëve të cilët i zgjedhin rrjetet sociale për të komunikuar me publikun, duke i anashkaluar kështu mediat tradicionale. Dhe normalisht, përdorimi i rrjeteve sociale, iu jep politikanëve shumë më shumë hapësirë për të shtyer para agjendat e tyre pa u ballafaquar me kundër-argumente dhe pyetje shtesë, që gazetarët dikur i bënin para çdo adresimi publik të politikanëve.

Kategorizimi i mediave si “të kapura” e si “shërbëtore të agjendave të ndryshme” nuk ka filluar dhe as nuk do të mbarojë në Kosovë. Në fakt, në botën e lirë, këtë praktikë në masë të madhe e ka nisur e e ka nxitur Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Deri më atëherë, ishte e paimagjinuar që mediat, rëndom të quajtura ‘pushteti i katërt’ në demokraci, të sulmoheshin dhe në mënyrë kolektive të cilësoheshin si “shpifëse”, “shpërndarëse të fake news-it” e “shërbëtore të agjendave të ndryshme”. Gjatë Administratës Trump, ishte vetëm ‘Fox News’ që gëzonte respektin e Presidentit, dhe që kishte njëfarë qasje më të favorshme nga Shtëpia e Bardhë. Ndërsa, mediumi i parapëlqyer i Presidentit Trump ishte Twitter, deri sa ky i fundit ia bllokoi llogarinë Presidentit Trump për shkak të thyerjes së kodit të etikës me shpërndarjet e lajmeve të rreme dhe nxitjen e urrejtjes që Trump po e bënte atëbotë nëpërmjet këtij rrjeti social.

Ani pse Trump e ka “legjitimuar” një praktikë të tillë, edhe pas përfundimit të mandatit të tij një kthim në ‘normalitet’, në konturat e asaj që kemi njohur para vitit 2016, nuk ka ndodhur. Përkundrazi, një praktikë e tillë është shtrirë edhe në pjesët tjera të botës. Rritja e lëvizjeve të ekstremit – qoftë të djathtë, qoftë të majtë – kudo nëpër botë, e veçanërisht në Evropë, ka mundësuar që kjo praktikë të normalizohet tashmë edhe në kontinentin e vjetër.

E në shtetin më të ri të kontinentit të vjetër, në Kosovë, kjo praktikë është e shprehur mjaftueshëm sa për të nxitur alarm. Krerët institucionalë të Kosovës tashmë kanë krijuar një praktikë ku adresimet e tyre për publikun vendor i bëjnë kryesisht nëpërmjet rrjetit social Facebook. Etiketimet e ndryshme për mediat, të ngjashme me ato të Trump, janë bërë edhe nga persona të afërt me pushtetin e ri. Këto janë tregues i keq sa i përket shëndetit të demokracisë, dhe janë kthim pas, pavarësisht faktit që është investuar shumë përgjatë këtyre viteve që nga përfundimi i luftës për të pasur një media të lirë e të pavarur, e jo një të kapur e të kontrolluar, siç është rasti me mediat në vendet fqinje. Këto etiketime, megjithatë, do reflektohen edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovën, e do të jenë një dëm i madh për një shtet që akoma nuk është plotësisht i njohur ndërkombëtarisht e i cili aspiron të bëhet pjesë e barabartë e familjes së shteteve sovrane. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2021 i ka cekur këto probleme të cilësimeve të zyrtarëve të lartë karshi mediave, e Kosova nuk e ka luksin që të fillojë të etiketohet si vend me media jo të lirë.

Konferencat e rregullta me gazetarë, të pasuara nga pyetjet-përgjigje po bëhen gjithnjë e më të rralla. Edhe në ato pak konferenca që po mbahen, gazetarëve po iu ipet gjithnjë e më pak mundësi për të bërë pyetje, ndërsa pjesëmarrja nga një pjesë e madiumeve online (portale) në ato konferenca është tejet e vogël. Në një situatë të tillë, ballafaqimi i krerëve institucionalë me fakte bëhet edhe më i vështirë. Kur informimi i publikut bëhet vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, në seksionin e komenteve, ekziston mundësia që komentet të cilat ofrojnë argumente kundër postimit të fshihen lehtësisht, duke i hapur rrugën shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe krijimit të retorikës e cila mund të jetë pjesërisht e vërtetë, e në rastin më të keq, mund të jetë edhe plotësisht e pavërtetë.

Në proceset e rëndësishme për vendin, e sidomos në ato që zhvillohen jashtë territorit të Republikës së Kosovës, siç është rasti me zhvillimin e takimeve mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, raportimi bëhet akoma më i vështirë. Shumica e mediave nuk kanë korrespondentë jashtë vendit, duke e bërë median të varur nga deklarimet e politikanëve, të cilët siç e potencuam edhe më sipër, mund të mos e tregojnë të vërtetën e plotë. Për ta komplikuar edhe më tej punën, krerët tanë institucional nuk bëjnë raportime të rregullta në Kuvend lidhur me mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme për vendin, duke e bërë informimin e drejtë të publikut një sfidë të njëmendtë.

Pavarësisht kësaj, është detyrë e gazetarëve që para se t’i shpërndajnë ato postime e deklarime më tej nëpërmjet mediumeve nëpër të cilat punojnë, fillimisht faktet të cilat politikanët i publikojnë, t’i verifikojnë. Këtë, gazetarët mund ta bëjnë duke i marrë kënvështrimet e të gjitha palëve të përfshira në proces – nëse për shembull fjala është për procesin e dialogut, duke i analizuar qëndrimet edhe të palës kundërshtare, por edhe të ndërmjetësit. Pavarësisht nëse deklarimi bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale apo mediave tradicionale, shpërndarja e deklaratave të politikanëve pa i verifikuar fillimisht të dhënat e nxjerra, mundet që mediumet paqëllimshëm t’i futë në “vallen” e shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe krijimit të retorikave të pavërteta.

Jo rrallëherë na ngjanë të lexojmë lajme nëpër portale të ndryshme të cilat janë fund e krye të bazuara në fjalët dhe faktet e paraqitura nga politikanët. Gazetarët absolutisht e kanë për detyrë që publikun ta informojnë lidhur me deklarimet e të zgjedhurve të tyre nëpër institucionet e vendit. Mirëpo, para plasimit të lajmit, është e domosdoshme që të verfifikohen të dhënat e paraqitura si fakte nga ana e akterëve politikë, e më pas ato t’i plotësojnë me të gjeturat – në rast se të gjeturat dhe deklarimet e politikanëve nuk përkojnë njëra me tjetrën.

Shpërndarja e lajmeve të rreme, në Kosovë ka marrë edhe një përmasë të re, duke u futur në diskursin publik nëpërmjet debateve të përnatshme. Jo rrallëherë, nëpër studio televizive plasohen informata të cilat janë pjesërisht të vërteta, apo edhe tërësisht të pavërteta, e të cilat më pas merren për të mirëqena. Në këtë formë, jehona e këtyre deklaratave, shkakton përhpajen e mëtejme të lajmeve të rreme.

Përtej gazetarëve, përgjegjësi për shpërndarjen e lajmeve të rreme kanë edhe vet përdoruesit e rrjeteve sociale. Sot, ekzistojnë mjaftueshëm platforma e literaturë, të cilat na mundësojnë që të mësojmë si t’i ndajmë lajmet e vërteta nga ato të rreme. Pavarësisht, se ne mund të dëgjojmë diçka me zë e me figurë, kjo prapë nuk nënkupton që guxojmë ta marrim atë lajm apo deklaratë për të mirëqenë. Kjo për shkak se fillimisht ekziston mundësia që ai lajm apo deklarim i një politikani/eje të jetë i nxjerrë nga konteksti nëpërmjet prerjeve, apo edhe mund të jetë subjekt i asaj që njihet si ‘deep fake’, e që nënkupton modifikim i figurës dhe zërit në video, duke i mveshur një fjalë a atribut, dikujt që në fakt mund të mos ketë fare të bëj me lajmin në fjalë.

Në fund, është tejet e rëndësishme që të verifikohen të gjitha gjërat që i lexojmë dhe i dëgjojmë, sidomos në rrjetet sociale. Sot, mundësitë për të shpërndarë lajme të rreme janë të pafundme, andaj edhe nga pakujdesia, të gjithë ne kemi mundësi të biejmë pre e tyre. Por, duhet të mësohemi që të mos i marrim për të mirëqena të gjitha ato që i lexojmë, pa i verifikuar së pari të dhënat. Në këtë mënyrë, përpos që ne e ruajmë veten nga keqinformimi, e bllokojmë edhe rrethin e shpërndarjes së lajmeve të rreme.

Për të bllokuar shpërndarjen e lajmeve të rreme, si dhe për të shmangur një situatë ku Kosova arrin nivelin e rajonit sa i përket dezinformimit dhe kontrollimit të mediave, është tejet e rëndësishme që hallka të ndryshme të shoqërisë të ndërmarrin veprime të menjëhershme:

  1. Krerët institucionalë duhet që ta vazhdojnë traditën e konferencave të rregullta për media, me pyetjet-përgjigje, e nëpër të cilat jepet hapësirë për më shumë pyetjet nga media të ndryshme, e jo vetëm nga ato që konsiderohen të afërta me pushtetin. Kjo do të ndikonte edhe në rikthimin e mirëbesimit të ndërsjellë mes institucioneve dhe mediave, jetike kjo për shëndetin e demokracisë.
  2. Për të kontribuuar në informimin e drejtë të publikut, institucionet po ashtu duhet ta konsiderojnë marrjen e ekipeve të gazetarëve nëpër vizitat jashtë vendit, praktikë kjo e njohur nëpër të gjitha vendet demokratike.
  3. Gazetarët duhet ta kontrollojnë disa herë burimin e informacionet, dhe ta trajtojnë atë nga disa kënde të ndryshme para nxjerrjes së lajmit.
  4. Në debatat televizive, të ketë një vetkontrollë më të madhe nga ana e panelistëve si dhe kontrollë më të madhe nga ana e mediumeve, në mënyrë që të mos kontribuohet në krijimin e narrativave të pavërteta.
  5. Qytetarët ta verifikojnë lajmin në disa kanale të ndryshme para se ta marrin atë për mirëqenë. Lajmin eventualisht të rremë, qytetarët duhet ta denoncojnë tek Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) dhe tek Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).