Foto: Facebook/KDI

Ambasadori zviceran flet për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori zviceran, Jean-Hubert Lebet, ka marrë pjesë në diskutimin “Cila është platforma e qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, i organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, e në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.

Gjatë fjalimit të tij, ambasadori zviceran ka thënë se duke qenë se Qeveria është ajo që drejton politikën e jashtme të Kosovës përgjegjës për dialogun është përgjegjësi e kryeministrit, prandaj, siç tha ai, presioni dhe pritjet nga shefi i Qeverisë janë të larta.

Sipas ambasadorit të Zvicrës, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një çështje europiane.

Fjalimi i plotë i ambasadorit zviceran:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe mediat,

Të nderuar mysafirë,

Falënderoj Institutin Demokratik të Kosovës për ftesën në këtë event për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Jam i nderuar të jem këtu me kryeministrin për të biseduar për dialogun. Është Qeveria ajo që drejton politikën e jashtme kryesore dhe prandaj ju, zoti kryeministër, jeni në krye të dialogut me Serbinë. Gjykata Kushtetuese ishte e qartë për këtë përgjegjësi dhe programi juaj qeverisës theksoi në mënyrë shumë precize se “pala negociuese në dialog duhet të jetë Qeveria”.

Duke qenë përgjegjës për Kosovën në dialogun me Serbinë, presioni dhe pritjet nga ju janë të larta. Shpresoj që jeni dakord me mua, se si lider është e rëndësishme që të mos humbisni orientimin dhe të mbani mend qëllimin aktual të këtij dialogu: normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tuaj, Serbinë, për të përmirësuar jetën e njerëzve, duke fuqizuar paqen në rajon dhe duke zhbllokuar rrugën e Kosovës drejt njohjes së plotë si pjesëtare e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë realizimin e aspiratave euro-atlantike.

Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një çështje europiane. Kështu që ne mbështesim dialogun nën asistencën e Bashkimit Europian, ashtu siç është mandatuar nga UN. Kosova duke bashkëpunuar me Bashkimin Europian mund të ketë ndikim në procesin e dialogut, duke participuar në ndërtimin e projektit dhe qëndrueshmërisë së tij.

Rezultatet e dialogut nën udhëheqjen e mëparshme të Bashkimit Europian janë mjaft të përziera. Që nga gjysma e vitit 2019, Bashkimi Europian ka qenë më diskret në dialogun, i paralizuar nga përgatitja e zgjedhjeve, pastaj nga formimi i Komisionit të ri (Europian) dhe në fund nga takimi i të dërguarit special. Kurse COVID-19 nuk ka ndihmuar. Tani Bashkimi Europian është funksional. Por, më e rëndësishme është çiltërsia dhe vullneti i sinqertë i Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale. Ne shpresojmë që në këtë bazë, Kosova dhe Serbia janë të gatshme të vazhdojnë me dialogun.

Me këtë shënim, i nderuar kryeministër, ju inkurajoj që ju dhe aleatët tuaj të bashkëpunoni drejtpërdrejt me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian Z. Lajçak.

Në dritën e zhvillimeve të tanishme, ne kemi parë se aktorët e tjerë janë angazhuar për të ndihmuar në proces.

Ata janë të mirëseardhur që të ndihmojnë, por përsëri gjithsecili duhet të kuptojë se problemet europiane kërkojnë zgjidhje europiane. Procesi udhëheqës europian gëzon mbështetjen e shteteve anëtare dhe shteteve si Zvicra. Vetëm një proces europian mund të sjellë atë që duan Kosova dhe Serbia, një rrugë eventuale drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Zgjidhje të tjera mund të komplikojnë dhe zgjasin më tej këtë rrugë.

Më lejoni ta përsëris, vetëm zgjidhjet duke respektuar vlerat europiane munden eventualisht të sjellin integrimin europian. Ndërrimi i kufijve përmes kufijve etnikë nuk bën pjesë në këto vlera. Siç dhe kam thënë: demarkimi i kufijve nuk ka funksionuar kurrë. Në historinë bashkëkohore nuk ka ndonjë shembull të shkëmbimit, kur shkëmbimi ka sjellë normalizim dhe paqe të qëndrueshme në mes të palëve kundërshtare. Përkundrazi, një qasje e tillë do të ishte mjet për tragjedi të mëtejshme njerëzore.

Normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë është një proces i gjatë dhe kërkon kohë. Ka nevojë për ndërtim të besimit të strukturuar mirë, proces parimor. Të dyja palët duhet të shprehin vullnetin e tyre që të arrijnë një marrëveshje. Nuk ekziston një zgjidhje magjike dhe padyshim ‘rregullim të shpejt’. Dhe “një marrëveshje të keqe”, duke përfshirë paqartësitë shtesë, do të ishin të dëmshme për Kosovën si shtet, dhe për njerëzit e Kosovës.

Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, detyruese është një kapitull esencial në normalizimin e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk është pika kyçe. Në fund, vetëm implementimi i plotë i një marrëveshjeje bën dallimin. Niveli i besimit në mes të palëve para ceremonisë së nënshkrimit ka një impakt direkt në shanset e një implementimi të suksesshëm të marrëveshjes. Pra, këshilla ime modeste: ‘pa nguti’ por investoni në ndërtimin e besimit.

Është po ashtu e rëndësishme që një proces të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës dhe të marrë besimin dhe mbështetjen e palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare. Parlamenti luan një rol qendror në mbikëqyrjen e procesit të dialogut. Ne mirëpresim afërsinë tuaj që të punoni me parlamentin dhe të përfshini institucionet akademike dhe shoqërinë civile.

Këto palë të interesuara janë mjaft të dobishme në përgatitjen e terrenit, duke shtuar substancë në zgjidhjen dhe duke siguruar transparencë drejtë politikanëve dhe shtetasve. Dhe Zvicra është e gatshme të ju mbështes në një qasje transparente dhe gjithëpërfshirëse.

I nderuar z. Kryeministër, ju uroj fat në udhëheqjen e Kosovës gjatë kësaj kohe të vështirë të COVID-19, në udhëheqjen e Kosovës në dialogun me Serbinë duke përmbushur obligimet tuaja ndaj sovranitetit të Kosovës dhe njerëzve të saj.