Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontestoi zgjedhjen e drejtoreshës së Institutit të Historisë, historianit i shqiptohet vërejtje me shkrim

Vetëm pak ditë pas zgjedhjes në postin e drejtoreshës së Institutit të Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë, Teuta Shala – Peli i ka shqiptuar masë disiplinore, “Vërejtje me shkrim”, Shkodran Imerajt, kundër kandidat për postin e drejtorit të IH-së, “Ali Hadri” në Prishtinë.

Imeraj, punëtor shkencor në këtë institut, pretendon se vërejtjen e mori për shkak të dyshimeve që ka ngritur për parregullsi gjatë procesit të zgjedhjes se drejtorit të IH-së, të cilat i ka parashtruar edhe përmes një ankese të dërguar në Ministrinë e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe një letër të hapur dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Drejtoresha Shala- Peli nuk ka pranuar të flas për akuzat e Imerajt. Por në vendimin e masës disiplinore ndaj Imerajt kuptohet se vërejtja i është shqiptuar për shkak të përmbajtjes së letrës dërguar kryeministrit Kurti.

Shala – Peli  është zgjedhur drejtoreshë e IH-së “Ali Hadri” më 10 korrik, ndërsa më 18 korrik 2023, Imerajt ia shqipton vërejtjen me shkrim. Deri në zgjedhjen në këtë pozitë, Shala Peli ishte ushtruese e detyrës së drejtorit të IH-së.

Një ankesë në MASHTI për parregullsi gjatë procesit të zgjedhjes së drejtoreshës së IH-së, e ka dërguar edhe Sylë Ukshini, kandidat për postin e drejtorit i cili u eliminua nga gara për mos përmbushje të njërit prej kritereve. Ukshini ka ofruar dëshmi sipas të cilit e plotësonte kriterin.

Pretendimet e Imerajt dhe të Ukshinit janë hedhur poshtë nga Sekretari Shkencor i IH-së, Fitim Rifati. Ai ka thënë se gjithçka ishte ligjore sa i prekt procesit të zgjedhjes së drejtoreshës së IH-së.

Prapaskenat e zgjedhjes së drejtorit të IH-së

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të IH-së është hapur më 10.08.2023, data në vendim, por në vulat e protokollit të vendimit mban datën 08.05.2023.  Në këtë konkurs konkuruan: Shkodran Imeraj, Teuta Shala – Peli, Kosovar Basha, Sylë Ukshini e Ilir Zylfiu. Dy të fundit Ukshini e Zylfiu u eliminuan nga gara, pasi sipas Komisionit nuk i plotësonin kriteret e parapara me konkurs.

Procedura për zgjedhjen e konkursit nisën më 12.05.2023 me themelimin e Komisionit për zbatimin e procedurës së konkursit për zgjedhjen e drejtorit të IH-së, nga Këshilli Shkencor i IH-së, në përbërje të: kryetar Agron Islamit, anëtarë: Haxhi Ademit e Emine Kalaja – Hajdari. Por,  më 12.06.2023, Islami dorëhiqet nga komisioni e pak ditë më vonë edhe anëtari tjetër Haxhi Ademi.

Pas këtyre dorëheqjeve, më 22 qershor 2023, Këshill Shkencor i IH-së, zëvendëson të dorëhequrit me anëtarë të rinj në Komisionit: Mrika Limani – Myrtaj dhe Fatmir Arifi. Ky komision me kryetar Mrika Limanin – Myrtaj harton raportin me opinionin për secilin prej kandidatëve konkurues, sipas dosjeve të ofruara. Sipas këtij raporti, më 10 korrik Këshill Drejtues i këtij instituti zgjedh Teuta Shala- Peli, drejtoreshë të IH-së.

Pretendimet për shkelje ligjore

Por, historiani Shkodran Imeraj, kandidat për drejtor të IH-së, në ankesën e dërguar në MASHTI, por edhe në letrën dërguar kryeministrit Kurti, (të cilat i ka parë KALLXO.com) pretendon se procesi i konkursit për zgjedhjen e drejtorit të IH-së është bërë në kundërshtim me  “Udhëzimin administrativ nr. 07/2017 – Për rregullimin e procedurave të konkursit për zyrtarët publik, ndërhyrje nga ana e sekretarit shkencor për caktim afatesh tek komisioni përzgjedhës e ndikim politike.

Sipas Imerajt, shkeljet në konkurs nisin me shpalljen e vendimit për konkursin, ku protokollimi për shpallje e konkursit është bërë dy ditë (më 08.05.2023) para vendimit për shpallen e cila mban datën 10.05.2023 në protokoll.

Preambula e vendimit për shpalljen e konkursit për drejtor të IH-së.

Sipas Imerajt, mbledhja e 22 qershorit e Këshillit Shkencor të IH-së në të cilën u emëruan dy anëtarë të rinj në Komisionin për zbatimin e procedurës për zgjedhjen e drejtorit të Institutit.

“Mbledhja e Këshilli Shkencor e IH-së mbajtur më 22 qershor 2023, ku janë emëruar – zëvendësuar) dy anëtarë të Komisionin për zbatimin e procedurës së zgjedhjes drejtorit nuk ka pasur kuorum për t`u mbajtur, për faktin se nga 13 të pranishëm anëtarë të KSH-së, 2 nga ta ishin kandidatë për drejtor. Pra del fakti se në votim kanë marrë pjesë vetëm 11 persona, dhe se ky organ kolegjial i ka gjithsej 24 anëtarë. Në këtë mënyrë del se vendimi është marrë në mungesë të kuorumit”- thuhet në aneksen e Imerajt dërguar në MASHTI, duke kërkuar anulimin e vendimit për zgjedhjen e drejtoreshës së IH-së. Imeraj po ashtu në ankesë pretendon se njëri prej kandidatëve konkurues është eliminuar pa të drejtë ndërsa njërit i është lejuar garimi pa plotësuar kriteret e konkursit.

Kërkesën e tij për animimin e zgjedhjes së drejtorësh së IH-së, Imeraj e mbështetë në rrethanat që çuan në dorëheqjen e Agron Islami nga Komisioni për zgjedhjen e drejtorit të IH-së.

Paqartësitë ligjore

Agron Islamaj, i emëruar fillimisht kryesuesi i Komisionit për zbatimin e procedurës për zbatimin konkursit për zgjedhjen e drejtorit të IH-së, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se ishte dorëhequr nga komisioni për shkak të paqartësive ligjore me të cilat ishte përballur pas emërimit në Komision.

Islami ka thënë se rrethana që çuan në dorëheqje erdhën nga kërkesa e sekretarit shkencor të i IH-së, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues (KD) i cili kërkoi nga Komisioni të tërheq dosjet dhe brenda 9 ditëve të hartojë raportin përfundimtarë të kandidatëve, dhe këshilla juridike që komisioni mori nga zyrtari ligjor i IH-së, se në rastin e zgjedhjes së drejtorit të IH-së, Komisioni duhet të respektojë preambulën e vendimit për shpalljen e konkursit dhe se mosrespektimi i Kornizës kohore për realizimin e procedurave përzgjedhëse sipas “Udhëzimit administrativ nr. 07/2017 – Për rregullimin e procedurave të konkursit publik”, procesi mund të rezultojë me shkelje ligjore dhe përgjegjësia bie mbi komisionin.

“Kështu, kjo përgjigje e zyrtarit ligjor të Institutit, binte ndesh me kërkesat e kryesuesit të KD-së, z.Fitim Rifati, i cili na kishte kumtuar një vendim të KD-së që konstatonte se, komisioni duhet të bëjë vlerësim vetëm nga dosjet e kandidatëve dhe nuk parashihte realizimin e intervistës së kandidatëve. Mbi këto zhvillime me shumë paqartësi ligjore dhe pakënaqësitë e dy kandidatëve të brendshëm, njëri prej të cilëve dha dorëheqje nga gara, unë erdha në përfundim se, duhet të ofroj dorëheqjen e parevokueshme nga komisioni për zbatimin e procedurës së zgjedhjes së drejtorit”- ka thënë Islami, duke shtuar se komisioni që ai ka udhëhequr nuk ka tërhequr dosjet e kandidatëve konkurrues.

Zgjedhja e drejtorit, sipas statutit të IH-së

Por, pretendimet për shkelje ligjore në rastin e zgjedhjes së drejtoreshës së IH-së janë mohuar nga sekretari shkencor i IH-së, Fitim Rifati, MASHTI e kryesuesja e Komisionit përzgjedhës, Mrika Limani- Myrtaj, në bazë të statutit të IH-së dhe rekomandimeve nga MASHTI.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fitim Rifati, sekretar shkencor dhe ex-office udhëheqës i KD-së së IH-së, ka thënë se zgjedhja e drejtorit të IH-së është bërë në përputhje me konkursin e shpallur më 10.05.2023.

“Në cilësinë e Sekretarit Shkencor, kryesuesit të Këshillit Drejtues dhe Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’ – Prishtinë, për procedurën e konkursit për drejtor, kam kënaqësinë të ju përgjigjem lidhur me pyetjet e parashtruara. Zgjedhja e drejtorit të Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’- Prishtinë, më 10.07.2023, është bërë në përputhje me konkursin për drejtor, të shpallur më 10.05.2023”- ka thënë Rifati. Por, ai nuk është përgjigjur se pse vendimi për shpalljen e konkursit për drejtor të IH-së ka një datë ndryshme nga data e në vulën e protokollit të vendimit.

Edhe për MASHATI-n zgjedhja e drejtoreshë së IH-së është bërë në mënyrë të ligjshme, sipas statutit të IH-së.

“Drejtori zgjedhet në bazë të konkursit publik, të cilin e shpall Këshilli Drejtues i Institutit, pas njoftimit paraprak të ministrisë përkatëse. Këshilli Drejtues i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, ka zgjedhur Dr. Teuta Shala- Peli drejtore të Institutit dhe në këtë proces Ministria e Arsimit ka pasur një ekip monitorues, i cili nuk ka konstatuar asnjë vërejtje për procesin. Deri më tani kemi pranuar një ankesë nga njëri nga kandidatët, e cila do të shqyrtohet brenda afatit të paraparë me lig”- thuhet në përgjigje e MASHTI-t.

Ndërsa, kryesuesja e Komisionit për zbatimin e procedurës së zbatimit të konkursit për drejtor të IH-së, Mrika Limani- Myrtaj ka thënë për KALLXO.com se zgjedhja e drejtorit të IH është bërë duke respektuar plotësisht preambulën e konkursit, shkresën e dërguar nga MAShTI lidhur me procesin për zgjedhjen e drejtorit të IH-së.

“Në mbledhjen e Këshillit shkencor të 22 qershorit ku jam zgjedhur kryetare e këtij komisioni me vota nga Këshilli shkencor, unë e kam pyetur sekretarin (zyrtarin ligjor) e Institutit, Arbër Kuçi, se cilat hapa duhet ndjekur tutje, për të cilën pyetje ai më është përgjigjur se duhet të tërhiqen dokumentet, të shqyrtohen ato dhe të përpilohet raporti”- ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se dosjen e kandidatëve janë tërhequr nga komisioni më 23 qershor 2023 dhe shqyrtimin e tyre është bërë në prezencë të përfaqësuesit të  MASHTI-t.

Aktualisht, Limani- Myrtaj është nënkryetare e LVV-së, por ka mohuar që të ketë pasur ndonjë ndikim politik në përzgjedhjen e Shala- Pelit në krye të IH-së, ose në shqiptim të masës disiplinore ndaj Imerjat.

Ndërsa, ka thënë se mos shqyrtimi i dosjes së kandidatit Sylë Ukshini nga gara për drejtor të IH-së, është bërë për shkak se ai nuk e ka plotësuar njërin prej kritereve të konkursit

“Kriteri i parë i konkursit ashtu siç është publikuar ka qenë që kandidati duhet të jetë doktor i historisë, ndërkaq, gjithëherë sipas dokumenteve që janë dorëzuar nga kandidatët në dosjet e tyre, kandidati në fjalë është doktor i shkencave juridike dhe doktor në marrëdhënie ndërkombëtare”- ka thënë ajo.

Por, i kontaktuar nga KALLXO.com, historiani Sylë Ukshini ka thënë se e plotëson këtë kriter. Ai ka dy doktorata, njërën të fituar në Fakultetin Histori – Filologji, Dega e Historisë në Universitetin e Tiranës.

Sipas vendimit (një kopje të cilit e posedon edhe KALLXO.com) të këtij fakulteti, më 09.07.2020 Ukshini ka mbrojtur publikisht temën e doktoratës, “Diplomacia gjermane dhe çështja e Kosovës” me udhëheqës Paskal Milon, dhe para komisionit- jurisë në përbërje të Valentina Dua, Ermal Baze, Beqir Meta, Ledia Dushku dhe Sonila Boçi, dhe ka marrë titullin, “Doktor” shkence.

Ukshini i cili ka disa specializime nga fusha e historisë në universitete të njohura eropaine është ankuar në MASHTI për përjashtimin e tij nga gara për drejtor të IH-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Arbër Kuçi, zyrtar ligjor në IH-së, tha se pas kthimit nga pushimi do të përgjigjet në pyetjet e KALLXO.com rreth çështjeve të ngritura për konkursin për zgjedhjen e drejtoreshës së IH-së.

“Ju njoftoj se ndodhem në pushim, kur jam në Kosovë do ju përgjigjem!”- ka thënë ai.

Në bazë të statutit të IH-së, “ALi Hadr”, miratuar në 2015, për drejtor të këtij instituti emërohet  personi i cili, krahas kushteve të përgjithshme të parapara me ligj, duhet t’i përmbushë edhe këto kushte të veçanta: a) të jetë doktor i shkencave të historisë, përkatësisht t’i plotësoje kushtet për t’u zgjedhur së paku në titullin bashkëpunëtor i lartë shkencor; b) të këtë përvojë dhe aftësi të dëshmuara në organizimin dhe udhëheqjen e punëve kërkimore – shkencore. Drejtori zgjidhet nga një komision prej tre (3) anëtarëve të cilët i emëron Këshilli Shkencor i IH-së.

“Komisioni, pas shqyrtimit të dokumentacionit të kandidateve, i paraqet Këshillit Shkencor të Institutit vlerësimin shkencor e profesional për secilin kandidat të paraqitur, si dhe jep propozimin e vet se cili prej tyre i plotëson më së miri kushtet për t’u zgjedhur drejtor i Institutit. Në mbështetje të këtij vlerësimi, Këshilli Shkencor i Institutit i propozon Këshillit Drejtues të Institutit kandidatët për drejtor të Institutit. Drejtorin e Institutit e zgjedh Këshilli Drejtues i Institutit”- thuhet në nenin 23, pika. 4,5 dhe 6 e statuti të IH-së, Ali Hadri në Prishtinë.