Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lëvizjet në Kryesinë e re të LVV-së

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të dielën ka zgjedhur kryesinë e re, të katërtën që do të drejtojë këtë parti për katër vitet e ardhshme.

Për dallim nga kryesia e kaluar, tani ka disa ndryshime në postet drejtuese të partisë që qeverisë vendin, përfshirë me emrat e disa prej figurave politike kyçe të partisë, të cilët mbajnë edhe pozita të larta në institucionet e Kosovës.

Në pozitën e nënkryetarit të parë të partisë, u zgjodh Glauk Konjufca, i cili aktualisht mban edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Deri më sot, kjo pozitë brenda LVV-së mbahej nga Bisnik Bislimi, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës. Ky i fundit në mbledhjen e sotme të Vetëvendosjes u votua si anëtar i kryesisë së kësaj partie.

Në pozitën e nënkryetares së dytë u zgjodh Mrika Limani-Myrtaj, pozitë kjo e cila deri më sot ishte e deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçaku, e cila tash e tutje do të vazhdojë të mbaj postin e anëtares së kryesisë.

Në postin e Sekretarit Organizativ të Lëvizjes, e cila mbahej nga Vlora Haxhimehmedi, u zgjodh Alim Rama. Ndërsa, Haxhimehmedi do e mbajë vetëm postin e anëtares së kryesisë së LVV-së.

Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm u zgjodh Arbërie Nagavci, aktualisht edhe ministre e Arsimit në Qeverinë Kurti 2, e cila më parë mbante pozitën e anëtares së kryesisë.

Posti që nga sot e tutje do ta mbajë Nagavci deri më sot ishte i Hydajet Hyseni Kaloshi.

Në pozitën e zëvendëskryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm u emërua Boiken Abazi.

Dejona Mihaili dhe Arlind Manxhuka nuk u zëvendësuan, atyre as nuk iu ndërruan pozitat që mbanin deri më sot.

Kjo e para deri më sot mbante pozitën e Koordinatores së Komiteteve, e për këtë pozitë Mihaili është zgjedhur që ta mbajë edhe për katër vitet e ardhshme.

Edhe Manxhuka në katër vitet e ardhshme do e vazhdojë pozitën e Drejtuesit të Sekretariatit për Media dhe Komunikim.

Drejtues i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare u zgjodh Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në listen e anëtarëve të tjerë të kryesisë që u votuan sot e që ishin edhe në kryesinë të kaluar të LVV-së janë Arben Vitia, ish-kandidat për kryetar të Komunë së Prishtinës, Arbër Zaimi, Elvis Hoxha, Fitore Pacolli, deputete nga radhët e LVV-së, Mytaher Haskuka, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit, Tinka Kurti, deputete nga radhët e LVV-së dhe Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme.

Në krahasim me listën e vjetër të anëtarëve të kryesisë së LVV-së, listës së re në këtë pozitë iu shtuan Alban Hyseni (Kryetar i Gjilanit), Hekuran Murati (Ministër i Financave, e Saranda Bogujevci (nënkryetare e Kuvendit të Kosovës).

Ndërsa jashtë kësaj liste mbetën Liburn Aliu (Ministër i Infrastrukturës), e Arbër Rexhaj (Deputet) që në Kryesinë e kaluar mbanin pozitën e anëtarëve.

Kujtojmë që para disa ditëve u mbajtën zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, ku në krye të saj u rizgjodh Albin Kurti, njëherësh kryeministër i Kosovës.

Kurti mori 98.60 për qind të votave për të mbajtur pozitën e Kryetarit të Vetëvendosjes.

Në pozitën e Kryetarës së Grave në LVV u zgjodh Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa në atë të Kryetarit të Rinisë u zgjodh Behar Jashari.

Gjatë fjalës së tij në në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i partisë, Albin Kurti tha se kanë pasur gjithmonë stabilitet në kryesinë e LVV-së.

“Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi patur stabilitet gjithmonë. Edhe në raste kur kemi patur përndjekje të padrejtë si opozitë që kemi qenë, edhe në rastet kur kemi patur sabotime, kemi arritur gjithmonë të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet, dhe të ecim përpara sipas mandatit e me përgjegjësi të plotë. Jam i bindur se edhe kryesia e re, që do ta zgjedhim këtu së bashku sot, do të ecë përpara me punë, përgjegjësi e sukses, për një mandat të plotë katër vjeçar” – tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje është partia më e madhe në vend, pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021, fitoi mbi 50 për qind të votave, duke formuar për të formuar më pas qeverinë.