KRU Hidrodrini, Foto: Facebook

Kunata e asamblistit të LVV-së punësohet në KRU “Hidrodrini”

Motra e gruas së asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Berat Ganiqi, është punësuar në pozitën e inspektores në ndërmarrjen publike KRU “Hidrodrini” në Pejë.

Deniza Zatriqi është njëra nga dy inspektorët e përzgjedhur në konkursin në të cilin janë gjetur shkelje e është gjobitur KRU “Hidrodrini” nga Inspektorati i Punës.

Përveç kësaj, për zgjedhjen e Zatriqit si inspektore është ankuar Agron Lajqi, bashkëpartiaku i Berat Ganiqit, i cili kishte aplikuar për të njëjtën pozitë.

Ai pretendon se bashkëpartiaku i tij, Berat Ganiqi, ka ndikuar në punësimin e motrës së gruas së tij, Deniza Zatriqit.

“Duhet cekur se favorizimet ishin bërë nga jashtë dhe nga brenda vetë kompanisë “Hidrodrini”. Favorizimet ishin edhe politike por më shumë lidhje familjare, Berat Ganiqi për Deniza Zatriqin” – ka pretenduar Lajqi.

Berat Ganiqi, asamblist i LVV-së në Pejë, e ka pranuar se kunata e tij është pranuar në pozitën e inspektores në “Hidrodrini” por ai e ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e saj.

“Po, është motra e gruas time, por këta palët që janë anku është mirë me këqyrë kur ka konkuru gruaja ime më herët e s’është pranu, çfarë ka ndodhë. Është mirë me këqyrë kur ka konkuru kjo, Deniza, është mirë me këqyrë qysh ia kanë anulu konkursin edhe pse është pranu a po kupton” – është përgjigjur Ganiqi për KALLXO.com.

Asamblisti i LVV-së në Pejë, Berat Ganiqi, shtoi se Deniza Zatriqi ka të përfunduar shkollimin ndërsa ka thënë se nuk është takuar me askënd nga menaxhmenti në KRU “Hidrodrini” për të ndikuar rreth punësimit të saj.

“Si kam me ndiku, ndikimi im zero është, Deniza me master është, e shkollume d.m.th. Në një garë të barabartë për mu cilido që pranohet, le të pranohet. Ata kanë të drejtë me u anku, me pasë pretendime po edhe unë mundem me iu ofru çdo fakt që Berati as kurrkënd prej menaxhmentit nuk e ka taku për rastin e Denizës” – ka përfunduar Ganiqi.

Kunata e Berat Ganiqit, tashmë e punësuar si inspektore në KRU “Hidrodrini”, Deniza Zatriqi, ka thënë se nuk ka ndikuar burri i motrës së saj që ajo të pranohet dhe se i ka plotësuar kriteret e konkursit.

“Po, unë i kam plotësuar të gjitha kriteret. E kam përfunduar Fakultetin Ekonomik, edhe masterin. Kam edhe përvojë pune, kam punuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Agjencinë e Statistikave të Kosovës” – ka thënë Zatriqi përmes telefonit për KALLXO.com.

Ajo ka pretenduar se po sulmohet nga kandidatët e tjerë vetëm pse është grua. 

“Po ankohen për mua vetëm pse jam grua dhe kjo po me pengon shumë” – ka deklaruar tutje ajo.

Se nuk ka pasur ndikime politike për punësimin e Deniza Zatriqit ka thënë edhe kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes KRU “Hidrodrini”, Dri Cena.

“Unë lidhje s’kam me parti, jam tu u marrë me anën profesionale me i rregullu disa probleme si ndërmarrje, kemi humbje. Ankesa është e drejtë e gjithkujt me u bë por nuk është fort relevante dhe serioze ankesa” – ka thënë Cena për KALLXO.com.

Me pretendimin se kandidatët e përzgjedhur në konkursin për inspektor nuk i kanë plotësuar kërkesat e konkursit, bashkëpartiaku i Berat Ganiqit nga Lëvizja Vetëvendosje, Agron Lajqi, bashkë me disa kandidatë të tjerë ishin ankuar në KRU “Hidrodrini”. 

“Arsyeja e ankesës [te Komisioni i Ankesave te KRU “Hidrodrini”] ka qenë se janë përzgjedhur kandidatët sipas konkursit për vendin e punës inspektor, që nuk plotësojnë kriteret e konkursit, si kriterin e përvojës së punës, kriterin e përgatitjes shkollore, të kërkuar me konkurs, në shkrimin e shpalljes së rezultateve mbi përzgjedhjen e kandidatëve personi që nuk ishte pjesë e Komisionit të konkursit, publikimi i rezultateve të përzgjedhjes në ditën e shtunë pas orës 19:00 dhe shkeljeve të tjera” – thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës të datës 16.02.2024.

Kjo ndërmarrje ua kishte refuzuar si të pabazuara ankesat kandidatëve për dy pozitat e shpallura për inspektorë. Pas kësaj, ata janë ankuar edhe në Inspektoratin e Punës.

“Unë jam pjesë e LVV-së në Pejë, po mund të them që këtu po punësohen për shkak të lidhjes familjare më shumë sesa për shkaqe të partisë” – ka thënë Agron Lajqi për KALLXO.com.

Gjobitja e KRU “Hidrodrinit” nga Inspektorati i Punës

Më 12.02.2024, Inspektorati i Punës kishte inspektuar KRU “Hidrodrinin”. Në vendimin e Inspektoratit të Punës, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet që ndërmarrja publike KRU “Hidrodrini” është gjobitur me 1 mijë euro gjobë për shkelje në konkursin për dy pozita për inspektorë. 

“Për shkak se ka përzgjedhur kandidatin që nuk e ka përgatitjen profesionale që kërkohet me konkurs dhe nuk e ka përvojën e punës në profesion që kërkohet në konkurs” – thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës që mban datën 16.02.2024.

Sipas Inspektoratit, në diplomën e kandidatit, përgatitja profesionale është Bachelor i shkencave informatike të aplikuara në biznes dhe nga gjendja e Trustit nuk mund të vërtetohet përvoja e punës në profesion të kërkuar. 

“Këtu mendohet se kur kërkohet përvoja e punës gjithë mendohet përvoja e punës në profesionin që kërkohet e jo në profesione të tjera” – thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike KRU “Hidrodrini”, Dri Cena, e ka pranuar që ndërmarrja që ai drejton është gjobitur nga Inspektorati i Punës, por ai ka thënë se do të bëjë ankesë në shkallë të dytë.

“Po, e kemi pranu dhe jemi duke e përgatitë një ankesë sepse nuk po mendojmë që janë në rregull ato vërejtje të Inspektoratit, nuk qëndrojnë. I kanë, i kanë krejt (përvojën e punës dhe kualifikimet), po i kanë” – ka deklaruar Cena për KALLXO.com.

Në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në afat prej 30 ditësh që nga dita e marrjes së këtij vendimi [16.02.2024] por që ankesa ndaj këtij vendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Konkursi për dy pozita të inspektorëve në KRU “Hidrodrini” ishte shpallur më 24.11.2023. Në këtë konkurs kishin aplikuar tetë kandidatë. Pas testit me shkrim dhe me gojë, më 30.12.2023 ishin publikuar rezultatet e konkursit. Kandidatët e përzgjedhur ishin Deniza Zatriqi dhe Genc Syka.