Foto: Freepik

Kompania publike nga Peja përdor kamera të ndaluara, konstatohen parregullsi

Kompanisë së Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë i është ndaluar përdorimi i kamerave biometrike, të cilat ishin vendosur për të regjistruar hyrjen e punëtorëve.

Kamera biometrike është pajisje e cila përpunon të dhëna të fytyrës dhe trupit të njeriut dhe pas marrjes së të dhënave i regjistron ato për t’i identifikuar njerëzit. Kjo teknologji mundëson që nëpërmjet pamjeve të identifikohet nëse një njeri ka kaluar në një vend apo zonë të caktuar.

Mirëpo sipas ligjit, kamerat e tilla janë të ndaluara për t’u përdorur përpos nga institucionet e sigurisë. 

Agjencia për Informim dhe Privatësisë kishte kuptuar se për regjistrimin e vijueshmërisë, përkatësisht hyrje-daljeve të punonjësve, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë deri vitin e kaluar kishte përdorur pajisje të cilat grumbullonin të dhëna biometrike përkatësisht identifikonin tipare të fytyrës, gjë e cila u konstatua si rreptësisht e ndaluar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Konstatimi i kësaj shkelje kishte pasuar me obligimin “Hidrodrinit” që të ndalonte këtë praktike në të gjitha njësitë operative të saj si dhe të fshijë dhe shkatërrojë të gjitha të dhënat biometrike të grumbulluara deri tani përmes saj.

Agjencia kishte rënë në gjurmë të kësaj praktike të palejueshme pasi kishte pranuar ankesë nga një punonjës, në të cilën është shpjeguar se KRU “Hidrodrini” ka të instaluara pajisje që bëjnë identifikimin e tipareve të fytyrës gjatë regjistrimit të tyre në hyrje-daljeve nga puna.

Gjatë inspektimit u konfirmua se “Hidrodrini” kishte pesë njësi operative, ku gjithsej ishin të vendosura nëntë pajisje.

Aplikacioni i cili përdoret me këto pajisje quhet “CrossChex”, i cili është sistemi i verifikimit të identitetit të personelit, kontrollit të qasjes dhe menaxhimit të frekuentimit të kohës. Pajisjet e përdorura, bëjnë identifikimin e subjektit të të dhënave përmes tipareve të fytyrës.

Agjencia ka treguar se këto pajisje ishin instaluar në vitin 2020 dhe kishin përpunuar të dhëna për rreth 230 punëtorë. “Hidrodrini” nuk kishte marrë pëlqim në asnjë formë nga punonjësit për to dhe nuk i kishte informuar në mënyrë të duhur me shkrim lidhur me të drejtat e tyre.

Gjithashtu, sipas të dhënave të poseduara nga Agjencia, del se kompania publike nuk kishte aplikuar për marrjen e autorizimit për përpunimin e karakteristikave biometrike, ashtu siç parashihet me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Inspektimi i kryer nga Agjencia rezultoi jo vetëm me përcaktimin se ishin grumbulluar dhe ruajtur kundërligjshëm të dhëna personale. Sipas kuptimit të definicionit ligjor se e dhënë personale është çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm, por për më tepër kishte të bënte me të dhëna biometrike të cilat po ashtu janë të gjitha të dhëna personale por që rezultojnë nga një përpunim specifik në këtë rast të  karakteristikave fizike.

Të dhënat biometrike ligji i konsideron të dhëna të kategorisë së veçantë, të cilat, për nga natyra, janë veçanërisht të ndjeshme në lidhje me të drejtat dhe liritë themelore dhe meritojnë mbrojtje specifike, pasi konteksti i përpunimit të tyre mund të krijojë rreziqe pikërisht për këto të drejta.

Agjencia e ka ndaluar këtë praktikë duke u bazuar në nenin 8, paragrafin 1, të LMDhP-së, ku përcaktohet se përpunimi i të dhënave personale që tregojnë origjinën racore ose etnike, bindjet politike, bindjet fetare ose filozofike, anëtarësinë në bashkimet profesionale, si dhe përpunimi i të dhënave gjenetike, të dhënave biometrike për qëllimet e identifikimit të një personi fizik, të dhënat në lidhje me shëndetin ose të dhënat në lidhje me jetën seksuale ose orientimin seksual të një personi fizik është i ndaluar.

Gjatë procesit të vendimmarrjes Agjencia ka bërë një balancim të interesave të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini2 ndaj interesave apo të drejtave dhe lirive themelore të punonjësve, dhe ka vërejtur se me identifikimin e tipareve të fytyrës interesi i së parës ka mbizotëruar ndaj interesit apo të drejtave dhe lirive themelore të të dytëve.

Ky fakt ka vulosur bindjen tek ky organ i pavarur shtetëror se grumbullim respektiv i të dhënave është i tepërt, nuk është proporcional, i cili mund të arrihet edhe me mjete më të lehta dhe pa shkelur kufijtë e lirive dhe të drejtave të punonjësve.

Këtë vendim të Agjencisë ka vendosur të mos e sfidojë “Hidrodrini”. Në përgjigjen e tyre zyrtare ata kanë treguar se e kanë zbatuar në tërësi dhe brenda afatit vendimin e Agjencisë.

“Tashmë janë regjistruar kartelat (RFID Tag) për të gjithë punëtorët dhe janë vendosur të gjitha parametrat e nevojshme në të gjitha pajisjet, pas asgjësimit të atyre paraprake” – është shprehur zëdhënësi i kësaj kompanie Fitim Behluli, në pyetjen se çfarë praktike po aplikojnë pas vendimit për ndërprerje të të vjetrës. 

“Ato (kartelat e reja) nuk e fotografojnë fytyrën, bëhet fjalë për kod kartela personale, me një tik verifikohet” – ka qartësuar më tutje ai.