Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Ikni trima se po vjen mbretnesha’

Një hierarki figurash mbretërore çdo ditë zë dy tavolinat e drurit të vendosura afër rrjedhës së ujit të fontanës në lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë.

Nën britmat e disfatës e të triumfit, të moshuarit e rajoneve të ndryshme në Kosovë, çdo mesditë mblidhen e kalojnë kohën duke luajtur shah, nën hijen e pemëve.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pa baste mes vete, me katër kuti shahu mbi dy tavolinat drejtkëndëshe e duke pritur në rend për të luajtur me njëri-tjetrin, të moshuarit kanë arritur të krijojnë një pikëtakim në të cilin përpos që luajnë shah, qajnë edhe hallet e pleqërisë.

Për 89 vjeçarin nga Tropoja, Abedin Hoxha i cili nuk ka as katër muaj që është zhvendosur për të jetuar në Prishtinë, integrimi në shoqërinë e shahistëve nuk ka qenë i vështirë, përkundrazi i ka ndihmuar t’i tejkalojë mërzitë e tij.

Edhe pse nuk luan shah, por e shijon lojën e miqve të tij, Hoxha thotë se qëndrimi në një vend të tillë e me shokë të moshës së tij i ka ndihmuar tejmase që në pleqëri të adoptohet me një vend të ri jetese, gjë të cilën nuk e kishte paramenduar ndonjëherë.

“Vijë rri me këta shokët. Nuk është që luaj por i këqyri shokët t’u lu edhe e hjeku mërzinë. Sa rri vet ma mirë me ardhë me shokë”, tregon ai.

Historia e 89 vjeçarit nga Tropoja është e dhimbshme. Atë në Kosovë e ka sjellur mërzia.

I mbuluar me rrudhat e pleqërisë, të shtuara edhe prej mërzisë, ai kishte vendosur të vijë e të jetoj në Prishtinë te vajza e tij, pasi që i kanë vdekur dy djemtë, bashkëshortja dhe gruaja e djalit.

“Njerëzit mendojnë që jam i fortë por mundohem me shty qishtu”, shprehet Hoxha.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Njeri mendon që pleqninë e çon mirë në vendin e tij. Tash kur kam ardhur këtu po e shoh që edhe këtu si me qenë në Tropojë. Rrallë ka aq mirë si këtu ku luhet shah. T’u i kqyr t’u lu e t’u folë e hjeku mërzinë se vetë nuk luaj aq veçse kam luajtur para shumë kohe”, thotë ai i emocionuar.

Përderisa, Hoxha shpaloste hallet e tij, të tjerët shtyheshin se shahistët e cilit rajon e luajnë më mirë shahun. “Vushtrria luan më së miri, krejt dyjeja e dinë” thonin njëra palë, “Drenica e mban frontin” ia kthente pala tjetër, e disa tjerë pajtoheshin me fjalinë se “Drenica kanë qef me ditë e Vushtrria dinë me lujtë shah”.

Megjithatë, Ismet Maloku nga Stanofci i Vushtrrisë i cili konsiderohej si një ndër shahistët më të mirë në mesin e tyre, sa herë që vjen në Prishtinë afrohet tek Fontana për të luajtur shah.

Ndryshe nga Hoxha që pleqërinë po e shijon në Prishtinë, 62 vjeçari po planifikon të largohet nga Kosova për të jetuar tek fëmijët e tij në Gjermani.

“Unë kam dashtë e ëndërru që me jetu pleqninë në Kosovë, në liri, e kam ëndërru me jetu me fëmijë e me mbesa. Atëherë kam thënë ishalla vjen liria e shijoj pleqëninë e nuk dojmë as me hanger as me pi. E tash jam t`u dashtë me shku në shtet tjetër. Ma me qef pleqninë e kisha kalu këtu t’u lu shah”, tha i dekurajuar Maloku.

Me më shumë se 20 vite përvojë në shah, lojë të cilën e kishte përforcuar edhe me klubin “Shqiponjat” të cilin para shumë vitesh e drejtonte, ai thotë se shahu i ka ndihmuar në jetë edhe pse fitim financiar prej tij nuk ka pasur.

“Unë e kam pasë klubin e Shqiponjave, por ma nuk e kemi. Jemi kanë shahistat më të mirë dhe pse si kemi pas kushtet aq. Një shah e kemi pas. Fitim nuk kemi pas, veç prej dëshirës”, tha ai.

62 vjeçari thotë se kohën që para shumë vitesh e kanë çuar duke luajtur shah nëpër oda e kanë rikthyer duke luajtur shah tek Fontana.

“Na nuk vëmë baste e as nuk lidhemi me diçka veç luajmë për qef. E sa për lojtarë të shahut, Vushtrria i ka lojtarët e shkëlqyeshëm, krejt e dinë”, tha ai.

Por, ndryshe nga Maloku dalin të jenë shahistët nga rajoni i Drenicës, të cilët me rezistencë shpreheshin që Skenderaj dhe Drenasi njihen për shahistë të denjë.

‘Sharaci’ i shahistave, ashtu siç edhe e quanin shokët e tij Aziz Sallahun nga Krasaliqi i Skenderajt thotë se në qoftë nevoja edhe ditët e fundit të jetës i shpenzon duke luajtur shah nën hijen e pemëve.

Sallahu i cili ka shumë vite që jeton në Prishtinë, konsiderohet nga shoqëria si i moshuari që shahun e merr më seriozisht sesa jetën.

Kolegët e Sallahut treguan që të gjithë shoqëria që nga fëmijët e deri tek moshatarët e tij e quajnë ‘sharac’ shkaku i seriozitetit të tij gjatë lojës.

“Nervoz bahem shpesh t’u lu, po stres nuk kam se unë moti ia kam nis me lu shah. I ka ma shumë se 50 vjet. Po çka me ba, humbjen hiç nuk e du”, tha i nervozuar Sallahu pas disfatës që pësoi nga bashkëqytetari i tij.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Duke mbledhur figurat e shahut të cilin me rend e marrin në shtëpitë e tyre për t’i sjellur përsëri të nesërmen, të moshuarit u ankuan për dëmtimet dhe vjedhjet që iu kanë bërë dhe iu bëhen vendit të tyre.

Ndërkaq, ish-profesori i fizikës, Hajrush Emini nga Prishtina i cili i ka ndërtuar dy tavolinat dhe karriget ku luajnë shah, po ankohet që qytetarët po ia shkatërrojnë hapësirën ku ata që kalojnë shumicën e kohës.

“Që dy vite unë gjithë e fshij këtë vend. Vazhdimisht e kam fshi, e ujitsha krejt këtë pjesë. Vijnë rinia pinë cigare, hanë bukë e lanë qashtu vendin”, tha ai.

Mbi tavolina të shahut gjendet një dollap, në të cilin shahistët gjithmonë e kanë ruajtur shahun. Por, pasi që disa herë po supozojnë se iu ka vjedhur, ata detyrohen t’i marrin kutitë e shahut në shtëpi.

 “Shahu është lojë me tru. Edhe librat edhe shahu më kanë ndihmu me mbajtë në mend”, tha Emini, përderisa shpjegonte leksionet që e ka marrë nga leximi i librave të tij të preferuar.

“Shahu është lojë nga jashtëtokësorët. A e dinë pse se në të njëjtën kohë është lujt në krejt kontinentet? Po flas çka kam lexu. Në të njëjtën kohë është lujt edhe në Azi, Afrikë edhe Evropë, atëherë nuk ka pas satelitë për me përhapë këtë lojë. Nuk ka pas mundësi me u lujt në të njëjtën kohë”, tha ai.

Ai tha që prej moshës 22 vjeçare luan shah, e këtë traditë e ka vazhduar edhe tash me shokët e tij.

“Nuk ka nevojë me kanë burrë i mirë me ditë me lu shah duhet me kanë shahist i mirë”, thoshte ai.

Në anën tjetër, Riza Veselaj nga Katuni i Ri i Pejës, i cili ka 35 vjet që jeton në Prishtinë tha që pensionin e tyre e kanë ndarë që ta rregullojnë vendin ku ata e kalojnë shumicën e kohës së tyre.

Sidoqoftë 68 vjeçari thotë se për ta rregulluar pamjen e këndit të shahut secili nga shahistët i ka ndarë nga 5 euro nga pensioni i tyre nga të cilat e kanë improvizuar vendin me dërrasa nga dyert e banesave.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ka 5 euro i kemi qitë edhe e kemi rregullu qishtu këtë vend. Vet krejt i kemi bo. Ka dy euro i kemi dhënë me ble shaha. Tjetrën herë i kemi dhënë ka 5 euro me i rregullu tavolinat. Komuna nuk ka vakt me u merr me neve. Na me atë pension që e kemi vetë i bëjmë. Asgjë absolut Komuna nuk na ka ndihmuar”, tha i dëshpruar Veselaj.

Megjithatë, Veselaj rrëfeu historinë e tij se si ka filluar të luaj shah në fillet e rinisë së tij dhe si e vazhdon pasionin e tij edhe përgjatë pleqërisë. Sipas tij, loja e shahut e ka ndihmuar shumë për kujtesën.

“Baba jem në vitin 1952 u kanë ushtar edhe kish pas mësu me lu shah në ushtri. Pastaj, jeta e tillë dhe nuk ka pas ma mundësi me lu se obligimet familjare. Pas shumë vitesh, kur u rrit djali i mixhës 3-4 vjet ma i madh se unë, e u ardhë prej ushtrisë e ka vetë baben tem a lujmë shah. S`kena pas at’herë, tani e blejtëm nja të ri”, rrëfeu ai.

Veselaj tregoi që shah ka filluar të luaj prej moshës 15-16 vjeçare, pak vite para se të nisej për në ushtri.

“T’u i kqyr ata t’u lu jam mësu vet edhe i mujsha tani. Më thojshin hajt se lunë kur kthehesh prej ushtrisë, nuk më lejshin. Pastaj jam mësu vet edhe i mujsha edhe ata pse më bojshin hile”, rrëfeu Veselaj përderisa i koncentruar kryente lëvizjet mat ndaj kundërshtarit të tij.

‘Shah-mat tarashamat’, ‘sharac’, ‘matushka, ‘ikni trima se po vjen mbretnesha’, ‘i humbe delet’ (ushtarët), janë vetëm disa nga fjalët vetëkombinuara që i përdorin shahistët gjatë lëvizjeve që i bëjnë duke luajtur një lojë shahu.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Herë me intonacion të lartë e herë më intensitet të ulët, e herë edhe me britma, me anë të këtyre fjalëve-strategji arrijnë të merren vesh mes vete për rrjedhën e procesit të lojës. Pas përfundimit të lojës edhe pse nuk e pranojnë humbjen ata ia zgjasin dorën njëri-tjetrit dhe qerasin me nga një kafe.