Në tenderin për dhurata të Zveçanit edhe libri ku Kosovës i referohet ‘Kosova i Metohije’

Duke u thirrur në Ligjin për Prokurimin Publik, Komuna e Zveçanit njoftoi për tenderin për dhurata për të cilën parashikoi kontratë deri në 15 mijë euro. Por, në mesin e tyre është edhe libri në të cilin Kosovës i referohet si “Kosova i Metohije”.

Javën e kaluar, Komuna e Zveçanit publikoi thirrjen për kontratë me titull “Prokurimi i dhuratës së korporatës”. Për këtë tender, komuna në fjalë parashikoi të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 15,000 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit, Komuna Zveçan përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter të dhënies, çmimi më i ulët.

Por çka konkretisht planifikon të blejë me këtë tender komuna?

Nga të dhënat e më poshtme të këtij njoftimit, në mes tjerash, evidentohet se komuna planifikon të blejë edhe librin ku Kosovës i referohet si “Kosova i Metohije

“Dhuratë e korporatave – 30 komplete, sipas specifikimit nga dosja e tenderit, shtojca 1 – Kuti prej druri me logon e gdhendur të komunës së Zveçanit – Libri i Endowment of Kosova and Metohija (botuesi Eparija Raško-Prizrenska) – Ikona e Shën Gjergjit në prerje druri – ditar lëkure me logon e gdhendur të komunës së Zveçanit – kuti tavoline – mbajtëse stilolapsi me logon e gdhendur të komunës së Zveçanit“, thuhet në njoftimin për kontratë.

Për më tepër lidhur me librin, siç ishte bërë e ditur në “e-Opstina severna Mitrovica”, me 17 dhjetor të vitit të kaluar, në Fakultetin Filozofik të Mitrovicës, u bë promovimi i librit të sipërpërmendur, për të cilën thuhet në media se në këtë libër kanë marrë pjesë teologë, publicistë dhe artistë serb. Sipas asaj që është raportuar në portalin Kossev.info,  në promovimin e librit, është thënë se ky libër është dëshmi e Kishës Ortodokse Serbe për ruajtjen e kulturës së saj shpirtërore dhe materiale në Kosovë.

Në anën tjetër, në muajin shtator të sivjetëm, në portalin Koha.net, bashkëpunëtori shkencorë i historisë në institutin e historisë “Ali Hadri”,  Bedri Muhadri kishte publikuar artikullin “Përvetësimi nga serbët i monumenteve mesjetare arbërore në Kosovë”, i cili ngjalli reagime edhe në Serbi. Në shkrimin e Muhadrit, në mes tjerash thuhet se monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Manastiri i Deçanit, i Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihal e Gabriel dhe Kisha e Zojës Prendë në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefanit në Mitrovicë, janë të moçme si për arbrit autokton.

Ndryshe, në muajin prill të vitit 2018, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mori pjesë në liturgjinë e pashkëve ortodokse në Manastirin e Banjaska pranë Zveçanit, me ç ‘rast dha mesazhe nacionaliste.

Në po të njëjtin vit, rreth shtatë muaj më vonë pas vizitës së Marko Gjuriq në Kosovës, respektivisht me datën 23 të muajit nëntor, në Rudare të Komunës së Zveçanit, një grup serbësh dolën në protestë duke bllokuar kështu rrugën që të dërgon në Jarinjë në shenjë proteste për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Për t`u rikthyer tek tenderët, edhe në të kaluarën kishte anomali në këtë komunë por të natyrës së përcaktimit të kritereve. Në vitin 2015, KALLXO.com raportoi se Komuna e Zveçanit kishte vendosur kritere diskriminuese në tenderët publik. Këmbënguli që kompanitë të cilat kanë përvojë pune në komunat veriore meritojnë të shpërblehen me kontrata publike. Kritere të tilla u konsideruan si “diskriminim territorial“.

Zveçani nuk e mbledh tatimin në pronë dhe leje ndërtimi por shteti i ndan buxhet

Komuna e Zveçanit, bën pjesë në mesin e katër komunave veriore të Kosovës të cilat hezitojnë t’a respektojnë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe atë të Lejeve Ndërtimore.

Qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj. Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu edhe në raportet e Ministrisë së Financave të Kosovës. Në raportin tremujor të 2020-ës thuhet se komunat veriore të Kosovës nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë.

“Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, dhe e Mitrovicës së Veriut nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë”, thuhet në raportin tremujor.

Një gjendje e tillë është edhe në raportet e më vonshme financiare të këtij dikasteri.

Në anën tjetër, bazuar në raportin e Auditorit, për vitin 2019, Komuna e Zveçanit pati një buxhet për ta shpenzuar në vlerën e 3,794,163 euro, ku sipas auditorit komuna arriti ta shpenzoj 57 për qind të buxhetit final apo 2,150,769 euro që paraqet një diferencë prej 1,643,394 euro. Në anën tjetër në raport me vitin 2018, auditori thotë se realizimi I buxhetit pati një përmirësim prej 7 për qind.

Ndërsa me projektbuxhetin për vitin 2021, i cili është ende draft, ka vlerën e 2,217,443 euro ku 1,482,406 euro pritet të shpenzohen për paga, pastaj 335,366 euro për investime kapitale, 284,671 për mallra dhe shërbime dhe subvencionet dhe transfere 85,000 euro ndërsa 30,000 euro për shpenzime komunale.