Komuna e Zveçanit Vazhdon të Diskriminoj Bizneset
Komuna veriore e Zveçanit ka përsëritur kriterin diskriminues në tenderët publik. Këmbëngul që kompanitë që kanë përvojë pune në komunat veriore të Kosovës meritojnë të shpërblehen me kontrata publike.
Kësaj komune i është tërhequr vërejtja nga Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) për kriterin e përdorur duke e konsideruar si ‘diskriminim territorial’.
Më 28 tetor 2015, AKK-ja i ka dërguar shkresë zyrtare Komunës së Zveçanit, përkatësisht Maja Popoviqit, menaxheres së Zyrës së Prokurimit duke iu thënë se wshtw shkelur ligji për prokurim publik në katër tenderë të shpallur në muajin tetor.
Në këta tenderë, komuna e Zveçanit ka kërkuar nga kompanitë që të kenë përvojë punë në veri të Kosovës, duke iu ofruar gjasa më shumë kompanive jo-shumicë në Kosovë.
Kjo komunë, megjithatë, ka përfunduar me tenderët ‘diskriminues’ përkundër rekomandimit tw AKK-sw qw të evitohet shkelja e ligjit tw prokurimit publik.
Mirëpo, komuna e Zveçanit e vazhdoi të njejtën edhe në një tenderë të ri të shpallur disa ditë pas vërejtjeve të Kundër Korrupsionit.
Në tenderin për asfaltimin e rrugës lokale në Zhitkovc, fshat në afërsi të Zveçanit, i shpallur më 13 nëntor 2015, vërehet përsëri kriteri diskriminues por kësaj radhe më ndryshe.
Me këtë veprim kjo komunë ka dëshmuar se nuk ka marrë për bazë vërejtjet nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Në thirrjet për aplikim, kriteri diskriminues nuk ekziston në gjuhën Serbe por ajo vazhdon të jetë tek thirrjet që janë në gjuhën shqipe.
“Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi bindëse tek Tenderuesi se qarkullimi i tij […] ishte jo më pak se 100.000 euro, dhe gjithashtu ka përvojë në punën me komunat veriore të Kosovës,” thuhet në thirrje të komunës.
Menaxherja e prokurimit, Maja Popoviq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se komuna ka larguar kriterin e tillë pasi që është këshilluar nga Agjencioni Kundër Korrupsion.
Popoviq tha se merr përgjegjësi vetëm për saktësinë e dokumenteve në gjuhën serbe dhe se përsëritja e kriterit në gjuhën shqipe nuk është në përgjegjësinë e saj. Përkthimi ishte bërë nga një koleg i saj në komunë.
“Në dosjen e tenderit shkruan se në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje mbizotëron versioni në serbisht,” tha Popoviq.
Avdyl Limani, ekspert prokurimi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik tha se komuna e Zveçan-it ka përsëritur gabimin e njëjtë si më herët.
“Kjo është në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së dhe mospublikimi i njëjtit kriter edhe në gjuhën serbe paraqet diskriminim të dyfishtë,” tha Limani për Gazeta Jeta në Kosovë.
Neni 7 i LPP-së thotë: “Autoriteti kontraktues nuk do të krijojë ose imponojë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë në diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomik” thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Kritere të kësaj natyre kjo komunë kishte kërkuar edhe në katër tender të mëhershëm dhe Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) i kishte rekomanduar komunës që të marrë hapat e nevojshëm për evitimin e shkeljeve të lartcekura dhe të vazhdojë në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar më herët në lidhje me kriteret e kësaj natyre në aktivitetet e mëhershme të prokurimit në Komunën e Zveçanit.