Të akuzuarit Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, seanca 24.01.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.COM

'Më ka nxjerrë nga zyra me sigurim' - Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin për keqpërdorimet në AShNA

Në Gjykatën e Prishtinës, sot në gjykimin ndaj Bahri Nuredinit dhe Driton Mehajt, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), u dëgjua rrëfimi i Bujar Ejupit në cilësinë e dëshmitarit.

Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë tender në mënyrë të kundërligjshme.

Bahri Nuredini për këtë vepër akuzohet në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të AShNA-s, kurse Mehaj akuzohet në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA.

Sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Dëshmitari Ejupi rrëfeu para gjykatës se kishte qenë zv/drejtor në AShNA, nga qershori i vitit 2016 deri më 16 gusht të vitit 2017, ku sipas tij ai ishte larguar dhunshëm nga zyra e tij dhe pa një vendim.

“Më kanë nxjerrë nga zyra me sigurim, në mënyrë të dhunshme, pa një vendim” – rrëfeu ai.

Ai tha se për këtë rast i ishte drejtuar prokurorisë me kallëzim penal ndaj tani të akuzuarit Bahri Nerudini për kanosje, por prokurori e kishte hedhur atë kallëzim poshtë duke e udhëzuar me padi në kontest civil.

Ai tha se ka tentuar të marrë përgjigje dhe informacione lidhur me projektin në fjalë, kurse kishte pasur dyshime se kishte diçka jashtë kornizave ligjore, meqë nuk ishin përmbushur detyrimet.

Ai tha kishin kërkuar ndihmë financiare nga thesari i shtetit për ta mbuluar borxhin që kishte mbetur ndaj kompanisë “TCN International”.

“Kemi kërkuar buxhet nga Thesari, nga Qeveria për pjesën e mbetur të projektit. Kemi thënë që kemi borxh ndaj një operatori, janë përgjigjur pozitivisht në kërkesën tonë buxhetore. Në rastin kur ne kemi pasur shpresë se buxheti do të realizohet ka ardhë njoftimi për shkëputje të kontratës” – tha Ejupi para gjykatës.

Ai dha dëshminë e tij edhe për transferimin e 130 punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke thënë se nuk pas pasur evidencë se si janë transferuar ata punëtorë.

“Nuk ka pasur evidencë qoftë listat kush janë transferu ose kushtet me të cilat janë transferu, ose vlera financiare e kostos për atë transferim. Kam kërku informacion nga struktura e Burimeve Njerëzore dhe drejtori, nuk kam marrë informacion” – shtoi ai.

Ai tha për projektin se asnjëherë s’ka thënë që është i dëmshëm.

“Të vetmin dyshim që e kam shpreh ka qenë pse nuk janë kry punët që është dashur të kryhen”- tha në fund të dëshmisë dëshmitari.

Dhënia e dëshmisë së tij do të vazhdojë në muajin mars të këtij viti.

Për këtë rast kishte dëshmuar edhe Bekim Jashari e Dhurata Hoxha.

Jashari kishte qenë i ftuar nga Prokuroria të dëshmojë në cilësinë e ish-kryetarit të bordit të drejtorëve të Aeroportit “Adem Jashari”. Ai tha se kishte marrë pjesë në mbledhjen e 64 të bordit të datës 15.7.2011, ku në rend dite kishte qenë transferimi i 130 punëtorëve nga ANP te kompania “Limak”.

Sipas tij, nga një analizë financiare ka dalë që nga ky transferim janë kursyer rreth 1 milion euro të buxhetit.

Ai kishte thënë se ndihet mirë për këtë marrëveshje pasi që të njëjtit punëtorë të transferuar janë ende në punë dhe mbajnë familjet e tyre si rezultat i kësaj marrëveshjeje.

“Nëse këta dalin fajtorë edhe unë jam fajtor sepse për gjithçka kemi qenë në koordinim, në bashkëpunim, kemi funksionu si familje”- kishte deklaruar Bekim Jashari, duke theksuar se sipas bindjes së tij kanë vepruar drejt lidhur me transferimin e këtyre punëtorëve te kompania “Limak”.

Dosja e Prokuorisë

Sipas dosjes së prokurorisë, kontrata ishte nënshkruar më 6 nëntor të vitit 2011, duke e ditur se kontrata për “rilokimin e sistemit ekzistues” ka qenë pjesë e kontratës të datës 12 shtator të vitit 2010.

Kontrata e re ishte lidhur mes komisionit drejtues ndërministror të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat dhe kompanisë “Limak Kosova International Aeroport”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e kishin futur rilokimin e sistemit ekzistues në tenderin e ri anipse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “Limak” në kontratën bazë.

Sipas aktakuzës, gjatë zbatimit të këtij projekti nuk janë ndërmarrë veprimet për shkëputje të kontratës ashtu siç parashihet me ligj për shkak të shkeljeve të kryera nga operatori ekonomik “TCN International” pasi që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 532 ditë në 1700 ditë.

Kurse për punët e papërfunduara nga kjo kompani, gjithnjë sipas aktakuzës, ASHNA kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik nga Italia “Leonardo” me titullin “rilokimi dhe azhurnimi” në vlerë 386 mijë euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit 2022.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania “Limak”, i dyti për sigurinë e këtij Aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty.
Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i kompanisë “Limak” për t’iu përgjigjur akuzave.