'Sa s'na ka marrë uji' e 'merr në qafë' Komunën e Ferizajt

Më 11 tetor 2023 Komuna e Ferizajt nënshkroi kontratë me kompaninë “Dini-T” për një pllakë betoni 50 metra katrorë.

Kjo procedurë e tenderimit ka edhe emërtimin interesant, “Sa s’na ka marrë uji”.

Ky emërtim i mbeti këtij tenderi në emër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe Minsitrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Për këtë kontratë Komuna e Ferizajt më 23 janar 2024 kërkoi që kompania të ndëshkohet për moskryerje të punimeve.

Kontrata u nënshkrua për ndërtimin e bazës ku do të vendoset një instalacion në formë të anijes.

Sipas Drejtorit të Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, projekti parashihet të ndërtohet në fshatin Tërrn të Ferizajt.

Hajdini tregon se në fillim pati vonesa për shkak se përcaktimi i vendit ka marr kohë, por që edhe pas vendosjes së vendit kompania nuk kreu punët për të cilat nënshkroi kontratën.

“Kompania është lajmëruar, por punën fillimisht shkaku i lokacionit nuk e ka filluar. Pasi që e kemi caktuar lokacionin, ka qenë vetëm njëherë. Duke na premtuar që shpejtë do të organizohet dhe do e përfundojë, duke e mirëkuptuar pasi që edhe ne e kemi vonuar në lokacion, nuk i kemi bërë presion. Mirëpo pastaj nuk është lajmëruar më. Kështu që kemi filluar me ndëshkim, në mënyrë që të reflektojë dhe të nisë punimet, në të kundërtën do të ndëshkohet deri në shkëputje të kontratës”- deklaroi Hajdini për Kallxo.com.

Alejdin Troni, menaxher në kompaninë “Dini-T” thotë se punimet u shtyen për shkak të kohës.

“Jam taku me kryetarin e fshatit por pastaj shkaku i kohës nuk kam mund me e kry. Është një pllakë betoni që ka me u bë, 20 metra me 2 e gjysmë. Kam qenë dy herë por nuk kam mund me e kry. Mua më ka kalu sepse e kam pas afatin tre muaj dhe tash është bërë ftohtë, tash ndoshta nëse ka kalu afati i kontratës edhe nuk mundem me e kry por nëse më jepet një mundësi e dytë e kisha kry sepse për mua ka punë vetëm dy ditë aty. Një vërejtje e di që ma kanë bërë shkaku që nuk kam mund me shku edhe me e kry”- deklaroi Alejdin Troni, menaxher në Dini-T.

Çmimi total i punëve sipas kësaj kontrate shkon në 1 mijë e 958.27 euro.

Këto mjete, sipas Drejtorit të Infrastrukturës në Ferizaj do paguhen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bazë të marrëveshjes.

Me kontratë parashihej që punët të fillonin 5 ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe të përfundonin brenda tre muajsh.

Që nga nënshkrimi i kontratës (11 tetor 2023) tanimë kanë kaluar më shumë se 3 muaj.

Në vërejtjen e datës 23 janar 2024 të Drejtorisë së Infrastrukturës, kjo Drejtori thotë se kompania nuk i përfilli thirrjet për kryerjen e punimeve dhe kërkohet ndëshkimi i saj nga Zyra e Prokurimit.