Komuna e Prishtinës: Kompania e kontraktuar në 2023 nuk ka kryer punime në pjesën e kulmit që ra

Komuna e Prishtinës ka deklaruar se kompania që kishin tenderuar në vitin 2023 për rikonstruktim të kulmit në objektin e ri në lagjen “Arbëria” , nuk ka kryer punë në pjesën e kulmit që ra gjatë ditës së enjte dhe si pasojë një 23-vjeçare mori lëndime të rënda.

Në një përgjigje për KALLXO.com, komuna theksoi se në atë pjesë nuk është intervenuar fare.

“Nga kontrata e realizuar e nënshkruar ne vitin 2023, janë kryer punët në rregullimin e komplet terasës si dhe janë kryer disa intervenime në pjesën e kulmit të pjerrët që i përket mbulimit të hapësirave të sallës. Në pjesën ku është bërë dëmtimi nuk është intervenuar fare nga kontrata e vitit 2023”- thuhet në deklarimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna më tej theksoi se kontrata për renovime në këtë objekt përfshinë vetëm 9.5% të punëve në kulm.

“Pjesa tjetër e pozicioneve kanë të bëjnë me renovimin e zyrave, klimatizimit, punë të dyshemesë, punë të plafonëve, rregullimi i nyjeve sanitare, rregullimi i rrjetit elektrik”.

Në janar 2023, Komuna kishte hapur tender për rikonstruksion të kulmit të ndërtesës pasi në kohë reshjesh kishte rrjedhje të ujit brenda objektit.

Komuna fillimisht kishte paraparë të ndajë 700 mijë euro për këtë ndërhyrje. Kontrata më pas ishte nënshkruar në muajin gusht me operatorin “NBT-ING” me bazë në Suharekë për rreth 400 mijë euro.

Sipas komunës, kontrata për renovime e nënshkruar në vitin 2023 është ende aktive dhe pranimi i punëve do të bëhet në përfundim të kontratës.

Objekti i ri i Komunës së Prishtinës është ndërtuar në vitin 2009.

“Kulmi është vendosur nga kompania e kontraktuar për ndërtimin e objektit te komunës se re”- bënë të ditur më tej komuna.

Komuna e Prishtinës thotë se nuk ka informacione se kush e ka bërë mbikëqyrjen dhe pranimin teknik të punimeve në 2009.

Derisa, drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica në një deklarim për media më 18 janar 2024 tha se ky nuk është rasti i parë që nga kulmi i këtij objekti bien pjesë.

“Gjatë kësaj kohë nuk kanë qenë duke u kryer punime, nuk ka pasur punëtorë”- u shpreh ai.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime. Derisa, edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama ka kërkuar të hetohet ky rast.

Kurse, për shkaqe sigurie, objekti i komunës do jetë i mbyllur.

Për rregullimin e kulmit që ra sot, Komuna e Prishtinës kishte dhënë tender më 2023