Ndërtimtari - Foto: KALLXO.com

Mungesa e kodit të ndërtimit dhe siguria e ndërtesave shumëbanesore

Në Kosovë për mbi 300 mijë objekte pa leje ka filluar procesi i legalizimit 20 vjet pas luftës, ndërsa deri në fund të muajit tetor janë bërë 1656 legalizime.

Ky proces është duke u zhvilluar duke u bazuar në pesë Udhëzime Administrative, të nxjerra nga Ministra e Mjedisit.

Edhe pse tashmë ka kaluar më shumë se një vit ende nuk ka ndonjë shifër të përgjithshme se sa nga këto objekte nuk i plotësojnë kushtet e ndërtimit dhe sa nga to janë objekte shumë banesore.

Ky numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndër vite është ngritur si shqetësim, jo vetëm për shkak të dëmtimit të infrastrukturës urbane, por edhe për shkak të sigurisë së qytetarëve, pasi që ndërtimet janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e organeve gjegjëse.

Më 5 shtator, 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës, ndërsa fushën e ndërtimit në Kosovë e rregullon Ligji për Ndërtim, i cili ligj e obligon Qeverinë që të miratojë edhe kodin unik shtetëror të ndërtimit.

“Ky ligj e obligon qeverinë që ta miratojë edhe një akt nënligjor i cili quhet Kodi unik i ndërtimit mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria edhe pse një version është hartuar nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar me komunat e Kosovës të cilat kanë deklaruar se Kosova nuk ka ndonjë kod ndërtimi, por të gjitha lejet për ndërtim jepen sipas Eurocode 8.

“Në Kosovë përdoren Standardet e kontrollit për tërmete sipas Eurocode 8, mirëpo i njëjti nuk është i rregulluar me Ligj. Në Kosovë përdoret/aplikohet studimi i tokës (Elaboratet Gjeomekanike të Trollit të Ndërtimit)”, thuhet në përgjigjen e komunës së Obiliqit.

Situata është e njëjtë në të gjitha komunat e Kosovës.

Njëjtë sikur Kosova edhe Sllovakia nuk ka një kod të ndërtimit, i cili do ta rregullonte fushën e ndërtimit.

Por shteti sllovak nuk ka Ligj të veçantë të Ndërtimit sikurse Kosova, ky shtet vepron me Rregullore të Ndërtimit, e cila është baza kryesore që e rregullon fushën e ndërtimit në këtë vend.

Sipas kësaj rregulloreje, nëse procedurat e ndërtimit janë duke respektuar standardet tekniko-konstruktive sipas Eurocode 8, ndërtimi është i sigurt në tërë territorin e Sllovakisë.

Edhe Polonia, fushën e ndërtimit e rregullon me një rregullore të inkuadruar në Ligjin e Ndërtimit të hyrë në fuqi në vitin 1994.

Përmes kësaj rregulloreje, Polonia vendos rregulla dhe norma mbi projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe prishjen e ndërtesave.

Në Poloni, sikurse në Kosovë, fushën e ndërtimit fillimisht e kishin lënë në fuqinë vendimmarrëse të nivelit lokal-komunave, por më pas hyrjes së Polonisë në Bashkimin Evropian, përgjegjësia kishte kaluar në qarqe, ndërsa i gjithë inspektimi i vend-punimeve bëhet nga inspektorat duke u bazuar në këtë rregullore.

Ndryshe nga Kosova, Sllovakia dhe Polonia kanë rregullore ndërtimi, ndërsa Republika Çeke dhe Hungaria kanë kode ndërtimi.

Republika Çeke ka kod të ndërtimit që nga viti 2006 dhe aktualisht është duke punuar në planifikimin e reformës së këtij kodi, i cili do të rregullonte edhe më tej inspektimin e vendeve të ndërtimit. Sipas këtij kodi (Kodi nr. 183/2006) rregullohet planifikimi urban në nivelin lokal, rajonal dhe kombëtar si dhe procesi i ndërtimit.

Hungaria ka kod ndërtimi që nga viti 1997 ndërsa ky kod ka rregullore të tjera nënligjore të cilat e rregullojnë këtë fushë. Në shtetin hungarez lejet për ndërtim duhet të merren vetëm për ndërtesa më të mëdha dhe jo për ndërtesa të vogla.

Edhe Hungaria, fushën e ndërtimin e rregullon sipas standardit të Eurocode 8 dhe nuk ka standard tjetër sa i përket sigurisë së ndërtesave nga situatat e paparashikueshme- tërmetet.

Në Kosovë ende nuk është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë e rrezikut nga ndonjë fatkeqësi natyrore.

Florim Grajqevci, profesor dhe dekan në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UP, tha për KALLXO.com se Universiteti i Prishtinës ka kuadro që mund të bëjnë vlerësimin e objekteve në rast të rrezikut nga tërmetet.

Grajqevci ka thënë se objektet në Kosovë i plotësojnë standardet Evropiane sepse përndryshe nuk do të mund të pajiseshin me leje ndërtimi.

Por, më tej profesor Grajqevci ka thënë se në Kosovë ka objekte të vjetra, të cilat kanë nevojë urgjente për ritrajtim.

“Ne kemi objekte shumë të vjetra që i takojnë spektrit individual por edhe publike, e të cilat kanë nevojë emergjente të ritrajtohen në aspektin sizmik. Këto nevoja janë shumë të mëdha, duke nisë nga Prishtina e në qytetet e tjera. Duhet vlerësim dhe është domosdoshmëri që duhet vlerësim për këto objekte”, tha profesori Grajqevci.

Sipas Regjistrit Kombëtar të Ndërtimeve Pa Leje, ku janë të regjistruara ndërtimet ilegale deri në shtator të vitit 2015, Prishtina ka numrin më të madh të ndërtimeve ilegale apo më shumë se 46 mijë. Në pesëshen e komunave më së shumti ndërtime pa leje hyjnë edhe Ferizaj e Gjilani me nga 32 mijë ndërtime ilegale, Prizreni me 27 mijë dhe Malisheva me 19 mijë sosh.

Ndërsa nga 15 mijë ndërtime ilegale janë evidentuar në Lipjan dhe Suharekë, nga 14 mijë në Drenas dhe Rahovec, 13 mijë në Pejë, nga 12 mijë në Dragash dhe Klinë, 11 mijë në Deçan, ndërsa komunat tjera më pak se 10 mijë ndërtime pa leje.

KALLXO.com raportoi javën e kaluar se shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar fatkeqësie natyrore.

Sipas Departamentit për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë përgjegjës për sigurimin e hapësirës së përshtatshme dhe adekuate si për zhvillimin e procesit mësimor në Kosovë janë rreth 60 shkolla të amortizuara që kanë dëmtime në strukturën e ndërtimit.

Në anën tjetër, janë vetëm 394 shkolla në Kosovë që kanë dalje emergjente, ndërsa nga këto shkolla, janë vetëm 165 shkolla që kanë shkallë emergjente.