MMPH nxjerr pesë udhëzime për legalizimin e 352 mijë objekteve

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor përmes një konference për media ka nxjerrë pesë udhëzime për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas ministrit Matoshi në Kosovë ekzistojnë 352 mijë objekte pa leje të tri kategorive të ndërtimit.

“Pas miratimit të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje nga Kuvendi i Kosovës, si ministri e mjedisit kemi hartuar pesë udhëzime administrative që dalin nga ky Ligj e cilat rregullojnë aspekte të veçanta të ndërtimeve pa leje në vendin tonë. Këto udhëzime administrative i kam nënshkruar të hënën e kaluar dhe sot janë botuar në gazetën zyrtare dhe zyrtarisht janë në fuqi. Pra, nga sot fillon trajtimi i 352 mijë e ndërtimeve pa leje, ku pjesa më e madhe të tyre që bënë pjesë në kategorinë 1 dhe 2 e për të cilat është përgjegjëse niveli lokal, kurse për kategorinë e 3-të është përgjegjës ministria e Mjedisit”, tha Matoshi.

Tutje Matoshi ka shtuar se ministria pas analizimit do të hartojë një listë të objekteve, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e e ndërtimit dhe më vonë do të vendoset për rrënimin ose jo të tyre.

“Ne do të bëjmë një listë me objektet që nuk i plotësojnë kriteret dhe më vonë do të vendoset se çfarë do të ndodhë me ato objekte, mund të jetë jo “fer” prej atyre qytetarëve të cilët kanë paguar taksa. Kategoria e parë dhe dytë e objekteve të banimit dhe bizneset do të merren komunat përkatëse ndërsa në kategorinë e tretë do të merret Ministria dhe kryesisht në këtë kategori hyjnë objektet e rëndësisë së veçantë dhe sipas këtyre kategorive do të trajtohen edhe objektet. Nuk do të ketë legalizim të objekteve të cilat nuk janë në përputhje me ligjet dhe kriteret e urbanizmit”, ka shtuar ai.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka ndonjë shifër se sa objekte nga këto 352 mijë nuk i plotësojnë kushtet e ndërtimit.