Marcos dhe Soldado: Të shtënat në Kolumbi që ndriçuan lidhjet e drogës me Ballkanin

BIRN i përafron orët e fundit të një serbi në shtëpinë një trafikanti të dyshuar të drogës në Kolumbi, duke ofruar një pasqyrë të shkurtër në thellimin e lidhjeve midis bandave ballkanike të drogës dhe shtetit të Amerikës së Jugut.

 

Shtatëdhjetë e një ditë pasi Dejan Stanimiroviç u gjet në një rrugë në Kolumbi, me gjakderdhje si pasojë e një plage të shkaktuar me armë në fytyrën e tij, eshtrat e serbit 45-vjeçar u varrosën në varrezat e shkërmoqura qendrore të Villavicencio, ku gurët e varreve zhyten në tokë dhe arkitektura e stilit kolonial kalbet në klimën tropikale të qytetit.

Stanimiroviç nuk vdiq në një lojë ruleti rus, siç pretenduan fillimisht raportimet e mediave.

Në fakt, mund të duket si një argument i paqartë i vendosur në një zinxhir të një serie konfuze ngjarjesh në departamentin Meta të Kolumbisë në juglindje të kryeqytetit Bogota natën e 31 marsit të këtij viti, në të cilën gjithashtu vdiqën dy oficerë policie dhe një trafikant i dyshuar i drogës.

Hetuesit thonë se një numër pyetjesh kyçe mbeten pa marrë ndonjë përgjigje, porse detajet e përmbledhura nga BIRN ofrojnë një paraqitje të shkurtër e të rrallë në veprimtarinë ballkanike të krimit të organizuar në shtetin e Amerikës së Jugut, një trend në rritje të cilin autoritetet po përpiqen ta kuptojnë.

“Nuk mendoj, duke pasur parasysh vendin ku ndodhi dhe mënyrën e vdekjes së tij, se ai ishte një turist”, deklaroi një anëtar i rangut të lartë të Policisë Kombëtare Kolumbiane i cili foli në kushte anonimiteti. “Ai nuk ishte këtu duke bërë ekoturizëm.”

‘Markosi” i heshtur 

Dejan Stanimiroviq

Stanimiroviç, i cili u rrit në Beograd dhe udhëhoqi një klub karateje në Spanjë, hyri në Kolumbi nga Ekuadori përmes Urës Rumichaca, diku në mes të muajit mars. Këtë herë, ai ishte vetëm.

Hetuesit që folën me BIRN thanë se shtetasi serb kishte vizituar këtë shtet më parë, ndoshta në muajin janar. Në nivel lokal, ai njihej me nofkën ‘Marcos’.

Sipas kolonel Gustavo Berdugo Garavito, komandant i Policisë Kombëtare Kolumbiane në Meta, Stanimiroviç udhëtoi 1000 kilometra në qytetin Meta të Guamal dhe shtëpinë e Jose Vicente Rivera Mendoza, i njohur si ‘Soldado’, ose Ushtari.

Rivera ishte një trafikant i dyshuar i drogës në Meta, ku Andet takojnë pjesën më perëndimore të një brezi të gjerë të savanës tropikale të njohur si Los Llanos, The Plains.

I ndodhur midis zonave të prodhimit të coca-s (bimë narkotike) në malet dhe xhunglat e jugut dhe lindjes së Kolumbisë dhe pikat e eksportit përmes Venezuelës, Los Llanos janë rrugë krysore për narkotikë dhe kontrabanda tjera dhe zonë e një fushëveprimtarie të gjërë për grupe ilegale dhe të armatosura.

Disa nga këto grupe i kanë rrënjët e tyre tek organizatat paraushtarake të mbështetura nga pronarë tokash të themeluara në vitet 1980 për të luftuar guerilasit e majtë të cilët ishin fuqizuar në pushtet përmes tregtimit të narkotikëve. Këta paramilitarë më pas u bënë trafikantë të mëdhenj droge dhe kriminelë të organizuar, dhe shumë nga lojtarët kryesorë në grupet e armatosura aktive sot, më parë ishin paramilitarë.

Si ish-anëtar i vjetër i Bllokut paramilitar Centaurs që operonte në Meta dhe departamentet fqinje, nikoqiri i Stanimiroviçit, Rivera, kishte refuzuar të merrte pjesë në një proces paramilitar të demobilizimit në Kolumbi midis viteve 2003 dhe 2006

Afërsisht në periudhën kur erdhi Stanimiroviç, Kolumbia mbylli kufijtë e saj për të kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe ai nuk ishte në gjendje të largohej. Ai rrallë u largua nga shtëpia e Riveras dhe mezi fliste me dikë.

Sipas hetuesve, Stanimiroviç flinte ditën dhe rrinte zgjuar natën, shpesh duke kaluar shumë orë në dhomën e tij para ekranit televiziv.

“Ai fliste vetëm me Soldadon,” tha një nga hetuesit, duke përdorur vetëm nofkën ushtarake të Riveras.

Njerëz tjerë në shtëpi i thanë policisë se Stanimiroviç fliste aq pak spanjisht saqë komunikimi i tyre i kufizuar shpesh ishte një anglishte e pakuptuar.

“Të gjithë deklaruan se ai ishte një djalë i qetë dhe i respektueshëm deri atë ditë,” më 31 mars, tha një nga hetuesit tjerë, që të tre folën në kushte anonimiteti.

Mosmarrëveshje vdekjeprurëse si rezultat i dehjes

Rivera dhe Stanimiroviç kaluan pasditen e tyre të fundit së bashku në shtëpinë e Riveras me familjen e tij, duke ngrënë drekë para se çifti të largohej për ta vizituar një fermë.

Ata që qëndruan prapa, thuhet se filluan të pinë aguardiente, fjalë për fjalë ‘ujë zjarri’, një pije alkoolike kolumbiane me aromë anise (bimë lule), zakonisht e gëlltitur me një të hedhur. Kur Rivera dhe Stanimiroviç u kthyen rreth orës 20:00, ata iu bashkuan gostisë me pije.

Sipas hetuesve, Stanimiroviç i tha grupit se ai zakonisht nuk pinte alkool sepse ishte me përshkrim ilaçesh që kishte të bënte me gjendjen e shëndetit të tij mendor. Jeta e tij e kërcënuar nga trafikantë rivalë, Rivera ishte në përgjithësi abstenues.

“Soldado ishte shumë i vetëdijshëm për sigurinë e tij, ai nuk u largua shumë nga ajo shtëpi, ishte shumë i kujdesshëm”, deklaroi një nga hetuesit.

Atë mbrëmje, megjithatë, dyshja me sa duket morën një vendim të pamenduar mirë paraprakisht, duke iu bashkuar gostisë për të festuar ditëlindjen e djalit të Riveras.

Grupi thuhet se luajti lojën ‘rrotullo shishen’ në të cilën secili lojtar duhet ta rrotullojë një shishe për të përcaktuar se kush do të pijë më pas.

Kjo mund të ketë qenë baza për raporte të hershme e të pasakta se Stanimiroviç vdiq gjatë një loje ‘ruleti rus’, në të cilën një lojtar vendos një plumb të vetëm në një revolver, rrotullon cilindrin, vendos grykën në kokën e tij dhe tërheq këmbëzën, duke shpresuar ai cilindër nuk është vendosur në tytën e revolverit.

Videoja përmes telefonit celular e bërë në vendin e ngjarjes tregon një numër pjesëmarrësish të dehur, duke u tallur me Stanimiroviçin dhe duke e quajtur atë ‘Ruso’, ose Rus.

Në një moment, diç më vonë atë mbrëmje, pasi ishte konsumuar shumë alkool, shpërtheu një grindje midis Riveras dhe Stanimiroviçit.

Sipas hetuesve, një deklaratë e dhënë për policinë nga djali i Riveras, Anderson Rivera Beltran, thotë se ai u largua nga dhoma për të shkuar në tualet dhe kur u kthye çifti po grindej për një telefon.

Është e paqartë se çfarë e shkaktoi grindjen, megjithëse disa besojnë se mund të ketë qenë diçka aq e parëndësishme sa një argument mbi përzgjedhjen e muzikës.

Djali u përpoq t’i ndante ata, thonë hetuesit, por Stanimiroviç nxori një pistoletë dhe i dërgoi që të dy, Riverën dhe djalin e tij në një dhomë gjumi në pjesën e përparme të shtëpisë, duke hapur zjarr tre herë pasi arritën në dhomë dhe duke vrarë Riverin.

Sipas hetuesve, kishte një përplasje midis Stanimiroviçit dhe djalit të Rivera, por nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se si u bë që Stanimiroviç përfundoi me një plumb në fytyrë.

“Serbi mori një peshqir dhe vrapoi në rrugë,” tha hetuesi. “Në kohën kur policia kishte arritur atje, ai kishte humbur shumë gjak dhe nuk mund të fliste”.

Lidhjet kriminale

Sipas raportit policor mbi incidentin të shkruar në orët e hershme të datës 1 Prill, Stanimiroviç u gjet, akoma i gjallë, përskaj rrugës disa minuta pas mesnatës nga dy oficerë duke iu përgjigjur raporteve të të shtënave me armë në zonë. Ata e gjetën atë të shtrirë në anën e tij të majtë, të veshur me pantallona të shkurtra ngjyrë të mbyllur, një xhup të kuq dhe sandale “të tipit croc (krokodil)”, me një peshqir blu “të vendosur në qafë” për të ndaluar gjakderdhejn nga një plagë në nofullën e sipërme.

“Ai u gjet me vetëdije, por nuk mund të shqiptonte një fjalë të vetme,” thotë raporti.

Policia ndoqi gjurmët e gjakut në shtëpinë e Riveras, ku dy oficerë u qëlluan për vdekje.

Disa orë më vonë, Stanimiroviç u shpall i vdekur në Spitalin Villavicencio.

Në masë të madhe, Stanimiroviç u raportua se ishte anëtar i rangut të lartë të grupit Ballkanik ‘Keka’, i kërkuar për shkak të akuzave për kokainë, thanë raportet, në Spanjë, Gjermani dhe Portugali. Megjithatë, autoritetet spanjolle i thanë BIRN se nuk kishin asnjë të dhënë për të. Autoritetet gjermane dhe portugeze nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN.

Në Kolumbi, ai ishte i panjohur për autoritetet, hyrja e tij e mëparshme në vend nuk shkaktoi shqetësim në kufi.

Sidoqoftë, policia thotë se rrethanat e vdekjes së tij japin indikacione të forta për krime dhe përfshirjen e mundshme në trafikun e drogës.

Sipas komandantit të policisë Meta, kolonel Berdugo, hetimi zbardhi një lidhje midis Riveras dhe Klanit të Gjirit (Klanit të Gjirit), pa dyshim një nga grupet më të fuqishme kriminale kolumbiane aktive sot. Kjo lidhje nuk është pranuar asnjëherë më parë nga autoritetet.

Lidhja e vetë Riveras me Stanimiroviçin, pra, mund të vërtetojë atë që dyshohet prej kohësh – që janë krijuar lidhje midis karteleve ballkanike dhe Klanit të Gjirit, duke e reflektuar praninë dhe fuqinë në rritje të grupeve ballkanase të drogës në Kolumbi.

“Grupe të caktuara nga Ballkani Perëndimor janë ngjitur lart në zinxhirin menaxhues në 20 vitet e fundit, nga hileçarë dhe korrierë të vegjël në shpërndarës kryesorë të drogave në rrjetet që shtrihen nga Amerika Latine në Evropën Perëndimore dhe Afrikën e Jugut”, thotë përmes një raporti të muajit korrik, Iniciativa Globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, GI – TOC.

Grupet kriminale ballkanike që vizitojnë Kolumbinë hapërojnë kujdesshëm, shkruan GI-TOC, duke udhëtuar pa bërë kontrabandë ose pa sasi të dyshimta parash, duke mbajtur profil të ulët dhe shumë rrallë duke qëndruar jo më shumë se një muaj. Ata shpesh udhëtojnë në grupe shumëkombëshe për të shmangur dyshimet dhe, kur është e nevojshme, përdorin dokumente false identiteti të kualitetit të mirë.

Sipas Felipe Tascón, ekspert mbi ekonominë e kokainës në Kolumbi, i cili ka punuar me shtetin kolumbian dhe Bashkimin Evropian për këtë çështje, mungesa e provave konkrete të veprimtarisë kriminale ballkanike në vend ka të ngjarë të reflektojë vetëm se sa efektivë dhe të disiplinuar kanë qenë kriminelët e Ballkanit duke mbajtur një profil të ulët, si dhe numrin relativisht të ulët të vizitorëve ballkanas krahasuar me operativët e tjerë të huaj kriminalë.

“Ne kemi dëgjuar shumë për një” invadim “të trafikantëve meksikanë që janë aktivë këtu në Kolumbi, me sa duket një numër shumë më i madh se çdo grup evropian, dhe megjithatë gjatë punës time në terren, të tillë si Tumaco, unë kurrë nuk kam takuar një meksikan apo madje nuk kam dëgjuar një meksikan duke folur,” tha Tascon.

“Prandaj nuk është e paarsyeshme të besosh se kombësitë e tjera mund të jenë këtu në numër shumë më të vogël duke mos u shpërfaqur publikisht”.

Konsfiskime të kokainës kolumbiane në Ballkan

Spitali lokal në Villavicencio

Para vdekjes së Stanimiroviçit, një nga individët me prejardhje ballkanike që më parë raportohej të kishte qenë i përfshirë në trafik të niveleve të larta të drogës në Kolumbi duket të ketë qenë Miro Niemeier Rizvanovic, alias ‘El Ruso.’

Si shtetas gjerman i lindur në Bosnjë, Rizvanoviç u arrestua me akuza të trafikimit të drogës në vitin 2016 por, thonë raportet, është marrë vesh me zyrtarët për ta lënë atë të lirë në arrest shtëpiak.

Ky veprim dyshohet se i mundësoi atij të vazhdonte operacionet e tij të trafikimit, duke përfshirë udhëtimin jashtë vendit duke përdorur dokumente të rreme Ekuadoriane dhe zhvillimin e kontakteve të trafikimit në Spanjë dhe Itali.

Megjithëse raportohet se ishte ende nën arrest shtëpiak, Rizvanoviç u arrestua në Itali në vitin 2017 dhe u dërgua përsëri në Kolumbi.

Një vit më vonë, duke mos iu ofruar ndonjë shpjegim se pse nuk ishte në arrest shtëpiak, Rizvanoviç u qëllua për vdekje në makinën e tij pasi doli nga një aheng në rajonin qendror të rritjes së kafesë në Kolumbi. Raportet e mediave lokale kanë spekuluar se ai u vra sepse u ofroi informacion autoriteteve italiane mbi Klanin e Gjirit.

Disa arrestime dhe sulme për drogë gjatë viteve të fundit sugjerojnë se shumëçka po ndodh midis Kolumbisë dhe Ballkanit.

Në vitin 2014, Mali i Zi arrestoi tre trafikantë ndërkombëtarë të armëve të dyshuar për komplot për tu shitur armë të rënda rebelëve të FARC në Kolumbi, të përcaktuar më parë nga SH.B.A. dhe Bashkimi Evropian si ‘terroristë’.

Në vitin 2018, policia shqiptare e bëri publik sekuestrimin rekord të 613 kg kokainë të pastër kolumbiane në një kontejner bananesh që vinte nga Amerika Latine.

Po të njëjtin vit, pesë persona u arrestuan – një në Kolumbi dhe katër në Spanjë – pas zbulimit të mbi një ton kokaine në një avion privat që qarkullonte midis dy vendeve. Midis të arrestuarve në Spanjë ishin dy pasagjerë shqiptarë, duke përfshirë kryebanditin e operacionit, Julián Deblini dhe një koleg shqiptar, Dritan Gradica. Ndërkohë, Lelio Nevardo Ávila Santana u kap në Kolumbi për lidhjet e tij me grupin, me mediat lokale që raportuan se ai punoi si pjesë e grupit Deblini, jo për një organizatë kriminale kolumbiane.

Pastaj në shkurt të këtij viti, si pjesë e një operacioni policor ndërkombëtar, policia në Maqedoninë e Veriut konfiskoi një kilogram kokainë kolumbiane në një fshat afër kryeqytetit, duke e përshkruar atë si “vetëm një pjesë” të një ngarkese që u fut nga Shqipëria fqinje.

Familja shpreson që Stanimiroviç është ende gjallë

Avokati Aleksandar Scekiç tha se familja Stanimiroviç në Serbi ende nuk ka marrë një konfirmim nëse ai ka vdekur apo është gjallë.

“Zyrtarisht nuk kemi marrë asgjë. Ata shpresojnë se ai është gjallë,” deklaroi për BIRN, Scekiç, avokati i familjes,.

“Ambasada [e Serbisë] në Uashington po përpiqet të marrë informacion nga Kolumbia.”

Scekiç gjithashtu tha se policia serbe dhe Interpoli ishin të përfshirë në këtë çështje. Ai kundërshtoi raportet se Stanimiroviç ishte i përfshirë në krim, duke thënë se ato ishin “të pasakta” dhe se familja nuk e kishte idenë se çfarë po bënte ai në Kolumbi.

Javier Ruiz Afanador nga Bogota dhe Ivana Nikoliç nga Beogradi kontribuan në këtë hetim.