Senati i Universitetit të Prishtinës

Mandati i dyshimtë i anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së

Në mbledhjen e 28 qershorit, në Senatin e Universitetit të Prishtinës, u zgjodhën pesë anëtarë të Këshillit Drejtues.

Me vota të fshehta, senatorët zgjodhën kandidatët Bedri Bahtiri, Zenun Halili, Alberta Troni, Kemajl Bislimi dhe Naser Kabashi.

Ky proces zgjedhor, nuk ishte lejuar që të zhvillohet në prani të kamerës së KALLXO.com, me arsyetimin se është ‘proces i ndjeshëm’.

‘Ndjeshmëria’ e këtij procesi, rezulton të jetë kandidatura e dy anëtarëve të Këshillit Drejtues, profesorëve Kemajl Bislimi dhe Alberta Troni, të cilët u rizgjodhën për herë të tretë.

Neni 19, pika 2 në Statut të UP-së, thotë se “Mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues zgjat tri vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat.”

Ndërkohë që këta dy anëtarë, tashmë kanë marrë mandatin e tretë.

Anëtari i Këshillit Drejtues, Kemajl Bislimi ka thënë për KALLXO.com se këtë pozitë e kishte marrë për herë të parë në vitin 2015 dhe se ai mandat kishte zgjatur vetëm disa muaj sepse ish-Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, kishte shpallur zgjedhje të përgjithshme në universitet.

Ai thotë se zgjedhjeve i ishin nënshtruar edhe Këshilli Drejtues dhe se përsëri ishte votuar në këtë pozitë.

“Nëse se ki mandatin e parë të plotë nuk të llogaritet ajo edhe ashtu, është rregull sepse ne e kemi konstatu paraprakisht me organet që të mos ketë ndonjë ndeshje eventuale dhe ata na kanë sygjeru që kjo nuk llogaritet mandat, prandaj tash që jemi zgjedhë ne jemi në mandatin e dytë. Ne kemi biseduar me sekretarin edhe anëtarët që janë përpilues, hartues dhe shqyrtues të Statutit të UP-së dhe na kanë sugjeru që ju mund të vazhdoni sepse nuk ka ndonjë shkelje procedurale”, ka thënë Bislimi.

Anëtarja e dytë e rizgjedhur për herë të tretë, Alberta Troni, ka pohuar për KALLXO.com se mandatin e parë e kishte marrë në vitin 2015.

Troni beson se mandati i anëtarit zgjatë katër vite dhe se mandati i dytë të cilin e kishte marrë pas zgjedhjeve të vitit 2016-të, përfundon me 1 tetor të vitit 2019.

“Këtë çështje mundeni ma mirë me e konfirmu në zyrën ligjore të rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Ata munden me ju jap interpretimin ligjor. Një mandat është katër vjeçar dhe mandati i parë përfundon në këtë vit. Mandati është katër vjeçar i Këshillit Drejtues. Faktikisht jam rivotu sërish në shkurt të vitit 2016 nëse s’gaboj”, deklaroi ajo.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli ka kundërshtuar rizgjedhjen për herë të tretë të këtyre dy anëtarëve, duke thënë se lista prej 21 anëtarëve konkurrues përmbante emra cilësorë, të cilët do të mund të jepnin kontribut për universitetin.

Sipas tij, interpretimi se mandati i parë i këtyre anëtarëve të zgjedhur në vitin 2015, nuk ka qenë i plotë, nuk qëndron, për faktin se zgjedhjet në vitin 2016 janë zhvilluar për të gjitha instancat e universitetit.

“Nuk ka të drejtë një mekanizëm ta interpretojë në favor të vetin një mandat, i cili është ndërprerë për të gjithë. Zgjedhja nga 2015-a, 2016-a dhe tani 2019-ën përbëjnë tri zgjedhje që janë bë për këta anëtarë edhe unë mendoj që universiteti nuk duhet të ndërtojë një praktikë të tillë. Mandati i dytë iu jepet në rast se kanë pasur një sukses të konsiderueshëm në punën e tyre, por mendimi personal është që sidomos në mandatin e fundit Këshilli Drejtues nuk ka bërë ndonjë veprim për ta mbajtur mend në favor të universitetit, përveç që e ka zgjedhë menaxhmentin ekzistues dhe i ka vazhduar sekretarit të universitetit mandatin”, ka thënë ai.

Tutje Dugolli ka deklaruar se këtë rizgjedhje e kundërshton nga aspekti parimor dhe jo për rezerva personale.

“Unë kam shikuar aktet normative dhe nuk kam gjetur ndonjë akt që mbështet një veprim të tillë përveç nëse ka ndonjë vendim apo udhëzim i cili është i fshehur për publikun, përndryshe nga ato që ekzistojnë si Rregullorja e punës së senatit, Statutit të universitetit dhe Ligjit për arsim të lartë nuk ka diçka të tillë që lejohet”, sqaroi dekani.

KALLXO.com ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi që të na tregojë bazën ligjore në të cilën është mbështetur, kur ka vlerësuar se këta dy kandidatë nuk e kanë shkelur Statutin e UP-së, mirëpo një gjë të tillë nuk kemi pranuar.

Kelmendi ka dhënë interpretim të këtij vlerësimi, duke thënë se mandati i 2015-ës kishte përfunduar para kohe për shkak të rrethanave të krijuara në UP dhe prandaj nuk mund të konsiderohet mandat i plotë.

“Duke pasur parasysh se mandati i fituar prej datës 1.10.2015, ka zgjatur deri në muajin shkurt 2016 dhe si i tillë ishte mandat jo i plotë ose i pa përfunduar për shkak të rrethanave të krijuara atë botë në UP, pra të njëjtit nuk kishin shfrytëzuar as edhe 1/6 e mandatit të rregullt të paraparë me Statut. Mbi bazën e këtyre rrethanave, njëri prej anëtarëve të KD-së i cili paraprakisht kishte shfrytëzuar një mandat të plotë nga data 1.10.2012- 30.9.2015, si dhe pjesën e mandatit të papërfunduar 1.10.2015-shkurt 2016, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016, është rizgjedhur për mandatin e ri i cili konsiderohet si mandat i dytë, respektivisht për periudhën mars 2015-30.9.2019”, ka thënë ai.

Madje për ta legjitimuar veprimin e Senatit, Kelmendi ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, në të cilin ishte konstatuar se është jo kushtetuese ndërprerja e parakohshme e mandatit të një zyrtari publik.

“Mbi bazën e kësaj praktike, i është dhënë e drejta e rizgjedhjes për mandat të dytë një anëtari të KD-së në vitin 2016 dhe tani në rastin konkret për të cilin ju jeni interesuar, nuk ka kurrfarë arsye të jepet interpretim ndryshe nga ai i para 3 viteve”, theksoi sekretari i UP-së.

Mandati i këtyre dy profesorëve të zgjedhur për anëtarë të KD-së, nga radhët e personelit akademik të UP-së në vitin 2015, ishte me kohëzgjatje prej datës 1 tetor 2015 deri më 30 shtator 2018.

Mirëpo ky mandat kishte përfunduar me 23 dhjetor të vitit 2015, kur edhe ishte marrë vendimi për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme në UP, ndërkohë që të njëjtit anëtarë të KD-së kishin vazhduar të mbajnë mandatin deri në muajin shkurt, kur edhe janë zgjedhë strukturat e reja menaxhuese të UP-së.

Rikujtojmë së anëtarët e KD-së, Kemajl Bislimi dhe Alberta Troni kanë votuar për zgjedhjen e rektorit, si dhe pesë prorektorëve të tjerë, gjithashtu edhe i kanë vazhduar mandatin sekretarit të UP-së, pa shpallur konkurs.

https://kallxo.com/kompletohet-bordi-i-up-se-nga-masht-i/