Sekretarit të UP-së i vazhdohet kontrata pa konkurs

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ka marrë vendim për vazhdimin e mandatit të sekretarit Esat Kelmendi.

Me pesë vota për dhe tre kundër, propozimi për vazhdim automatik të kontratës së Kelmendit kaloi në mbledhjen e këshillit.

Disa anëtarë të këtij këshilli, përfshirë kryesuesen Ardiana Bunjaku ishin deklaruar kundër vazhdimit të kontratës duke kërkuar hapjen e një konkursi publik për këtë pozitë.

Laura Kryeziu, anëtare e KD-së konfirmoi vazhdimin e mandatit të Kelmendit.

“Këshilli ka votuar me pesë vota pro dhe tre kundër. Disa prej nesh i kemi bërë qëndrimet tona publike më herët. Ato janë procedura të brendshme me votë. I vazhdohet mandati, i dini qëndrimet tona edhe pse votimi ka qenë i fshehur”, tha Kryeziu.

Më 2 tetor të këtij viti, Esat Kelmendit i skadoi kontrata 5 vjeçare si Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

Megjithatë, rektorati i UP-së nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë siç parashihet me statutin e universitetit, ndërsa vetë Kelmendi u zgjodh të qëndrojë si ushtrues detyre në këtë pozitë.

Në vend të kësaj, rektori Marjan Dema kishte dërguar një shkresë Këshillit Drejtues ku i kërkon atyre që kontrata e Kelmendit të vazhdohet me automatizëm për shkak ‘të arritjeve të tij në këtë pozitë për pesë vitet e fundit”.

Këtë kërkesë, Dema tha se e kishte bazuar në një mendim ligjor të Ministrisë së Administratës Publike, një shkrese të  Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës i cili thotë se e përkrah opinionin ligjor që ka dhënë Ministria e Administratës Publike dhe vetë kontratës së sekretarit.

Megjithatë, shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke përfshirë kryesuesen Ardiana Bunjaku thanë se kërkojnë hapjen e një konkursi për t’u dhënë mundësi të gjithë personave të kualifikuar të konkurrojnë.

Kryesuesja e KD-së, Ardiana Bunjaku, më 2 tetor kishte thënë se një konkurs publik do të ishte mënyra më e mirë e përzgjedhjes së zyrtarit në këtë pozitë.

“Qëndrimi im lidhur me këtë çështje është të zbatohet ne përpikëri ligji dhe statuti i UP-së, duke promovuar transparencën dhe llogaridhënien për secilin akter të përfshirë në vendimmarrje. Kam vlerësuar se do ishte në interesin më të mirë të UP-së, që të hapet konkursi për pozitën e sekretarit, ku do t’i mundësohej secilit pa dallim për të marrë pjesë, përfshirë dhe sekretarin aktual”, kishtë thënë Bunjaku.

Ngjashëm, Zëvendëskryesuesja e KD-së, Laura Kryeziu, tha se për këtë pozitë duhet hapur konkurs.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Kryeziu tha se opinoni i saj mbi këtë çështje nuk ka ndryshuar megjithëse KD ende nuk ka marrë vendim se si të procedohet nga kjo situatë.

“Jemi duke diskutuar në Këshllin Drejtues, jemi para një kontrate të skaduar. Ne kemi kërkuar hapjen e konkursit dhe besoj që kemi procedu me konkur të hapur. Ne e kemi pasur një kërkesë, që ka qenë opsioni i vazhdimit mirëpo për punë të transparencës dhe barazisë ne kemi kërkuar që konkursi të hapet. Opsioni i vazhdimit nuk besoj që ekziston mirëpo nuk kemi asnjë vendim”, tha Kryeziu.

Ardiana Bunjaku, në anën tjetër, nuk ka qenë e qasshme në telefonatat e KALLXO.com.

Beqir Sadikaj, anëtar tjetër i KD-së Universitetin e Prishtinës, më 2 tetor kishte deklaruar se ka dilema për mundësitë ligjore në këtë pozitë.

“Unë jam që të respektohet ligji: nëse sekretari llogaritet si staf civil, të zbatohet ligji për shërbimin civil ndërsa nëse është ndryshe duhet të zbatohet statuti i UP-së dhe duhet të zbatohen rregullat ligjore të UP-së”, kishte thënë ai.

I kontaktuar sërish nga KALLXO.com, ai tha se mendimi i tij nuk ka ndryshuar.

Sipas statutit të UP-së “Sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij e cila nënshkruhet nga rektori”

Në kohën e mandatit të Kelmendit në UP, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për disa skandale që përfshijnë humbjen e kontestit gjyqësor të UP-së kundër Kishës Ortodokse për parcelën e tokës ku gjendet kisha e papërfunduar ortodokse.

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës

https://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/

 

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës