Fushata zgjedhore me gjuhë të urrejtjes, partitë nuk i larguan materialet

Fushata zgjedhore në Kosovë u shoqërua me dhjetëra mesazhe të nxitjes së urrejtjes, të cilat u krijuan nga kandidatët për deputetë dhe vetë partitë politike.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndëshkoi shumicën e partive me gjoba të larta, mirëpo një hulumtim i KALLXO.com zbulon se materialet të cilat u publikuan në media dhe në rrjetet sociale nuk u larguan nga kandidatët dhe partitë politike.

Mbi 30 postime të partive politike, të cilat nga PZAP u cilësuan si gjuhë e urrejtjes, vazhdojnë të jenë të publikuara në rrjetet sociale, kryesisht në rrjetet sociale të menaxhuara direkt nga partitë.

Ndryshimet ligjore në Ligjin për zgjedhje i mundësuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që t’u shqiptojë gjoba partive politike të cilat në rrjetet sociale dhe në media kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë të papërshtatshme.

Partia e cila më së shumti u dënua për shkelje të tilla është Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

BIRN gjen se kjo parti u dënua 19 herë nga PZAP.

Partia e dytë për nga dënimet është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 6 herë, e ndjekur nga Koalicioni për Familje me 6 dënime, kurse Aleanca p[r Ardhm[rin[ e Kosov[s (AAK) me 3  dënime, Lista Serbe është dënuar me 1 vendim, LDK e ka 1 dënim, Partia Liberale Egjiptiane 2 dënime nga PZAP dhe partia IRDK është e dënuar me një vendim.

BIRN gjen se shumica e materialeve vazhdojnë të jenë online dhe shpërndahen në rrjetet sociale.

Në kanalet zyrtare të LVV-së nuk u larguan postimet për të cilat u gjobit

Në analizën e KALLXO.com konstatohet se shumica e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u ndëshkuan për gjuhë të urrejtjes nga PZAP nuk i kanë larguar postimet në rrjetet sociale për të cilat ata morën gjobë.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë që 14 postimet origjinale për të cilat partia u dënua me mbi 100 mijë euro janë ende të qasshme në rrjetet zyrtare të partisë.

Kjo parti u dënua me 10 mijë euro për postimin që deputeti Dimal Basha e shpërndau në Facebook.

Dimal Basha shpërndau në Facebook një fotografi, ku e vendosi emrin e Aleksandar Vuçiqit në foton e subjektit politik LDK.

Publikimi i Bashës vazhdon të jetë prezent në platformën Facebook deri me datë 25/02/2025 (arkiva).

PZAP e dënoi Vetëvendosjen me 5 mijë e 400 euro gjobë edhe për një varg postimesh të bëra nga Fitore Pacolli, Dejona Mihali, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Hulumtimi i KALLXO.com gjen që publikimi i Fitore Pacollit në të cilin ajo i quajti i quan huliganë simpatizantët e PDK-së vazhdon të jetë i qasshëm në rrjetet sociale edhe përkundër vendimit të PZAP-së (arkiva).

Edhe publikimi i Albulena Haxhiut në të cilin ajo akuzon Sami Lushtakun për sulm ndaj eskortës së Albin Kurtit e për të cilin PZAP konstatoi se ka gjuhë të urrejtjes vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale (arkiva).

Publikimi tjetër për të cilin LVV mori gjobë ishte ai i Haxhi Avdylit i datës 25/01/2025 në Facebook (arkiva)

Në vendimet e PZAP-së gjenden edhe dënimet të tjera të cilat e ndëshkojnë LVV-në për shkak të gjuhës së urrejtjes të cilën e shpërndanë simpatizantët e partisë.

LVV u dënua me 6 mijë euro gjobë  për postimet e disa simpatizantëve. Publikimi i profilit “Albin Forca”, i cili u ndëshkua për gjuhë të urrejtjes, vazhdon të jetë aktiv.

Në po të njëjtin vendim PZAP konstatoi se postimet e publikuara nga Halil Geci përmbanin gjuhë të urrejtjes (arkiv). Edhe në këtë situatë postimi vazhdon të jetë aktiv në muajin shkurt.

Në vendimet e PZAP-së është konstatuar që deklaratat e postuara nga ministri Faton Peci në tubimin në Vushtrri përmbanin gjuhë të urrejtjes. Përkundër dënimit prej 3 mijë euro për Vetëvendosjen, ky postim vazhdon të jetë aktiv në faqen e LVV-së(arkivi).

Në një vendim tjetër LVV është dënuar me 5 mijë e 500 euro për shkak se mbështetësi i tyre, Feim Tahirisylaj, postoi një video-material me gjuhë të urrejtjes (arkiv). Mesazhi i Tahirsylajt vazhdon të jetë online.

Njëri prej materialet që shkaktoi reagime të shumta ishte edhe fjalimi i Donika Gërvalla-Schwartz në Deçan, në të cilin ajo i quajti gjeneralë të vetëshpallur vëllezërit Haradinaj. Ky fjalim i Gërvallës u ndëshkua me 10 mijë euro nga PZAP-ja, mirëpo materiali vazhdon të jetë i qasshëm në faqen e Vetëvendosjes (arkiva).

Edhe fjalimi i ministres Albulena Haxhiu i datës 24.01.2025 u vlerësua si fjalim që shkelte rregullat zgjedhore. Edhe ky material është i qasshëm ne  rrjetet sociale (arkiva).

Edhe gjuha e përdorur nga Glauk Konjufca në publikimin e datës 23.01.2025 u vlerësua që i shkeli rregullat zgjedhore. Për këtë publikim LVV u dënua me 5,000 euro. Përkundër dënimit, materiali është i qasshëm  ë rrjetet sociale të LVV-së (arkiva).

Një dënim tjetër për LVV-në ishte shqiptuar pas tubimit të datës 15.01.2025 në të cilin Albin Kurti ishte vlerësuar se kishte shpërndarë gjuhë të urrejtjes. Publikimi vazhdon të jetë aktiv (arkiva) edhe përkundër gjobës prej 3 mijë e 500 euro.

Një postim tjetër në të cilin LVV mori rreth 25 mijë euro  gjobë është ai i deputetit Dimal Basha. Ai shkroi se “Vota për PDK është vetëm fuqizim për Sami Lushtakun e që Kosovës nuk i duhen më politikanët që sillen si bandita. Kosova nuk i duron më Banditat”. Postimi i tij vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale edhe përkundër dënimit të PZAP-së(arkiva).

Mesazhi tjetër për të cilin LVV është ndëshkuar ka të bëjë me fjalimin e Albin Kurtit të datës 19.01.2025 në tubim në Ferizaj. Aty Kurti kishte deklaruar:“Të dashur qytetarë, unë kam një pyetje për ju: këta bërlloga atë ditë a do t’i hedhim në kantën e bërllogut të historisë së kombit tonë? Prandaj të dashur qytetarë të rrahim si një zemër, si zemra e Kryeministrit, që më 9 shkurt t’i tregojmë vendin të vjetrës dhe të ecim përpara me LVV”.

Publikimi në fjalë vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social Facebook (arkiva).

Publikimet e PDK-së kryesohen nga simpatizantët

Në rregullat zgjedhore partitë mund të ndëshkohen edhe në rastet kur dëshmohet se simpatizantët e tyre kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes.

Kallxo.com gjatë analizimit të materialeve ka konstatuar se PDK në të gjitha rastet është ndëshkuar për shkak të publikimeve të simpatizantëve e jo për shkak të publikimeve në faqet zyrtare të partisë apo të kandidatëve për deputetë.

Një pjesë e materialeve për të cilat PDK është dënuar nuk gjenden online për shkak se kanë qenë në formatin ‘Reals’ ndërsa disa janë fshirë.

Por KALLXO.com ka gjetur se 6 nga mesazhet e publikuara nga simpatizantët vazhdojnë të jenë publike në rrjetet sociale.

PDK u dënua me 16 mijë euro për shkak të postimit të Rasim Brahim Rexhepit, i cili në një fotografi e kishte quajtur Albin Kurtin “Albin Serbin”. Ky material është larguar nga Facebook. Edhe publikimi tjetër i Nehat Bunjakut për të cilin PDK u dënua rezulton se është fshirë nga Facebook(arkiva). Përkundër dënimit për partinë materiali i publikuar nga simpatizanti Demë Berisha më 01.02.2025 vazhdon të jetë i  qasshëm në rrjetet sociale (arkiv). PDK u dënua edhe për publikimin e Muhamet Shalës, i cili  më 02.02.2025 në llogarinë e tij në Facebook po ashtu ka shpërndarë fotografinë dhe videon me gjuhë të urrejtjes.

Hulumtimi zbardh se materiali është i qasshëm në link (arkiv dhe arkiv).

Publikuesi tjetër, XH. Morina, përkrahës i PDK-së, ishte filmuar duke shqyer fotografitë e kandidates së LVV-së Fjolla Ujkanit. Edhe ky publikim është i qasshëm në rrjetin social “TikTok”(arkiv).

PDK u dënua me 8 mijë euro për publikimin e simpatizantit lsmajl Lushtaku dhe publikimin e simpatizantit Rasim Brahimi. Të dy postimet janë fshirë nga rrjetet sociale.

Një vendim tjetër ndëshkues për PDK-në është 10 mijë euro për publikimin e Musli Obrihës dhe publikimin e Rasim Brahim Rexhepit. Publikimi i Obrihës është fshirë ndërsa publikimi i Rexhepit ndodhet ende në rrjetet sociale. Materiali është i qasshëm në link (arkiv).

I fshirë figuron edhe publikimi i punëtorit të Komunës së Skenderajt, Armend Ahmeti, për të cilin PDK u dënua me 8 mijë euro gjobë.

Përmbajtja e Koalicionit për Familjen e qasshme në rrjetet sociale

Koalicioni për Familjen është një prej subjekteve që po ashtu u ndëshkua nga PZAP.

Paneli nxori të paktën gjashtë vendime me të cilat e ndëshkoi e subjektin me mbi 30 mijë euro për gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë të papërshtatshme në fushatë.

Koalicioni u dënua me 2 mijë euro për shkak të postimit të simpatizanit Smajl Balaj. Përkundër ndëshkimit, publikimi është i qasshëm në rrjetet sociale (arkiv).

Edhe publikimet e kandidatit Eman Rrahmani, për të cilat Koalicioni për Familjen u dënua me mbi 20 mijë euro gjoba, janë të qasshme online (arkiva, arkiva), (arkiva), (arkiva).

Koalicioni për Familjen u dënua me 7,600 euro, por Gjykata Supreme e ka ndryshuar vendimin duke mos e lënë në fuqi dënimin me gjobë.

Publikimi i kandidatit tjetër Asdren Bytyqi, i cili po ashtu u gjobit nga PZAP, është online në rrjetin social Facebook (arkiva).

Një gjobë prej 5 mijë eurosh për Koalicionin u shqiptua edhe për publikimin e Jeton Haxhimustafës, publikim ky që vazhdon të jetë i qasshëm (arkiva).

LDK me vetëm një gjobë

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte marrë dy gjoba nga PZAP-ja, mirëpo njëra prej tyre u anulua nga Gjykata Supreme.

Vendimi i vetëm për këtë parti është dënimi me gjobë për publikimin e kandidates Xheneta Syka Kelmendi.

Ajo kishte shpërndarë një video-material të prodhuar nga një faqe interneti në të cilin Albin Kurti krahasohej me Adolf Hitlerin.

Kandidatja Syka Kelmendi e ka fshirë postimin e saj nga faqja e saj mirëpo KALLXO.com gjen se materiali origjinal vazhdon të jetë online dhe ka mbi 400 mijë shikime në Facebook (arkiva).

Kandidatët e AAK-së mbajnë postimet për të cilat u dënuan

Koalicioni AAK – NISMA u gjobit në disa raste nga PZAP për shkak të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale.

Kandidati nga Vitia, Labinot Gjini, u konstatua se shpërndau gjuhë të urrejtjes në postimin e datës 29.01.2025. Publikimi i tij është i qasshëm online edhe përkundër gjobës.

AAK u dënua me  16 mijë e 600 euro për publikimin e Hajdar Sutajt, kryetar i Kuvendit Komunal të Deçanit përkundër gjobës. Publikimi i Sutajt vazhdon të jetë online (arkiv).

Në mesin e dënimeve janë edhe dënimet për shkak të publikimeve të anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë siç është publikimi i Afrim Demhasajt, i cili vazhdon ta mbajë postimin online (arkiv).

https://www.facebook.com/photo/?fbid=1520616071957955&set=a.149995155686727

AAK u gjobit edhe për postimin e kandidatit për deputet, Ardian Rama, publikimi i të cilit vazhdon të jetë online (arkiv).

Edhe publikimi i Rifat Stojkajt, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Deçanit për të cilin AAK u gjobit, vazhdon të jetë online (arkiv).

Ndikimi i materialeve

Nga analiza e ndjekshmërisë materialet që janë prodhuar nga partitë politike që kanë përmbajtur gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë jo të përshtatshme në fushatë kanë arritur miliona klikime dhe janë shpërndarë me mijëra herë nga simpatizantët e tjerë.

KALLXO.com gjatë analizës ka gjetur se PZAP në shumicën e vendimeve ka shqiptuar gjoba mirëpo nuk i ka urdhëruar kandidatët apo partitë të largojnë nga faqet e tyre materialet.

Në disa raste KALLXO.com ka gjetur se PZAP i ka gjobitur partitë për shkak se ato nuk i kanë larguar materialet.