Gjashtë Vëllezër Akuzohen për Vrasje

Në Gjykatën Komunale të Ferizajt, në Departamentin për Krime të Rënda të hënën ka nisur gjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve për vrasje. Këta të akuzuar janë mes vete vëllezër.

Të akuzuarit dyshohet se më 18 shkurt 2010 vranë biznesmenin nga Ferizaj Brahim Veselin, teksa ai po shkonte me makinë drejt shtëpisë së tij.

Trupi gjykues duke e paraparë mundësinë e tensionimit të situatës, mes familjes së të dëmtuarit dhe asaj të të akuzuarve, kërkoi edhe brenda sallës së gjykimit praninë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Ferizajt i ngarkon të akuzuarit për veprat penale: vrasje, bashkëpjesëmarrje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Atë ditë të vitit 2010 kur u vra biznesmeni ferizajas, në të njëjtin sulm qenë plagosur edhe dy djemtë e tij.

Sipas Prokurorisë Themelore gjatë vrasjes ishin përdorur edhe armë të tipit “Kallashnikov”, ndërsa krimi kishte ndodhur për çështje pronësie.

Se situata gjatë gjykimit të së hënës ishte e tensionuar, dëshmon edhe zbulimi i 20 plumbave të revoles, nga detektori i gjykatës, te një person që tentonte me ta të futej në sallën ku zhvillohej procesi gjyqësor.

Rastin e kapjes së individit me plumba nëpër xhepa e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt Bashkim Hyseni.