Euronews: Avionët luftarakë në gjendje gatishmërie lidhur me sulmin e supozuar të dronëve në kufirin Serbi-Kosovë

Dronë të pamarkuar e të paidentifikuar u shfaqën në kufirin Kosovë-Serbi “duke vëzhguar kazermat dhe pozicionet” e ushtrisë serbe, pohuan autoritetet e Beogradit, duke bërë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq t’i urdhërojë avionët luftarakë të vendit t’i përgjojnë ata, raporton euronews.

Dronët u larguan nga hapësira ajrore serbe përpara se avionët luftarakë t’i arrinin objektivat e tyre, njoftoi transmetuesi publik RTS.

Kryeministrja Ana Brnabiq tha në një intervistë për RTS të martën në mbrëmje se dronët u pikasën teksa vëzhgonin një pozicion ushtarak në anën serbe të kufirit dhe dy kazerma, duke shtuar se ajo nuk donte të spekulonte për origjinën e pajisjeve pa pilot.

Ajo theksoi se urdhri ishte që të rrëzoheshin dronët dhe autoritetet serbe do të monitoronin më tej zonën.

“Nëse këto gjëra vazhdojnë të ndodhin, ne do të rrëzojmë çdo avion të tillë, ashtu si çdo vend tjetër”, shtoi Brnabiq.

Pamjet e dronit nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Problemi i targave vazhdon

Lajmi për një inkursion me dron erdhi pasi Vuçiq i vendosi trupat serbe në kufirin me Kosovën në gjendje të shtuar të gatishmërisë për shkak të një mosmarrëveshjeje për targat e automjeteve që ka kërcënuar t’i përshkallëzojë më tej tensionet mes dy vendeve ballkanike.

Më herët, autoritetet në Prishtinë kanë lëshuar një paralajmërim duke kërkuar që pjesëtarët e pakicës etnike serbe që jeton në Kosovë t’i zëvendësojnë targat e tyre të regjistrimit të automjeteve me ato kosovare.

Paralajmërimi erdhi pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të shtyrë çdo kërkesë të tillë.

Në përgjigje të lëvizjes së Kosovës, ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq tha se Vuçiq, i cili është komandanti suprem i forcave të armatosura të Serbisë, e vendosi ushtrinë në një gjendje “gatishmërie”.

“Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk duhet të jemi të papërgatitur”, tha Vuçeviq. “Ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun tonë me Prishtinën”.

Nuk ishte e qartë se çfarë nënkuptonte në praktikë gjendja e gatishmërisë.  

BE i ka thënë Kosovës dhe Serbisë se të dyja duhet t’i normalizojnë lidhjet nëse duan të avancojnë drejt anëtarësimit në bllokun 27-vendesh.

Brukseli dhe Uashingtoni kohët e fundit i kanë shtuar përpjekjet e ndërmjetësimit, nga frika se pasiguritë rreth luftës në Ukrainë dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë mund t’i përkeqësojnë gjërat.

Problemet nisën në verë me refuzimin e Serbisë dhe Kosovës për t’i njohur dokumentet e identitetit të njëri-tjetrit si dhe targat e automjeteve.

Serbët e Kosovës që jetojnë në veri ngritën postblloqe rrugore lëshuan sirena të sulmit ajror dhe qëlluan me armë në ajër në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteve në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon shtyrjen e vendimit mbi targat

Në qershor, Kosova miratoi një ligj përmes të cilit kërkohet që automjetet me targa serbe t’i zëvendësojnë me ato të Kosovës.

Por pas presionit nga BE dhe SHBA dhe tensionit në veriun e populluar kryesisht nga serbët, qeveria kosovare ra dakord të shtyjë zbatimin deri më 1 nëntor.

Ndërkohë që ky vendim hyri në fuqi të martën, autoritetet e Kosovës thanë se zbatimi do të bëhet në mënyrë graduale.

Për tri javët e para të nëntorit, ngasësit e automjetev që nuk respektojnë do të marrin paralajmërime (do të qortohen). Pas kësaj do të gjobiten dhe nga fundi i janarit do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet me targa të reja të përkohshme.

Data përfundimtare pas së cilës nuk do të lejohen targa të vjetra dhe ngasësit rrezikojnë sekuestrimin e automjeteve të tyre, është caktuar data 21 prill.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla u kërkoi serbëve në atë pjesë të martën që të binden dhe të mos mbesin “peng i interesave politike”.

Javën e kaluar, Sveçla tha se vetëm 20 serbë kishin ndërruar targat. Të paktën tri sulme ndaj atyre që vendosën të bëjnë ndryshimin janë raportuar, me automjeteve që thuhet se janë djegur./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala