Drejtësia Sociale Kundër Ligjvënësve

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të enjten mori aktgjykim duke ju përgjigjur Avokatit  të Popullit, në kërkesën e këtij të fundit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së 5 neneve të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Kuvendi i Kosovës me datën 4 qershor të vitit 2010 kishte miratuar Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit, ligji i cili deputetëve të atij kuvendi i ofronte benificione të shumta gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.

Për disa nga nenet nga Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit, Avokati i Popullit kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë.

Neni 14 paragrafi 1 pika 6, i cili nen përcakton të drejtat e kompensimit gjatë ushtrimit të mandatit. Me këtë nen, deputetët i kishin rregulluar vetit disa lloje të pagesave pos pagës bazë. Me ligj ata kishin paraparë që të kenë kompensime dhe paga si: pagë kalimtare pas përfundimit të mandatit,  kompensim për pjesëmarrje në seanca dhe në takime të komisioneve, kompensim për funksionet parlamentare, kompensim të shpenzimeve mujore, pensionet suplementar dhe të drejtat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.

Deputetët me këtë ligj i kishin siguruar vetës dhe anëtarëve të familjes Pension suplementar (Pension plotësues) e kjo nëse deputeti e përfundon mandatin në moshën 55 vjeçare duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për fondin  pensional, ku mosha e daljes në pension është 65 vjeç.
Neni 3 i këtij ligji parasheh qartë kohën e daljes në pension. “Kushtet dhe kriteret e përgjithshme për përfitim në rritje të pensionit bazë: Parashtruesi i kërkesës duhet të ketë moshën 65 vjeçare dhe minimumi 15 vjet stazh te sigurimit pensional, sipas dispozitave te Sigurimit Pensional dhe Invalidor, prej tyre se paku 7 vjet e 7 muaj stazh pune ne Kosove”.

Pensioni suplementar i takonte deputetit nëse i shkaktohej lëndim gjatë detyrës zyrtare edhe nëse mosha është nën lartësinë e caktuar.

Duke parë rrezikun se disa deputetë mund të mos rizgjidheshin në Kuvendin e Kosovës, ata me këtë Ligj e rregulluan pensionin për deputetët me një mandat duke i siguruar vetës një pension prej 50% të pagës së deputetit, ata me dy mandate 60 % të pagës së deputetit e ata me tre e më shumë mandate do të merrnin 70% të pagës bazë të deputetit.

Deputetët pos që menduan për vete po ashtu menduan edhe për familjet e tyre. Ky Ligj ju mundëson marrjen e pensionit suplementar në lartësinë prej 70% të pensionit, pas vdekjes së marrësit të pensionit, dhe atë për bashkëshorten dhe fëmijët e tij deri në moshën 18 vjeçare përkatësisht 22 vjeçare nëse fëmija është në studime.

Deputetët Ligjin e miratuan me nenin 23, që kishte efekt prapaveprues, e me këtë nen deputet kishin menduar edhe për ish deputetët nga legjislatura e vitit 2001.

E sipas këtij Ligji, për këto benificione deputetët nuk kishin nevojë fare të kontribuonin në një fond pensional nga pagat e tyre si deputet.

Për të gjitha këto benificione Avokati i Popullit kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vendos nëse janë kushtetuese dhe nëse bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet kushtetuese si dhe Ligjet e vendit.

Avokati i Popullit me kërkesën e tij pretendon, ndër të tjera, se Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit përmban dispozita që “u mundësojnë deputeteve të Kuvendit të Kosovës të realizojnë pensione që janë më të favorshme se çdo përfitim tjetër pensional për qytetaret e tjerë, dhe se atë dispozita nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë, sundimit të ligjit, mosdiskriminimit dhe drejtësisë sociale”.

Gjykata Kushtetuese një kërkesë të tillë e pranoi me datën 26 nëntor të vitit 2010, e dy ditë më pas kryetari i gjykatës caktoi gjykatësin referues për këtë çështje.

Gjykata lidhur me këtë kërkesë me datën 17 dhjetor të 2010 në një seancë të mbyllur Gjykata vendosi masën e përkohshme për mos zbatimin e këtij ligji për një periudhë jo më të gjatë se tre muaj, duke e vazhduar këtë masë së fundmi deri me 31 dhjetor 2011.

Gjykata për kërkesën njoftoi Kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe e pyeti nëse kishte përgjigje lidhur me këtë kërkesë. E sekretariati i Kuvendit të Kosovës u përgjigj se ligji është i miratuar sipas rregullave të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi të gjitha faktet, analizoi kërkesën dhe përgjigjen si dhe analizoi legjislacionin që lidhet me çështjen që duhet të vendosej.

Gjykata analizoi dhe vendimet e Gjykatave Kushtetuese të vendeve të ndryshme lidhur me pensionet dhe benificionet për deputet.

Pas kësaj Gjykata Kushtetuese morri aktgjykim dhe kërkesën e konsideroi të pranueshme, duke konkluduar se nenet e atakuar me kërkesën e Avokatit të Popullit nuk janë në pajtim me Kushtetutën dhe i konsideron si të pavlefshme dhe pa fuqi ligjore. E urdhri i Gjykatës për masën e përkohshme me këtë aktgjykim bëhet urdhër i përhershëm.

Gjykata lidhur me pensionet në vendimin e saj tha “Në këtë kërkese duket se pensionet që duhet t’u paguhen deputeteve të pensionuar janë qartazi joproporcionale me pensionet mesatare në vend. Rendi kushtetues bazohet në parimet e demokracisë, barazisë, mosdiskriminimit dhe drejtësisë sociale. Pasi pensionet e propozuara duhet të paguhen nga buxheti i përgjithshëm i Republikës së Kosovës pa kontributin e deputeteve dhe pasi do të rezultojë në pension substancial (50 % të kompensimit për një mandat të përfunduar), duket që ky legjislacion krijon diskriminim ndaj pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë dhe të gjithë pensionisteve të tjerë në Kosovë dhe i shkel parimet e barazisë dhe të drejtësisë sociale të mbrojtura me Kushtetutë, pa shpjegim apo arsyetim të mjaftueshëm për ndonjë qëllim legjitim publik për një trajtim të tillë diskriminues”.