Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër
Dialogu në "komë"
Prej kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u panë për herë të fundit në tavolinën e nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, kanë ndodhur një sërë zhvillimesh politike që pretendohet se e kanë tjetërsuar rrjedhën e dialogut, njëherësh kanë shtuar nevojën për një takim të ri.
Edhe pse herën e fundit kur dialoguan më 14 shtator 2023, takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit rezultoi pa ndonjë përparim, mungesa e një takimi të ri po cilësohet i domosdoshëm, ndonëse zor i realizueshëm.
Për një profesor të shkencave politike nga Kosova – nuk ka logjikë të dialogohet përderisa nuk është dhënë përgjegjësi nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë; për një njohës të politikës nga Serbia – dialogu duket ‘i vdekur’; e me një këndvështrim më asnjanës – një analist i lartë thotë se dialogu është ‘në koma’.
Në ditët përreth përvjetorit të takimit të fundit, Kurti dhe Vuçiq folën me njëri-tjetrin jo sy-më-sy por përmes masave dhe kushteve të vëna, të deklaruara përmes konferencave për shtyp. Përderisa zhvillimet po rrjedhin, Bashkimi Europian thotë se këto çështje si p.sh statusi i Urës së Ibrit dhe të tjerat që kanë të bëjnë me veriun, të zgjidhen vetëm me dialog. Se a planifikohet një takim i nivelit të lartë këtë vit, sado i nevojshëm që paraqitet, në BE nuk e pohojnë, por as nuk e mohojnë.
Në njërën anë, Albin Kurti thotë se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.
Për Kurtin, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dy kushtet tjera të Kurtit, që ai i quan paqësore janë nënshkrimi i Marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.
Në anën tjetër, masat e Vuçiqit që u prezantuan më 13 shtator 2024, janë shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Ndërkohë që të dy po kërkojnë gjëra të ndryshme, në Bruksel, këta muaj u panë vetëm kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, megjithëse një takim trelateral ende është i munguar. Takimi i fundit i këtij niveli u zhvillua më 17.09.2024.
Takimi në nivel kryenegociatorësh nuk është aq madhor sa takimet e nivelit të lartë, pasiqë temat e mëdha, sipas njohësve politikë të intervistuar nga KALLXO.com qëndrojnë të përballja Kurti-Vuçiq.
Këndellja nga koma
Për të përshkruar gjendjen e tanishme të dialogut Kosovë- Serbi më së pakti u përdorën terma politik. Në vend të tyre, për të përshkruar gjendjen në të cilën gjendet ky proces, “prognoza” u dha me terma mjekësorë.
Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, dialogun e cilëson si koma.
Prelec thotë se herët a vonë, Kosova dhe Serbia do të duhet të negociojnë një mënyrë që të jetojnë pranë njëra-tjetrës. Dhe, kjo mund të jetë ose jo brenda kornizës së dialogut aktual të lehtësuar nga BE-ja. Me këtë, ai thotë se nuk mund të thuhet se dialogu ka vdekur përfundimisht.
“Por nuk ka shenja të dukshme aktiviteti dhe nuk pres që të mbahet ndonjë takim së shpejti”- thotë Prelec në një bisedë për KALLXO.com.
Ai dyshon se Kurti apo Vuçiqi janë të interesuar të flasin, duke thënë se “të dy komunikojnë përmes veprimeve dhe deklaratave të tyre”.
Prelec thotë se në pakon e masave serbe të prezantuara nga Vuçiqi ka shumë materiale joreale, por mesazhi i përgjithshëm është se Beogradi nuk po mendon seriozisht për asnjë lloj normalizimi me Kosovën.
“Nga ana tjetër, veprimet e qeverisë së Kosovës në komunat veriore me shumicë serbe tregojnë mjaft qartë se ajo nuk është e interesuar për një dialog me to, përkundrazi pret që ata ta pranojnë plotësisht sovranitetin e saj”- shprehet ai.
Prelec thotë se është bërë e qartë se Kosova nuk e ka ndërmend të ndjekë pjesën e saj të marrëveshjes, për sa kohë që edhe Serbia është tërhequr në një vijë të ashpër kundër çdo lloj pranimi të pavarësisë së Kosovës.
Edhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd thotë se dialogu nuk më ka mbetur më për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve, por ka kaluar në nivel të menaxhimit të krizave të sigurisë.
“Po flas në terma mjekësorë – herë në koma – herë afër vdekjes – herë duke u dukur sikur diçka mund të prodhojë diçka. Por përgjithësisht mendoj se dialogu ka vdekur. Pse, sepse nuk është më e mundur të flitet për normalizim”- tha Janjiq për KALLXO.com.
Janjiq thotë se politika e reciprocitetit po e shtyn situatën drejt konfliktit.
Në thelb, sipas tij, Beogradi ishte proaktiv duke i shtyrë të gjitha situatat në Kosovë drejt krizës së sigurisë.
“Pas sulmeve në protestat në maj në veri kundër NATO-s dhe sulmit në Banjskë, në Kosovë mund të flasim për krizën e sigurisë. Kriza e sigurisë është diçka krejtësisht e re”- shton ai.
Për Janjiq, instrumenti i duhur është që të ndryshohet metodologjia e dialogut, pasiqë sipas tij, dialogu nuk do të jetë asnjëherë si më parë. I vetmi fakt që do mbes i njëjtë, ai thotë të jetë ndërmjetësimi nga BE.
“Tani është koha që qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, jo vetëm me Serbinë. Serbia bëri një lloj tryeze të rrumbullakët, e cila nuk ngjan me negociata. Serbia nuk mund të jetë lojtari kryesor. Mund të jetë një mbështetës ose pjesë e dialogut”- thekson Janjiq.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, beson që dialogu nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë.
Hoti thotë se në këtë kohë, dialogu është rruga e vetme që t’i zgjidhim mosmarrëveshjet ndërkombëtare.
Ai beson që dialogu ka ngecur për faktin se Serbia nuk ka dhënë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.
“E tëra është një riformatim i pozicioneve të Perëndimit ndaj Serbisë, duke i mbajtur ata përgjegjës, në veçanti për rastin e Banjskës dhe duke i shty të dy palet drejt një zgjidhje përfundimtare”- thotë Hoti në një bisedë për KALLXO.com.
Hoti vlerëson se nuk ka logjikë të dialogohet për faktin se para asaj çështje pala kosovare duhet të thotë zëshëm se çfarë ndodhi në Banjskë.
“Vetëm nëse mbi bazën e prezumimit e pranojnë ngjarjen në fjalë dhe të njëjtën e emërtojnë në kuptimin formal juridik, atëherë krijohen kushtet për me dialogu. Sepse ajo është është refleksion i vullnetit të mirë të të dy anëve. Me fjalë të tjera nëse nuk ka vullnet të mirë, kot ulemi rreth tryezës”- thotë Hoti në lidhje me rastin e Banjskës.
BE-ja përsërit thirrjen e saj për depërshkallëzimin si dhe zbatimin e plotë e të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga të dyja palët.
E për të njëjtin Dialog, i pyetur se a pranon Kosova që në takimet në Bruksel të diskutohet për veriun, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se dialogu ka vdekur.
Deri te ky përfundim, Konjufca ka thënë se ka ardhur më herët duke u bazuar në strukturën aktuale, apo ‘set up’-it, siç u shpreh ai në gjuhën angleze.
Dialogu i kufizuar në ‘teknik’
Edhe pse shkuan deri në Bruksel, kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nuk u takuan me njëri-tjetrin për të diskutuar për rrugën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit Implementues.
Takimi i 17 shtatorit ishte vetëm dy palësh, herë njëri e herë tjetri u takuan me ndërmjetësuesin e BE-së, Mirosllav Lajçak.
Qeveria e Kosovës tha se takimi u zhvillua në formatin bilateral, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.
Ky ishte takimi i tetë brenda këtij viti që u zhvillua në Bruksel.
Një ditë para takimit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano besoi ndryshe. Ai tha se tha se mundësia e parë për ri-angazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator 2024
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës dhe Serbisë në aspiratat e tyre përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- deklaroi Stano.
Por këto takime të nivelit teknik nuk po duken edhe aq të rëndësishme në kënvështrimet e njohësve politik, por sa për sy e faqe.
Negociatorët janë aty sepse BE-ja insiston në të dhe asnjëra palë nuk dëshiron të etiketohet si ajo që refuzoi të flasë, vlerëson Prelec.
“Gjithashtu, të dyja palët pranojnë se ka një sërë çështjesh teknike me të cilat duhet të merren dhe dialogu është një kornizë e dobishme për këtë”- tha ai.
E Janjiq në pyetjen e KALLXO.com se a mund të konsiderohet dialogu i vdekur apo në koma, ndërsa negociatat mes kryenegociatorëve Besnik Bislim dhe Petar Petkoviq po vazhdojnë disi, ai u përgjigj shkurt “është takim vetëm teknik”.
“Të flasë seriozisht Brukseli u bë një lloj bar kafeje apo kuti postare. Pas kësaj, në fund ata nxjerrin disa deklarata. Por në realitet, nuk nxjerret ndonjë marrëveshje konkrete në këtë kuptim”- tha Janjiq.
A pritet një takim i ri?
Asnjëri prej njohësve të politikës nuk beson që do të ndodhë ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit gjatë këtij viti, e as në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Një përpjekje e Bashkimit Europian për t’i takuar dy palët në muajin qershor, ka dështuar, për shkak të disa kushteve që ka vënë Kurti, por që Vuçiqi i ka kundërshtuar.
Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut më 10 shtator 2024, Kurti u pyet nëse ekziston mundësia për takim, por ai u përgjigj shkurtazi “nuk e di nëse do të ketë takim”.
“Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, tha Kurti.
Afrim Hoti beson se kjo më shumë ndërlidhet me zgjedhjet në BE dhe në SHBA, sesa me zgjedhjet në Kosovë që janë caktuar të mbahen në shkurt 2025.
“Janë duke ndodhur shumë zhvillime ndërkombëtare. Çështjet mes Kosovën dhe Serbisë janë peng i ristrukturimit të skenës politike ndërkombëtare që pritet me ardhë pas zgjedhjeve në SHBA dhe BE”- thotë Hoti.
Ndërkaq, Prelec konsideron se në një farë mase, të gjithë presin të shohin se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, në nëntor.
Ai thotë se Vuçiq veçanërisht nuk i fsheh shpresat e tij se ish-presidenti Trump do të fitojë një mandat të dytë.
“Vuçiq nuk ka gjasa të bëjë ndonjë lëshim të madh për Kosovën, ndërkohë që ekziston ende shpresa se një administratë e dytë Trump do t’i ofrojë atij më shumë mbështetje. Por, gjithashtu nuk ka pasur shumë për të folur”- tha ai.
As Dushan Janjiq nuk beson që do të ketë takim të Kurtit me Vuçiqin para zgjedhjeve në Kosovë.
“Gjithashtu, në Bruksel do të presim ndërmjetësues të rinj”- tha ai, duke përmendur edhe zgjedhjet në Amerikë.
Por nëse veç do të dalë dialogu nga koma, sipas tij, mund të ndodhë vetëm në një mënyrë – nëse Kurti, Bislimi, Vuçiqi dhe Petkoviqi do të pajtoheshin për zgjedhje të parakohshme në veri.
Në mars të vitit 2024, u shënua një vit që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjiithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.
Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje, shumica prej tyre nuk janë zbatuar, ndërsa dialogu vazhdon të shihet herë si i “vdekur” e herë në “komë”