Aliu: Mbi 350 mijë objekte në Kosovë janë pa leje

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur për numrin objekteve pa leje në Kosovë.

Aliu tha se në Kosovë janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje duke shtuar se vetëm në Prishtinë janë  mbi 40 mijë të tilla.

“Jemi në situatën që 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje, veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje. Mbi 75 për qind të ndërtimeve në komunën e Prishtinës edhe në gjithë Kosovës që është edhe më lartë, janë pa leje” – deklaroi Aliu.

Më tej, ministri tha se Lagjja e Medresesë në Prishtinë është krejtësisht me ndërtime pa leje.

“Lagjja e Medresësë në Prishtinë është totalisht me ndërtime pa leje dhe Komuna e Prishtinës ka bo një plan dhe ka paraparë rrugë të gjera, që në atë lagje të rrënojë të gjitha ato ndërtesa pa e pasë gjendjen faktike se si realizohet. Ky ligj është vazhdimësi dhe për me ndryshu na duhet kohë” – u shpreh Aliu.

Deputetët e Kuvendit aktualisht po shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.