Bojkoti i opozitës dhe ndikimi në punën parlamentare 

Partitë parlamentare opozitare e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në votime në Kuvendin e Kosovës, me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Bojkotimi i votimeve në legjislativ u vendos nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi të martën në seancën e Kuvendit nuk u arrit që në rend të ditës të përfshihet formimi i Komisionit hetimor.

Për këtë mocion procedural votuan vetëm 33 deputetë, gjë që nuk siguroi kuorumin e mjaftueshëm për kërkesën opozitare.

Partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka përkrahur nismën e opozitës, të inicuar nga PDK-ja. 

Pas seancës së Kuvendit, liderët e tri partive opozitare fajësuan kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij për keqmenaxhim të krizës me rrymën. 

Ata njoftuan se nuk do të bëhen pjesë e asnjë nisme parlamentare deri në themelimin e Komisionit hetimor.

Nga shoqëria civile thonë se përplasjet politke në Kuvendin e Kosovës dhe bojkoti i opozitës ndikojnë në jetën dhe konsensusin parlamentar mes shumicës dhe opozitës.

Në anën tjetër, LVV-ja e kanë kritikuar nismën e opozitës,duke cilësuar se ka shkelje ligjore në lidhje me nënshkruesit e kërkesës për formimin e komisionit. 

Ndërkaq në përkrahje të opozitës doli kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili është pjesë e LVV-së. 

Kunjufca rikujtoi kohën kur vet si kryetar i grupit parlamentar të LVV-së iu kishte mohuar formimi i një komisioni parlamentar dhe siç tha ai “kam dalë dhe kam thënë që ka qenë gabim dhe e padrejtë”.

“Unë dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i grupit parlamentar, kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë dhe kam thënë që ka qenë gabim dhe e pa drejtë. Për të qenë në konsistencë me këtë qëndrim timin po i jap të drejtë opozitës dhe mendoj që duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave. Pastaj mazhoranca me votë e determinon a po dëshiron ta votojë ose jo”, kishte deklaruar Konjufca në seancën e së martës. 

Një ditë më vonë, dështuan edhe disa mbledhje të komisioneve parlamentare pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në mbledhje.  

Mocioni i kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në emër të 40 deputetëve, për themelimin e Komisionit hetimor është në rend dite të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që mbahet të enjten nga ora 11:00. 

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.

Opozita po kërkon që të hetohen vendimet e qeverisë, në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike dhe reduktime të energjisë elektrike në dhjetor të vitit të kaluar. 

Për shkak të krizës energjetike, në Kosovë është rritur çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve në muaj. 

Pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës ishte zotuar do të ndajë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike, për të subvencionuar shpenzimet e rrymës së qytetarëve dhe bizneseve.

Opozita akuzon pushtetin 

Pas seancës së Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se grupi parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim deri në themelimin e komisionit hetimor.

“Jemi dëshmitarë se sot ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte, Qeveria e pengoi parlamentin të votojë themelimin e një komisioni hetimor për shpenzimet në subvencionimin e sektorit të energjisë. Dhjetëra milionë janë paguar për rrymën e vjedhur në veri. Për këtë arsye dhe shumë tjera, grupi parlamentar i AAK nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës deri në themelimin e këtij komisioni që u formu sot”, ka theksuar Haradinaj.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se pushteti [Lëvizja Vetëvendosje] mund ta vonojë themelimin e këtij Komisioni, por jo ta ndalojë atë.

“Pushteti i [kryeministrit] Albin Kurtit, këtë proces mund ta vonojë por ju siguroj se nuk do të mundet ta ndalojë sepse ju themi sot që të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale potenciale në lidhje me çështjet që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që s’do ti heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik e ligjor për të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar përgjegjsit aty ku e kanë vendin”, ka deklaruar Krasniqi në një konferencë për media.

Sipas Krasniqit, as grupi parlamentar i PDK-së nuk do të votojnë asnjë pikë të rendit të ditës pa u formuar Komisioni hetimor.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se refuzimi i hetimit, sipas tij është shenjë e frikës së pushtetit rreth së vërtetës.

“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundër kushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Abdixhiku ka shtuar se pa themelimin e këtij komisioni hetimor, asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e partisë së tij.

‘Rekomandimi’ i LVV-së për opozitën që Lista Serbe të kryesojë komisionin hetimor

Përplasje mes pushtetit dhe opzitës në Kuvendin e Kosovës ka pasur edhe në lidhje me përbërjen e komisionit hetimor të cilin po e kërkojnë me ngulm partitë opozitare. 

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kritikoi përbërjen e Komisionit hetimor parlamentar për energjinë duke e akuzuar opozitën që po dëshirojnë të ndërrojnë rezultatin zgjedhor.

“Grupi parlamentar i LVV-së nuk e cenon dhe nuk e pengon punën e Kuvendit, në të kundërtën po sigurohemi për ligjshmërinë e një procesi i cili po tentohet në një mënyrë ose tjetrën me ndërru rezultatin zgjedhor. Kjo është përbërja politike në Kuvend”, ka thënë Kusari-Lila në seancën e fundit të legjislativit. 

Madje, ajo i ka propozuar opozitës që mund të kishte kërkuar nga Lista Serbe që të udhëheqë komisionin hetimor pasi sipas saj, nuk është pjesë e pushtetit, koalicionit e as opozitës.

“Nuk keni vota ma shumë, shto këtu faktin që keni mund të kërkoni, sikur mos të kishit kërku mbështetje edhe të Listës Serbe që Lisa Serbë të udhëheqë komisionin hetimor, se nuk është pjesë e pushtetit ose koalicionit qeverisës, as opozitës, por ju e keni blloku veten, sipas ligjit për formimin e komisionit parlamentar dhe i keni marrë edhe dy nënshkrime të deputetëve të Listës Serbe”, kishte thënë Kusari-Lila.

Në kundërpërgjigje të Kusari-Lilës, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se si iniciues të këtij komisioni po kërkojnë formalizimin e këtij procesi duke shtuar se argumentet e Kusari-Lilës janë të papranueshme.

“Ne kemi inciu mocion procedural që ky komision formalisht të propozohet në këtë seancë dhe pastaj komisioni të vazhdojë punën e vet me qëllim që mos të shkojmë edhe një javë. Ne si iniciues të këtij komisioni po kërkojmë formalizimin e këtij procesi dhe sot argumentet e Kusarit janë të papranueshme”, kishte thënë Tahiri.

Për çështjen e deputetëve të Listës Serbe, Tahiri pranoi se i ka kërkuar nënshkrimet nga shumica e deputetëve të LS-së.

“Iu kam kërku shumcës së deputetëve nënshkrimet dhe as Lista Serbe nuk mi ka dhënë. Përjashtim të deputetëve nga komuniteti goran dhe ai romë. Këta dy deputetë mi kanë dhënë nënshkrimet”, deklaroi Tahiri.

Në Ligjin për Hetim Parlamentar përcaktohet se Kryesuesi i komisionit zgjidhet nga radhët e njërit grup parlamentar i cili nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës. 

Haxhiu: Përplasjet në Kuvend, dëmtim i jetës parlamentare 

Hulumtuesja dhe njohësja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu vlerëson se përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe bojkoti opozitar, e dëmtojnë jetën parlamentare. 

Përplasjet e fundit mes shumicës parlamentare dhe opozites, e cila rezultoi në bojkotim të punimeve të Kuvendit nga ana e opozitës, mendoj qe e dëmton jetën parlamentare dhe konsensusin e përgjithshëm që ka ekzistuar tash e një vit mes shumices parlamentare dhe opozites”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Haxhiu tutje ka theksuar se shumicës parlamentare i duhet përkrahja me votë e opozitës dhe kësisoj duhet hapur rrugë formimit të komisionit hetimor. 

“Ndonëse ne aspekt procedural, shumica parlamentare ka të drejtë, mendoj që i takon asaj t’i hapë rrugë formimit të atij Komisioni hetimor, sepse pa përkrahjen e opozites nuk ka mundësi t’i shtyj përpara çështjet që kërkojnë 2/3 e votave siç ishte rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare”, shtoi ai.

Duke folur për aspektin ligjor, hulumtuesja thekson se iniciativa aktuale e opozitës nuk është në përputhje me rregullat ligjore. 

“Problemi me iniciativën aktuale të opozitës është fakti që në formën se si është parashtruar nuk është në perputhje me rregullat siç e parasheh ligji. Kjo për shkak se në listën e nënshkrimeve të iniciatorëve janë të gjitha grupet opozitare dhe kjo ju pamundëson atyre që të zgjedhin kryesuesin, sepse Ligji thotë që kryesuesi duhet të jetë nga radhët e grupeve parlamentare që s’janë pjesë e grupit iniciator dhe nuk i takojnë shumicës parlamentare”, shpjegoi ajo për KALLXO.com. 

Sa i përket ndikimit të komisioneve hetimore parlamentare që janë formuar në të kaluarën, Haxhiu ka teksuar se të njëjtat nuk është që kanë dhënë shume rezultat. 

“Në shumicën e rasteve, raporti final i hartuar nga ato komisione nuk ka marrë miratim final në seancë sepse në instancë të fundit është shumica ajo që ka fuqinë për ta mbështetur ose jo një raport të caktuar me votë në seancë. Në disa raste puna e komisioneve hetimore në të kaluarën ka mbetur ne gjysmë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe sic e dini, rregullorja përcakton që cështjet e papërfunduar të një legjislature kthehen në pikën zero”, ka përfunduar ajo. 

Aspekti ligjor për hetim parlamentar 

Formimi dhe funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare është i paraparë me Kushtetutën e Kosovës,  Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Ligjit për Hetim Parlamentar. 

Akti më i lartë juridik në vend, në nenin 77 pika 2 përcakton se “Kuvendi, me kërkesën e një të tretës (1/3) së të gjithë deputetëve të tij, cakton komisione përnjë çështje të veçantë, duke përfshirë edhe çështje hetimore”.

Ndërkaq, Ligji për Hetim Parlamentar përcakton se Komisioni i themelohet për të hetuar probleme çështje ku janë drejt për së drejti të përfshira përgjegjësit qeveritare apo shtetërore.

Tutje në këtë ligj përcaktohet se Komisioni themelohet me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe të përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të involvuar. 

Sa i përket procedurës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, në ligj përcaktohet se të drejtën për të iniciuar procedurën për themelimin e Komisionit e kanë gjashtë deputetë, një Komision i përhershëm parlamentar dhe një e treta  e anëtarëve të Kuvendit (40 deputetë).

“Propozimi për themelimin e Komisionit i dorëzohet Kryesisë se Kuvendit me shkrim dhe duhet të përmbaj çështjen e cila do të hetohet, arsyetimin, nënshkrimin e grupit nismëtar, propozimin për numrin e anëtarëve të Komisionit dhe afatin kohorë brenda të cilit duhet të mbaroj mandati i Komisionit i cili nuk mund të jetë me i gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet tutje. 

Kurse, në rastet kur kërkesa për themelimin e Komisionit parashtrohet nga një e treta e deputetëve, Kuvendi detyrimisht në seancë plenare themelon Komisionin për çështjen e kërkuar.

Ndërsa, në rastet e iniciativës nga një komision i përhershëm parlamentar ose grup deputetësh qe përbejnë më pak se një e treta e anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi mund të vendoëe me shumicë të thjeshtë të votave për ngritjen e Komisionit.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës përcakton se Kuvendi mund ta formojë një komision ad hoc, që e ka autoritetin e komisionit funksional.

“Komisioni ad hoc është komision i përkohshëm, i cili merret me shqyrtimin e një çështjeje të veçantë”, thuhet ne nenin 71 të rregullores. 

Sipas kësaj rregullore, kur Kuvendi e identifikon një çështje të rëndësisë së veçantë, e autorizon komisionin ad hoc për ta ftuar secilin zyrtar të Kosovës, që e sheh të arsyeshme, për të dëshmuar para komisionit. 

Kuvendi përcakton: procedurën, kohëzgjatjen e funksionimit të këtij komisioni, si dhe shpenzimet e mundshme të punës së tij.