Abdixhiku për komisionin hetimor për energjinë: Refuzimi i hetimit, është shenjë frike e pushtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas dështimit të formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se refuzimi i hetimit, sipas tij është shenjë e frikës së pushtetit rreth së vërtetës.

“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundër kushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar në rrjetin social “Facebook”.

Abdixhiku ka thënë se pa themelimin e këtij komisioni hetimor, asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Abdixhhiku

Abdixhiku ka treguar se pjesë e hetimit nga ky komision ishin edhe punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës

“Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK”, ka njoftuar Abdixhiku.

Ai tutje ka theksuar se nuk ka interes tjetër se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave duke shtuar se “kushdo që frikohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë”.

Me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.

Deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK pas mos votimit të këtij komisioni kishin lëshuar sallën e Kuvendit.

Nuk formohet komisioni hetimor për krizën energjetike, opozita lëshon sallën