Dështon raportimi i ministres Haxhiu, opozita vendos kusht që të miratohet komisioni hetimor për energjinë

Komisioni për Integrim Evropian, ka dështuar të mbahet pasi deputetët opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në votime deri sa të miratohet Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovë i cili dështoi të votohet dje në Kuvend.

Në komision si pikë e rendit të ditës ishte raportimi i ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Blerta Deliu Kodra ka folur në emër të PDK-se nuk do të marrim pjesë në asnjë miratim të projektligjeve deri sa nuk votohet komisioni hetimor.

“Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim të projektligjeve përderisa nuk miratohet komisioni hetimor prej përfaqësuesve të mazhorancës. Ne kemi pas dy tentativa dhe e keni pa që dje ka dështuar të votohet një komision i tillë i cili natyrisht që vendos dritë mbi ato shumë parregullsi që kanë ndodh në proces të shitjes së energjisë elektrike por edhe shumë punësime që kanë ndodh në KEK”, tha ajo.

Deliu Kodra e ka quajtur mos miratimin e këtij komisioni “arrogancë e pushtetit”.

“Mazhoranca duhet të jetë e vetëdijshme që duhet ta përkrah dhe ti hap rrugë këtij procesi sepse është e drejtë kushtetuese”, tha ajo.

Edhe Time Kadrijaj nga AAK tha se nuk votojnë deri të votohet komisioni hetimor.

“Ky komision nuk i plotëson kushtet për të ecë tutje arsyet i dini si opozitë që nuk votomë as rend dite as asgjë deri sa të votohet komisioni hetimor dhe të respektohet opozita të mos sjellën me arrogancën e numrave”, tha ajo.

Agon Batusha nga Lëvizja vetëvendosje, tha se ka metoda të ndryshme qysh opozita mund ta jep mendimin e vet qoftë duke bojkotuar.

“Është vendim i tyre dhe ne për çështjen e komisionit hetimor do të vazhdojnë të flasin shefat e grupeve”, tha ai.

Kurse kryetarja e komisionit Rrezarta Krasniqi nga LDK e ka mbyll punën e komisionit.

“Edhe në si LDK i kemi dhënë qëndrimin tonë dje. Sot nuk kemi vendimmarrje me vazhdu këtë mbledhje dhe shihemi në takimin e radhës”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu duke u larguar nga komisioni tha se “në të kaluarën ka qenë shumë vështirë që ministrat me qenë në komisione. Tash ministrat po vine e opozita s’po pajtohen”.