Betja e sinjalizuesit për tu kthyer në Bordin e “Trafikut Urban”

Genc Broqi, ish-anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” ka nis një betejë ligjore nga ky muaj. Broqi, i cili ka një përvojë menaxheriale mbi njëzetë vjeçare në organizata vendore e të huaja, po pretendon se iu bë e padrejtë atij dhe disa kandidatëve të tjerë, ish-anëtar të Bordit në “Trafik Urban” kur nuk u përzgjodhën në një konkurs publik si anëtar të Bordit nga Aksionarët e kësaj ndërmarrjeje.

Aksionarët e Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” emëruan Bordin e ri pa konkurs publik në janar të këtij viti, ani se kishte një konkurs publik paraprakisht për zgjedhjen e tyre, ai ishte anuluar. Emërimi i Bordit të ri u bë duke e anashkaluar Ligjin për Ndërmarrjet Publike i cili parasheh zgjedhjen e anëtarve përmes një konkursi publik.

Duke e parë si rrodhën gjërat, Genc Broqi më 26 prill dorëzoi një padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku kundërshtoi emërimin e Bordit të ri të “Trafikut Urban” dhe kërkoi masë të sigurisë ndaj vendimit.

Ish-anëtari i bordit po pretendon se Komisioni i Aksionarëve i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” iu hakmorrë pasi ai përpiloi një raport të detajuar me dyshime se në këtë ndërmarrje kishin ndodh disa keqpërdorime. Tani, ai ka nis një betejë për drejtësi mbi vendimin e Aksionarëve të “Trafiku Urban”.

“Theksojmë se caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për shkak se anëtarët aktual të bordit të drejtorëve mund të nxjerrin vendime të tjera dhe të shkaktojnë kundërligjshmëri zingjirore me vendimet e tyre edhe për faktin se kanë mandat vetëm tre vjeçar, e që brenda kësaj periudhe ka rrezik që çështja kryesore sipas kërkesëpadisë së paditësit të mos përfundoj”, deklaroi avokati Urim Vokshi i cili përfaqësoi Genc Broqin në seancën e parë të mbajtur më 17 qershor të këtij viti.

Sipas padisë, Broqi kishte aplikuar në këtë konkurs, pasi që në mandatin e kaluar nga data 27 korrik 2017 e deri më 27 korrik 2020, paraprakisht kishte qenë anëtar i këtij bordi. Mandatin e kaluar Broqi në këtë pozitë ishte përzgjedhur nga komisioni i aksionarëve sipas një konkursi publik të shpallur në atë kohë.

Konkursi i ri ishte shpallur me datë gusht 2020 dhe kishte qenë i hapur deri më 27 gusht 2020.Pretendimi i paditësit Genc Broqi është se në konkursin e ri, ndonëse i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, pas aplikimit, nuk është ftuar e as njoftuar në mënyrë zyrtare për zhvillimin e këtij procesi.

Denoncimi i keqpërdorimeve në “Trafikun Urban”

Genc Broqi, në cilësinë e anëtarit të Bordit të Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”, ku kryesonte edhe komitetin e auditimit, në qershor të vitit të kaluar kishte përpiluar një raport të detajuar për dyshime se në këtë ndërmarrje publike lokale ka keqpërdorime. Raportin e kishte dorëzuar te kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti por edhe te anëtarët e Komisionit të Aksionarave, Genc Bashota, Ardian Berisha dhe Bukurije Canolli.

Raporti i Auditimit fliste për keqpërdorime të ndryshme, duke përfshirë punësime pa kritere, favorizime por edhe blerjen e një veture për nevoja të Kryeshefit Ekzekutiv e cila paraprakisht kishte qenë pronë e ish-kryesuesit të Bordit, Ruhan Beha.

Të gjitha gjetjet në këtë raport nuk morën shumë parasysh nga Aksionari. Andaj, Broqi vendosi që të njëjtat t’i bëj publike dhe të flas para mediave.

Emisioni KallxoPernime më 14 prill të këtij viti emitoi hulumtimin “Pazaret në Trafikun Urban” ku edhe publikoi dyshime për keqpërdorime në këtë ndërmarrje publike lokale.

Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban

Në qershor të vitit të kaluar, një veturë e cila kishte qenë në pronësi të ish-kryesuesit të bordit të ndërmarrjes publike Trafiku Urban, Ruhan Beha, përfundoi në pronësi të kësaj ndërmarrjeje.

Hulumtimi i KallxoPernime kishte zbardh detajet për blerjen e veturës e cila sipas Agjencisë së Regjistrimit Civil, Departamentit për regjistrimin e veturave, vetura e tipit Passat, ngjyrë e zezë e vitit 2009 që nga data 29.04.2015 ishte në pronësi të Ruhan Behës, ish-kryesues i bordit të Trafikut Urban.

Ndërsa, më 25.06.2019 vetura kishte kaluar në emër të një auto-salloni nga Prishtina. Ndërsa, vetëm një ditë më pas, më 26.06.2019 vetura kaloi në pronësi të ndërmarrjes Trafiku Urban.

Këtë e kishte konfirmuar në një intervistë edhe sinjalizuesi dhe ish-anëtari i bordit të drejtorëve të Trafikut Urban, Genc Broqi.

“Veturën e vet personale kryesuesi ia ka shitë Trafikut Urban, por nuk është shitë direkt por janë shku me disa metoda për me kamuflu dhe ka shku në prokurim, ai zyrtari nuk ka ditë, mirëpo komplet procesi ka qenë i planifikuar më herët”, kishte thënë Genc Broqi.

Vetura kishte kushtuar 13 mijë e 390 euro ndërsa sipas Broqit, çmimi real i treguar ishte përgjysmë më lirë.

“Trafiku Urban e ka blerë veturën 13 mijë e diçka, por ne siç e kemi pasë vlerësuar me çmim të tregut, diku ajo veturë bën 6 mijë e 500 euro, dyfish prej çmimit real në treg”, deklaronte ai.

“57 persona u punësuan para zgjedhjeve të 2019-tës pa procedura ligjore”

Genc Broqi kishte denoncuar edhe disa punësime që kishin ndodhur gjatë vitit 2019 në “Trafikun Urban”, pa procedura ligjore.

Ai deklaronte se për këtë kishte njoftuar edhe aksionarin por edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ne nuk kemi qenë në dijeni, sepse ato është dashtë me i aprovu, linjat buxhetore, por ne e kemi marrë vesh kur i kemi auditu. 24 persona janë hy me kontrata me shërbime, mbasandej i kanë ndreq ato më vonë po ne s’i kemi ditë. Gjatë auditimit të fundit, i kemi lypë listat e rrogave, kur i kam krahasuar listat e pagave më herët dhe këto të dhjetorit të 2019, mua më ka dalë që 57 veta janë të punësuar në atë periudhë dhe ne nuk kemi ditë. Para zgjedhjeve por ne nuk e kemi ditë dhe kam nis me vetë, me thonin nuk e dimë, unë u thojsha: ‘lejleku i paska pru këta’”, deklaronte ai.

Dyshimet për favorizim në punësim të gruas së ish-kryesuesit të Bordit

Sinjalizuesi Genc Broqi kishte denoncuar edhe prapaskenat e punësimit të gruas së ish-kryesuesit të Bordit të “Trafikut Urban”, Ruhan Beha. Nga auditimi i brendshëm, Broqi kishte zbuluar se në shtator të vitit 2019, një kontratë ishte nënshkruar nga kryeshefi i ndërmarrjes publike lokale Trafiku Urban për punë praktike të Lendita Behës, gruan e Ruhan Behës.

Gruaja e ish-kryesuesit të Trafikut Urban kishte një pagë prej 400 eurove, jo si të gjithë praktikantët në këtë ndërmarrje. Në kontratë thuhej që Lendita Beha ka pozitën e punës praktike në Teknologji Informative, por punën ajo e kryente në Departamentin e financave.

Më vonë, ish-kryesuesi i Bordit, Ruhan Beha do të përfundonte në burg për presion ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv, Lulzim Rexhepaj, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar që gruaja e tij të punësohej me kontratë të rregullt të punës.

Të gjitha këto gjetje, Genc Broqi i kishte paraqitur edhe brenda mekanizmave vendimmarrës në Komunën e Prishtinës por kishte vendos që të flas edhe publikisht në media.