Seanca dëgjimore në rastin ndaj Trafikut Urban në Prishtinë

Ish-anëtari i bordit të drejtorëve të Trafikut Urban në Prishtinë, pretendon se bordi i ri u zgjodh kundërligjshëm

Genc Broqi, ish-anëtar i bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” në Prishtinë, po pretendon se Komisioni Komunal i Aksionarëve të Ndërmarrjes kanë bërë shkelje gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të bordit.

Broqi i cili kishte aplikuar edhe për një mandat të ri në këtë bord, po pretendon se me rastin e emërimit të bordit të ri të drejtorëve janë shkelur të drejtat e të gjithë kandidatëve të cilët kanë aplikuar në konkurs.

Për shkak të parregullsive që po pretendohet se janë bërë me rastin e emërimit të bordit të ri, në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, për të shqyrtuar kërkesën e paditësit për caktimin e masës së sigurisë, përfaqësuesi ligjor i paditësit Genc Broqit, avokati Urim Vokshi, kërkoi nga Gjykata që të nxjerrë masën e sigurisë me ç ‘rast do t’i ndalohet bordit të drejtorëve të rinj marrja e vendimeve të reja, për të mos shkaktuar më tej kundërligjshmëri ligjore.

“Theksojmë se caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për shkak se anëtarët aktual të bordit të drejtorëve mund të nxjerrin vendime të tjera dhe të shkaktojnë kundërligjshmëri zingjirore me vendimet e tyre edhe për faktin se kanë mandat vetëm tre vjeçar, e që brenda kësaj periudhe ka rrezik që çështja kryesore sipas kërkesëpadisë së paditësit të mos përfundoj”, deklaroi avokati Urim Vokshi.

Avokati Vokshi i kërkoi gjyqtares së rastit Fatbardha Uka Ibrahimi, që çështja kryesore sipas kërkesëpadisë të trajtohet sa më shpejtë që të jetë e mundur pasi që një gjë e tillë sipas avokatit është në interes të përgjithshëm publik.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Komunës së Prishtinës, avokati Arbër Istrefi deklaroi se Komuna edhe më tej e kundërshton propozimin për caktimin e masës së sigurisë me arsyetimin se vendosja e masës së sigurisë ndaj Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” në Prishtinë, do të dëmtonte punën dhe procesin e vendimmarrjes pasi që do të shkaktonte bllokimin e punës së ndërmarrjes.

Madje përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës tha se sipas Ligjit për Shoqëri Tregtare është në kompetencë të vet aksionarit, në këtë rast të ndërmarrjes, që të bëjë vet përzgjedhjen e bordit dhe që nuk është domosdo e përcaktuar se një gjë e tillë duhet të bëhet sipas konkursit. Sipas avokatit Arbër Istrefi, dispozitat e Ligjit të Punës nuk gjejnë zbatim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të ndërmarrjes.

Mirëpo një konstatim të tillë e kundërshtoi përfaqësuesi i paditësit, avokati Urim Vokshi i cili deklaroi se raporti i anëtarëve të bordit me ndërmarrjen publike është raport i marrëdhënies së punës pasi që të njëjtit marrin pagë dhe gëzojnë të drejtën e pushimit vjetor, të drejta këto që rregullohen me Ligjin e Punës.

Lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë dhe padinë u deklaruan edhe përfaqësuesit e të paditurës së dytë, Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” në Prishtinë.

Përfaqësuesi ligjor i ndërmarrjes Florent Tahiraj tha se në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, kompetencë për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të drejtorëve ka Komisioni Komunal i Aksionarëve dhe se Ndërmarrja në këtë rast as juridikisht e as praktikisht nuk është pjesë e këtij procesi. Sipas tij, ndërmarrja e ka pranuar vetëm vendimin mbi emërimin e anëtarëve të rinj dhe se rrjedhimisht nuk kanë dijeni se si ka shkuar procesi i përzgjedhjes së tyre.

Paditësi Genc Broqi ka ushtruar padi ndaj vendimit të Komisionit Komunal të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” Prishtinë, lidhur me mënyrën e përzgjedhjes dhe emërimit të bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

Sipas padisë, Broqi kishte aplikuar në këtë konkurs, pasi që në mandatin e kaluar nga data 27 korrik 2017 e deri më 27 korrik 2020, paraprakisht kishte qenë anëtar i këtij bordi.

Mandatin e kaluar Broqi në këtë pozitë ishte përzgjedhur nga komisioni i aksionarëve sipas një konkursi publik të shpallur në atë kohë.

Konkursi i ri ishte shpallur me datë gusht 2020 dhe kishte qenë i hapur deri më 27 gusht 2020.

Pretendimi i paditësit Genc Broqi është se në konkursin e ri, ndonëse i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, pas aplikimit, nuk është ftuar e as njoftuar në mënyrë zyrtare për zhvillimin e këtij procesi.

Tutje Broqi po pretendon se sipas informatave që ai ka siguruar, komisioni nuk ka zhvilluar asnjë procedurë, por që sipas një vendimi të datës 18 shkurt 2021, të protokolluar më 1 mars 2021, shihet se komisioni i aksionarëve ka emëruar bordin e ri të drejtorëve të NPK “Trafiku Urban”, duke mos zhvilluar asnjë procedurë ligjore.

Kujtojmë se KALLXO.com ka raportuar për emërimin e bordit të Trafikut Urban, me mandat 3 vjeçar pa konkurs publik.

Në gusht të vitit të 2020, anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve të ndërmarrjes publike lokale “Trafiku Urban” hapën një konkurs për zgjedhjen e bordit të ri të drejtorëve me mandat 3-vjeçar.

Por, më pas me 19 janar 2021 të këtij viti nxorën një vendim ku e anuluan konkursin, me arsyetimin se nuk ishte përmbushur numri i mjaftueshëm i aplikuesve të cilët i kishin përmbushur kriteret e konkursit.

Një muaj më pas, më 18 shkurt 2021, komisioni i aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje nxori një vendim të ri për emërimin e bordit të drejtorëve. Në vendim, neni 3 tregonte se bordi i drejtorëve ka mandat 3-vjeçar.

Në një intervistë për #KallxoPernime, ish-aksionari i Trafikut Urban, Adrian Berisha, e ka pranuar se emërimi i bordit të ri u bë pa një konkurs paraprak.

“Ideja ka qenë që, edhe në komunikimet që kemi pas me zyrën ligjore, bordi është i përkohshëm, dhe pastaj kemi mendu me hapë një konkurs të ri. Nëse vendimi është jo legjitim, ne presim një verdikt nga zyra ligjore edhe Trafikut Urban edhe nga Komuna e Prishtinës”, kishte thënë Adrian Berisha.