Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban

Vetura personale e Ruhan Behes, ish- kryesuesit të bordit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” ka kaluar në pronësi të kësaj ndërmarrje pa asnjë procedurë të prokurimit.

Hulumtimi i KALLXO.com zbardh detajet e kurdisjes së tenderit për blerjen indirekte të veturës personale të ish-kryesuesit me një çmim dyfishë më të lartë se sa çmimi i tregut.

KALLXO.com ka zbuluar se vetura e tipit Passat ishte në pronësi të kryesuesit të atëhershëm të bordit Ruhan Behes nga data 29 prill 2015 deri me datë 25 qershor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Departamentit për regjistrimin e veturave, vetura e tipit Passat ka kaluar në pronësi të një autosalloni me qendër në Prishtinë me datën 25 qershor 2019.

Vetëm një ditë më vonë, sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil, kjo veturë ka kaluar në pronësi të Ndërmarrjes së Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban”.

Në ueb-faqen e prokurimit elektronikë nuk figuron asnjë tender i hapur nga “Trafiku Urban” për blerje të veturës në atë kohë.

KALLXO.com ka gjetur se tenderi për blerjen e veturës nga “Trafiku Urban” ishte hapur dy muaj më vonë, kurse kontrata ishte nënshkruar vetëm me datë 9 tetor 2019 apo 3 muaj e gjysmë pasi vetura kishte kaluar në pronësi të “Trafikut Urban”.

“Trafiku Urban” kishte paguar 13 mijë e 390 euro për këtë veturë, që sipas Auditorit të brendshëm të kësaj ndërmarrje vlera në treg ishte në mes të 6,500 – 7,500 euro, duke konstatuar se ndërmarrja ishte dëmtuar për rreth 6 mijë euro.

Tenderi i kurdisur

KALLXO.com ka zbuluar se “Trafiku Urban” e kishte hapur tenderin me datë 28 gushtë për blerjen e një veture, që tashmë e kishte në pronësi me letra.

Kjo ndërmarrje ja kishte përshtatur në plotëni specifikacioneve që fitues i këtij tenderit të ishte operatori ekonomikë të cilët ia kishte shitur veturën ish-kryesuesi i bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Në mesin e specikacioneve që ishin në tenderin e Trafikut Urban të hapur dy muaj pasi vetura kishte kaluar në pronësi të saj, ishte edhe kilometrat e kaluara. Trafiku Urban kishte kërkuar të blinte një veturë që kishte të kaluara 150,000-165,000, pra duke lënë vetëm 15 mijë kilometra diferencën.

Ngjyra e veturës ishte caktuar po ashtu në njoftimin për kontratë, pra kërkohej një veturë me ngjyrë të zezë të njëjtë me veturën e ish-kryesuesit të bordit. Edhe viti i prodhimit ishte caktuar në mes të vitit 2008 dhe 2010.

E të dhënat e siguruara nga Agjencisë së Regjistrimit Civil thonë se vetura që ishte në pronësi të Ruhan Behas ishte “veturë e markës VË, modeli; pasat, ngjyra e zezë, viti i prodhimit 2009”.

Në këtë tender kishte ofertuar vetëm operatori ekonomik “N.T.P Vlora”, më pronar Adnan Krasniqin. Kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë dhe kontrata me të ishte nënshkruar me datën 9 tetor 2019 për blerjen e kësaj veturë në vlerë 13 mijë e 390 euro.

KALLXO.com e ka siguruar raportin e Auditorit të brendshëm për këtë aktivitet të prokurimit. Auditori ka gjetur se gjatë kohës sa ishte i hapur tenderi për blerjen e veturës, kryesuesi i bordi Ruhan Beha kishte qasje në “E-Prokurim”.

“Gjatë auditimit kemi hasur në informata që kryesuesi i bordit ka pasur qasje edhe në platformën e prokurimit dixhital KRPP dhe i ka monitoruar proceset e prokurimit. Kjo sipas ligjit për ndërmarrjet publike 03/L087 neni 16 pika 16.6 përbën shkelje duke ndërhyrë në kompetencat ekzekutive, thuhet në raportin e Auditorit.

Këmbëngulja e kryesuesit të bordit për blerjen e veturës

Gjetjet e hulumtimit janë konfirmuar edhe nga ish-anëtari i bordit dhe kryesuesi i komitetit të auditimit të brendshëm, Genc Broqi.

Ai ka thënë se procesi i blerjes së veturës ishte i manipuluar.

“Veturën e vet personale kryesuesi ia ka shitë Trafikut Urban, por nuk është shitë direkt por janë shku me disa metoda për me kamuflu dhe ka shku në prokurim, ai zyrtari nuk ka ditë, mirëpo komplet procesi ka qenë i planifikuar më herët”, ka thënë Genc Broqi.

Tutje, ish-anëtari i bordit ka thënë se ky organ mbikëqyrës nuk kishte dhënë dritën e gjelbër për blerjen e veturës. Ai tha se për të nuk kishte as mjete financiare për ta blerë.

“Trafiku Urban e ka blerë veturën 13 mijë e diçka, por ne siç e kemi pas vlerësuar me çmim të tregut, diku ajo veturë bën 6 mijë e 500 euro, dyfish prej çmimit real në treg”, ka thënë Broqi.

Këto shqetësime, Broqi thotë se i kishte adresuar në momentin kur e kishte kuptuar edhe tek aksionari, Komuna e Prishtinës, por kishin munguar reagimet.

Në anën tjetër, Lulzim Rexhepaj, kryeshef i ndërmarrjes Trafiku Urban ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që vetura të cilën e vozit sot kishte qenë në të kaluarën në pronësi të ish-kryesuesit të bordit, Ruhan Beha.

“Vetura është blerë me procedura të rregullta të prokurimit dhe ne nuk kemi blerë ndonjë person privat por ne kemi blerë nga një operator ekonomik. Unë nuk kam qenë në dijeni që ajo ka qenë në pronësi të ish-kryesuesit, unë nuk përzihem në procedura të prokurimit”, ka thënë Rexhepaj.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe Ruhan Behën, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Në anën tjetër, vëllai i Ruhën Behës, Bashkim Beha, i cili ishte edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e PSD-së, ka mohuar të jetë në dijeni për rastin e shit-blerjes së veturës.

“Nuk e di, nuk po e disha për këtë”, ka thënë shkurt përmes telefonimit Beha.

Ndërmarrja Publike Lokale Trafiku Urban në vitin 2019 nuk qëndronte mirë në aspektin financiar. Por, përkundër kësaj, ndërmarrja kishte vendosur që të blejë një veturë për nevoja të kryeshefit, Lulzim Rexhepi.

Me këtë, nuk ishin pajtuar anëtarët e Bordit të Trafikut Urban. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Genc Broqi, ish-anëtar i bordit i cili ishte edhe kryesues i komitetit për audiditim.

“Për blerjen e veturës nuk ka pasur mjete të mjaftueshme dhe është kërkuar që me revidimin e buxhetit të rialokohen mjetet. Për këtë rialokim të mjeteve, për veturën e kryeshefit ne të tre anëtarët (e bordit) kemi qenë kundër dhe kemi refuzuar”, ka thënë Broqi.

Ndërsa, përmes telefonit, edhe avokati i Ruhan Behës, Flakron Sylejmani ka thënë se nuk është në dijeni për këtë rast.