Ish-anëtari bordit të Trafikut Urban: 57 persona u punësuan para zgjedhjeve të 2019-tës pa procedura ligjore

Ish-anëtari i bordit të ndërmarrjes publike lokale Trafiku Urban, Genc Broqi, ka thënë se disa punësime kanë ndodhur gjatë vitit 2019 në këtë ndërmarrje pa procedura ligjore.

Ai, në një intervistë për “Kallxo Pernimë” ka thënë se për këtë është njoftuar edhe aksionari dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ne nuk kemi qenë në dijeni, sepse ato është dashtë me i aprovu, linjat buxhetore, por ne e kemi marrë vesh kur i kemi auditu. 24 persona janë hy me kontrata me shërbime, mbasandej i kanë ndreq ato më vonë po ne s’i kemi ditë. Gjatë auditimit të fundit, i kemi lypë listat e rrogave, kur i kam krahasuar listat e pagave më herët dhe këto të dhjetorit të 2019, mua më ka dalë që 57 veta janë të punësuar në atë periudhë dhe ne nuk kemi ditë”, ka thënë Broqi.

“Para zgjedhjeve por ne nuk e kemi ditë dhe kam nis me vetë, me thonin nuk e dimë, unë u thojsha: ‘lejleku i paska pru këta’”, deklaroi ai tutje.

“Ne këto i kemi marrë edhe ia kemi bashkëngjitë raportit që ia kemi dorëzuar aksionarit dhe kryetarit”, tha ai në emisionin “Kallxo Pernime”.

Por, këto pretendime i kanë mohuar nga Komuna e Prishtinës.

Adrian Berisha, i cili për disa vite ishte pjesë e komisionit si përfaqësues i aksionarit thotë se nuk kanë qenë në dijeni.

“Jo, unë personalisht nuk kam qenë në dijeni. Nuk kemi pasë një raport nga bordi për këtë. Nëse është marrë një vendim i tillë, duhet të marrë përgjegjësi kryeshefi dhe bordi”, tha ai.