Besa e Prokurorëve
Disa të shtyrë nga parime, e disa nga inatet personale, anëtarët e KPK-së në katër javët e fundit treguan shumëçka për sistemin dhe njëri-tjetrin. Anëtarët e KPK-së na treguan se deklaratat që për shumë vjet i kemi dëgjuar për Prokurorinë e reformuar dhe të pandikuar ishin vetëm përralla të bukura.
Anëtarët e KPK-së na dëshmuan se për ta ligji është çështje dytësore, kurse fjala e dhënë ka më shumë peshë sesa Kushtetuta, Ligji e Rregullorja.
Pra, të parët e drejtësisë më 17 mars të këtij viti, ia dhanë besën njëri-tjetrit që duke përdorur ligjin e Kanunit për dy javët e ardhshme do jetonin në paqe dhe harmoni me njëri -tjetrin. Kjo ndodhi në takimin e thirrur nga Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë. Më e keqja këtu është se bartësit e drejtësisë i pajtoi mes vete një njeri i politikës.
Pas takimin me Kuçin, ishte vetë kryeprokurori që kumtoi pajtimin mes palëve në një konferencë para gazetarëve.
Dy muaj më parë kur po i intervistoja kandidatët për kryeprokuror, kuptova një fakt interesant-jo të gjithë kishin hyrë në garë për ta fituar atë, thjesht nuk besonin se ishin të aftë për ta kryer këtë detyrë.
Përfundimi ishte-pesë nga gjashtë kandidatët u tërhoqën nga gara. Shtrohet pyetja a ishte i dizajnuar qysh në fillim dështimi i procesit?
Përgjigjet janë diskutabile. Disa thonë se kandidatët u tërhoqën nga gara për shkak se nuk i besuan sistemit, e të tjerët thonë se tërheqja ishte e koordinuar dhe synonte prishjen e procesit.
Kush dhe çka koordinoi, kjo duhet të jetë subjekt i një hetimi të gjatë të kryer nga Zyra e Prokurorit Disiplinor dhe Prokuroria e Shtetit.
Dorëheqjet duhet të hetohen, mirëpo kjo ende nuk është kërkuar nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Sylë Hoxha.
Prokurori nga Prizreni shpërtheu të hënën në akuza për kolegët e tij, për shkak se këta të fundit nisën një iniciativë për ta shkarkuar nga pozita që po e mban tash e disa muaj.
Në fjalimin e tij prej 14 faqesh, Sylë Hoxha “majti ders” për shumë keqpërdorime të cilat sipas tij kishin ndodhur në sistemin prokurorial të vendit.
Po të ishin të vërteta ato çfarë i tha Hoxha, 6 prokurorë të vendit është dashur të shkonin ose në shtëpi, ose në Dubravë. Mirëpo, të nesërmen nuk ndodhi kjo.
Prokurorët nuk u shkarkuan dhe askush nuk shkoi në Dubravë.
Më e keqja ishte se Sylë Hoxha, njeriu me autorizimet më të mëdha ligjore në vend në fushën e ndjekjes penale, tha se i vinte keq për deklaratat e tij. Pra kryeprokurorit i erdhi keq për shkak se në fjalimin e tij zbuloi disa keqpërdorime të kolegëve të tij.
Në një sistem ku sundon ligji, kryeprokurorit nuk do i vinte keq për akuzat, ai do ishte në ballë të luftimit të keqpërdorimeve të supozuara të cilat do të përfundonin me dhënie të përgjegjësisë. Por në sistemin tonë juridik e kushtetues çështjet zgjidhen duke përdorur institute të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Më mirë t’a japim besën njëri-tjetrit se do e mbyllim gojën siç ndodhi në takimin me Kuçin, sesa të nisin hetime dhe t’i dërgojmë në burg përgjegjësit.
Me këtë logjikë Sylë Hoxha u dorëzua, ai u ra pishman fjalëve të tij dhe u ul në një tavolinë me ata të cilët i quajti shkelës të ligjit. Për U.D.-në, ulja në një tavolinë me shkelës të ligjit duket se nuk është problem.
Këtu kujtojmë se disa muaj më parë ai e ftoi në një konferencë kryetarin e dënuar të Prizrenit Ramadan Mujën.
Në këso rastesh kur të akuzuarit publikisht për shkelje ligji dhe kryetarët e dënuar ulen afër kryeprokurorit, lirisht mund të vijmë te konstatimi se prokurorët tanë nuk e kanë problem të qëndrojnë afër shkelësve të ligjit.
Apo edhe këtu po përdoret instituti i “Besës”. Për ata që nuk e dinë, kur dikush ka pasur “besë”, ka shpëtuar nga sanksioni që e ka paraparë Kanuni.
Me fjalimin e ti U.D. i kryeprokurorit na dëshmoi se ai është një denoncues i keqpërdorimeve. Por a është detyrë e kryeprokurorit ta denoncojë keqpërdorimin, apo ta luftojë atë. Në sisteme normale kryeprokurorit nuk do i shkonte në mendje ta bënte të parën. Detyra e tij është t’i dërgojë kriminelët në burg.
Sylë Hoxha akuzoi Prokurorinë Speciale për mospunë. E vërtetë që të gjithë ne jemi të pakënaqur me punën e kësaj prokurorie, mirëpo Sylë Hoxha harroi të përmend se prokurorët e tij të Prizrenit nuk ishin të gatshëm të hetonin kryetarin e komunës Ramadan Mujën, lënda e të cilit u hetua nga Prokuroria Speciale.
Ai harroi të përmendë se kolegët e tij nuk kanë guxim të bëhen pjesë të kësaj prokurorie, e cila edhe pse e themeluar në vitin 2006, asnjëherë nuk pati mjaft prokurorë.
U.D. i kryeprokurorit na tregoi publikisht se vajza e kryeprokurorit të Gjilanit Jetish Maloku punon në zyrën e Prokurorit Disiplinor. U.D.-ja kërkoi të dijë nëse puna e vajzës së prokurorit ishte në konflikt interesi.
Pra, U.D. ja u mor edhe me punësimet, por në fjalimin e tij nuk tha asnjë fjalë për kolegun e tij Florent Muçaj përfaqësuesit të shoqërisë civile, i cili publikisht u tha se erdhi në këtë pozitë me ndikimin e Sylë Hoxhës. I pari i prokurorisë nuk tha asnjë fjalë për akuzat se ai ndikoi tek anëtarët e komisionit që Muçaj të ishte i përzgjedhuri i vetëm i komisionit. U.D.-ja nuk tha asnjë fjalë për skandalin e SMS-ve të cilin Muçaj dhe të tjerët e shkaktuan. Nuk tha asgjë për grupet e përfolura kriminale në KPK.
Ndoshta për këto dyshime është dhënë “Besa” se nuk do bëhen publike.
Në tërë debatin për keqpërdorime dhe grupe të dyshimta pamë edhe një gjë-nënshtrimin e prokurorëve para politikës.
Në takimin me ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçin, kryeprokurorët dhe prokurorët i dhanë besën njëri-tjetrit që për disa javë të bëjnë paqe dhe të mos e ngacmojnë njëri-tjetrin.
Mbetet të shihet nëse kjo paqe do t’i marrë me vete dhe do t’i lë në harresë të gjitha akuzat të cilat u thanë gjatë këtyre javëve. Heshtja për ato çfarë u thanë është gjëja më e keqe që do i ndodhte sistemit prokurorial të vendit.