Mëmësi në Akull: Gratë Përballen me Mëdyshjen mbi Ngrirjen e Vezëve
“Nuk pata menduar kurrë se do të bëhem 35 vjeç pa pasur ende familje. Unë i kam bërë të gjitha sipas rregullave – shkollën, universitetin, punën…. Por mëmësia është e vetmja gjë në listën time të gjërave që duhet të bëj në jetë për të cilën kam frikë se nuk do ta realizoj,” thotë Ivana, një juriste nga Beogradi.
Prindërit e saj kanë ndaluar tashmë prej kohësh të bëjnë pyetjen e lodhshme: “Çfarë po pret më?” Ajo beson se ata kanë hequr dorë nga ideja e të bërit gjyshër. Ivana kërkoi që mbiemri i saj të mos përdoret në këtë artikull, pasi ndjen se ajo i ka zhgënjyer prindërit e saj. Në moshën e saj, nëna e saj sakaq pati bërë dy fëmijë – Ivana, që në atë kohë qe shtatë vjeç dhe vëllai i saj, i cili qe pesë vjeç.
“Unë jam ende beqare, pa fëmijë dhe nuk mendoj se do të më ndryshojë statusi tani shpejt,” thotë Ivana ndërsa pi kafe në një kafene në qendër të qytetit. Ajo rikujton një artikull që e ka lexuar në gazetën Politika dhjetorin e kaluar. Artikulli raportonte se pothuajse gjysma e grave nën 30 vjeç në Beograd sot nuk ka fëmijë.
“Nuk jam e sigurtë nëse ndjehem më mirë tani kur mendoj se kaq shumë prej nesh nuk kanë fëmijë, apo duhet të filloj të shqetësohem seriozisht,” më thotë ajo. “Po, kam filluar të shqetësohem.”
Ivana thotë se shumë nga shoqet dhe koleget e saj janë në një situatë të ngjashme, me frikën se – për shkak se rriten në moshë dhe fertiliteti i tyre ulet – të bërit nënë do të bëhet e pamundur. Dy shoqe të martuara të saj kanë bërë fëmijë me ndihmën e fertilizimit in vitro, IVF.
“Ti je thjesht e pavetëdijshme se sa shpejt kalojnë vitet. Papritur, ti kupton se je pranë fundit dhe do të jepje gjithçka për të kthyer kohën pas ose për ta ngadalësuar atë,” thotë Ivana.
Por a ka një mënyrë për t’ia hedhur natyrës dhe të ngadalësosh orën biologjike? Nga fundi i vitit të kaluar, dy kompani të mëdha amerikane filluan t’i japin punonjëseve të tyre një mundësi për të bërë pikërisht këtë.
Gjigandët e teknologjisë Apple dhe Facebook goditën titujt e parë të medias nëpër botë duke ofruar mbulimin e kostos për ngrirjen e qelizave të vezëve të punonjëseve të tyre, potencialisht duke i mundësuar atyre të përqendroheshin te karriera pa pasur frikë se do të humbisnin mundësinë të bëheshin nëna më vonë.
Lajmi solli një mbulim të dendur mediatik dhe komente mbi “ngrirjen sociale të vezëve” – ngrirjen e qelizave jo për arsye mjekësore, për shembull sepse një grua mund të bëhet infertile për shkak të kimioterapisë, por për t’i dhënë grave më shumë kontroll mbi atë se kur duhet të kenë një fëmijë.
Drejtorët mjekësorë të njërës prej klinikave më të mëdha të fertilitetit në Europë tha se ngrirja e vezëve përfaqëson një epokë të re për emancipimin e grave pas asaj të pilulës kontraceptive dhe se mund të jetë një dhuratë ideale për ditëlindjen e tridhjetë.
Por kritikët kanë akuzuar klinikat se po shfrytëzojnë frikën e grave për të humbur mundësinë e të bërit nënë në mënyrë që t’i detyrojnë të shpenzojnë shumë para mbi një procedurë, norma e suksesit të së cilës është ende shumë e paqartë.
Pra le të kthehemi te realiteti i Ballkanit. Sa realiste, apo e arsyeshme, është për gratë në Serbi dhe Kroaci të ngrijnë vezët e tyre?
Ta lësh për më vonë
Në teori, çdo gjë që i ndihmon gratë të konceptojnë kur janë më të moshuara është shumë joshëse. Si në shumë vende të tjera, gratë në Serbi dhe Kroaci po presin më gjatë para se të bëjnë fëmijë, sipas statistikave zyrtare.
Më 2013, mosha mesatare e nënave në lindjen e parë në Serbi qe 26.4 vjeç. Njëzet vjet më parë qe 24.3. Në Kroaci, mosha mesatare e nënave në lindjen e parë më 2013 qe 28 vjeç – tri vjet më shumë se sa në vitin 1995.
Arsyet se pse gratë janë duke u bërë nëna gjithnjë e më vonë janë të shumta dhe të ndryshme. Disa gra dëshirojnë të kenë karierë. Të tjera kanë frikë se humbasin vendet e punës nëse mbeten shtatzënë. Disa ngurrojnë për shkak se dyshojnë nëse mund të sigurojnë të ardhme të shëndoshë financiare për fëmijët e tyre. Të tjera mund të mos kenë gjetur ende bashkëshort.
Por veçanërisht në Ballkan, gratë ndjejnë presion të fortë shoqëror që të bëhen nëna – dhe ato që nuk kanë pasur fëmijë shpesh gjykohen ashpër. Në artikullin e Politika mbi gratë mbi 30 vjeç pa fëmijë, gazetari i përshkroi arsyet e të mos pasurit një familje si “hedonistike”, duke shkaktuar zemërim tek disa lexues.
“Gratë nuk janë makina që prodhojnë fëmijë. Unë mund të bëj çfarë të dua me trupin tim,” shkroi një lexuese që komentoi mbi lajmin.
“Pra unë duhet të ndërpres studimet dhe të rrëmbej të parim që më del përpara në mënyrë që ne të mund të shumohemi si lepuj? Bukur, faleminderit që më the të vërtetën – dukshëm unë nuk kam asnjë vlerë për sa kohë nuk e mbaj gojën mbyllur dhe bëj fëmijë,” shkroi një tjetër.
Smiljka Tomanovic, një profesore sociologjie në Universitetin e Beogradit, thotë se ka një besim tradicional në Serbi se gruaja plotësohet vetëm pasi bëhet nënë.
“Ti nuk do të dëgjosh kurrë askënd të thojë se një burrë është plotësuar për shkak të rolit të tij si baba apo jo?” vëren Tomanovic.
Gjithsesi, presioni me të cilin përballen gratë nuk është vetëm shoqëror. Është gjithashtu edhe tik-taku i orës biologjike. Ekspertët paralajmërojnë se fertiliteti i grave fillon të bjerë ngadalë nga mosha 25 deri më 35 dhe më pas bie edhe më shpejt, duke e bërë të vështirë për shumicën e grave që të konceptojnë pasi mbushin moshën 40 vjeç. Kjo ecën dorë për dore me faktin se, kur një grua është më në moshë, rreziku për shtatëzani të pasuksesshme apo abort të padëshiruar rritet.
Llogari të ftohta
Në botën moderne, policet e sigurisë janë të disponueshme për pothuajse çdo skenar. Por a mund të blesh një police sigurie për të minimizuar rrezikun e të mos bërit fëmijë? Pikërisht kështu shihet ngrirja e vezëve nga disa.
Procesi njihet formalisht si oocyte cryopreservation. Thënë thjesht, punon në këtë mënyrë: gruaja merr ilaçe fertiliteti për të stimuluar prodhimin e qelizave të vezëve, të cilat më pas mblidhen, ngrihen dhe magazinohen në një temperaturë prej minus 190 gradë celsius. Pasi ato ngrihen, mund të magazinohen për shumë vite. Kur një grua vendos të fillojë një familje, vezët ngrohen sërish dhe fertilizohen, më pas embrionet mbillen dhe vendosen në uterus.
Në Shtetet e Bashkuara, çmimi i kësaj procedure varion nga 10 në 15 mijë dollarë, ndërsa në Britani varion nga 3,500 në 5 mijë paund.
Ofertat nga Apple dhe Facebook për të mbuluar kostot mund të jenë shumë të debatueshme. Disa e shohin atë si një shenjë se punëdhënësit po veprojnë me përgjegjshmëri, por të tjerët e shohin atë si një akt shfrytëzimi – pra gratë po paguhen që të mos kenë fëmijë në mënyrë që t’i përkushtohen më shumë punës.
Por ideja që një grua mund të ngrijë vezët e saj për shumë vite dhe të kthehet pas për t’i marrë ato, pasi ka bërë karrierë apo ka gjetur një partner (apo të dyja bashkë) përfundimisht është joshëse për disa.
Një nga gratë që vendosi të ndjekë këtë rrugë është Clare, një konsulente për burimet njerëzore nga Mançesteri në Angli, e cila qe 38 vjeç kur mësoi mbi ngrirjen e vezëve në internet.
“Unë isha ndarë, vetëm pak javë më parë, nga një partner shumëvjeçar dhe ndihesha e privuar dhe e humbur. Në trishtimin tim mendova se do të qe një projekt i mirë në të cilin të përqendrohem dhe kjo më shtyu mua të shoh përpara dhe jo pas,” thotë Clare, një pseudonim i përdorur me kërkesë të saj.
Ajo vendosi ta eksplorojë këtë mundësi menjëherë, për shkak se klinika e zonës së saj nuk pranonte të ngrinte vezë për gratë mbi 38 vjeç.
“Mendova se do të më jepte mua një mundësi më shumë të bëja një fëmijë nëse takoja një partner në vitet e ardhshme, i cili me të vërtetë dëshironte një familje. Unë vetë isha në mëdyshje nëse doja të bëhesha nënë,” thotë Clare, e cila tashmë është 42 vjeç.
Clare shkoi te një klinikë pranë shtëpisë së saj në atë kohë. Ajo dyshon nëse do e kishte bërë këtë nëse klinika nuk do të gjendej aq pranë.
“Përgatitjen unë nuk e përjetova shumë keq. Pavarësisht se kam fobi nga gjilpërat, shpejt unë e kalova atë për shkak se duhej ta bëja. Gjithsesi marrja e vezëve qe një proces i neveritshëm. Unë isha nën anestezi të pjesshme, gjë që më vuri në qetësim të rëndë, kështu që nuk isha e zgjuar për procesin por më pas isha shumë e prekur për disa orë,” rikujton Clare.
Ajo u detyrua t’i nënshtrohet dy seancave të marrjes së vezëve për shkak se seanca e parë nuk qe shumë e suksesshme, dhe në të u morën vetëm dy vezë që mund të magazinoheshin. Seanca e dytë solli shtatë vezë. Kjo nuk qe ende e mjaftueshme – për t’u klasifikuar si e suksesshme; një procedurë duhej të përfundonte me marrjen e më shumë se 10 vezëve.
“Unë nuk mund ta përballoja një herë të tretë,” pranon ajo. Secila seancë kushtonte 3 mijë paund.
Clare u kujdes që vezët e saj të ngriheshin si një mënyrë për t’i mbajtur opsionet e saj të hapura. Por, thotë ajo: “Në realitet kjo nuk solli asnjë ndryshim.”
“Unë nuk mendoj se kjo më ndihmoi mua të gjej një partner për takim për shkak se që nga mosha 38 vjeç ka qenë shumë e vështirë, pasi burrat e moshës sime apo pak më të vjetër, nëse dëshironin të kishin familje, qenë të interestuar vetëm për takime me gra në të tridhjetat apo më të reja, për rrjedhojë unë mendoj se qe humbje kohe dhe parash,” thotë Clare.
Më herët këtë vit, Clare takoi një partner me të cilin është në marrëdhënie serioze, i cili sakaq ka dy fëmijë të vegjël. Ata kanë diskutuar vezët e saj të ngrira dhe ai është i hapur ndaj idesë të së pasurit të një fëmije tjetër nëse Clare e dëshiron gjithashtu.
Por ajo është ende në mëdyshje nëse të bërit nënë është zgjidhja e duhur për të.
“Mendoj se ky do të jetë viti i fundit kur unë do të vijoj t’i mbaj të magazinuara dhe dyshoj se do t’i shkatërroj ato në fund të vitit. Unë mund t’i magazinoj ato deri sa të bëhem 45 vjeç por nuk shoh asnjë arsye që të vijoj të paguaj për magazinimin e tyre në rast se nuk do t’i përdor kurrë, dhe dyshoj se unë do t’i përdor,” tha ajo përmes një emaili.
Praktika ballkanike
Në Serbi dhe Kroaci, opsionet për gratë që dëshirojnë të ngrijnë vezët e tyre janë jashtëzakonisht të kufizuara.
Ligji serb nuk e ndalon në mënyrë eksplicite ngrirjen e vezëve për arsye sociale, por praktika është shumë e rrallë për klinikat vendase. Ajo ofrohet në vetëm një klinikë private në Spitalin e Specializuar Gjinekologjik Jevremova në Beograd. Kostoja e ngrirjes së vezëve është rreth 500 euro, megjithëse ky çmim nuk përfshin kostot e tjera të tilla si procedurat përgatitore, testet mjekësore dhe ilaçet.
“Tani për tani, kjo metodë është ende e re dhe jo shumë e njohur për popullatën e gjerë,” thotë Ana Crnobaric-Obradovic, menaxherja e përgjithshme e klinikës. “Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të mbështetet çdo grua që vendos ta bëjë dhe për ta informuar atë mbi çdo avantazh dhe disavantazh që krijohet nga shtatëzanitë e vona”.
Para së gjithash, thotë ajo, gratë duhet të kuptojnë se koha më e mirë për ngrirjen e vezëve të tyre është mes moshës 25 dhe 35 vjeç për shkak se kjo është koha kur qelizat e tyre janë të cilësisë më të lartë.
Në Kroaci gjithashtu, koncepti i ngrirjes së vezëve për arsye shoqërore nuk diskutohet gjerësisht. Vonë vitin e kaluar, Marijana Bivcic, një studente kroate, filloi një anketim anonim në internet mbi sjelljet e grave mbi këtë temë. Rreth 100 gra kanë plotësuar deri tani pyetësorin dhe gjysma e tyre thanë se nuk dinin shumë nga kjo temë.
“Gjatë diskutimeve informale me fokus grupe, unë zbulova të njejtën gjë,” thotë Marijana.
Ligji mbi Fertilizimin e Asistuar Mjekësor të Kroacisë lejon ngrirjen e vezëve kur një grua apo një burrë është në rrezik infertiliteti për arsye mjekësore. Ai nuk përmend posaçërisht ngrirjen e vezëve për arsye shoqërore. Por Mirna Curkovic nga RODA, një organizatë kroate që advokon për të drejtat e prindërve dhe fëmijëve, thotë se disa klinika kanë filluar ta ofrojnë procedurën.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative pyeti në shtatë klinika në Kroaci me një seri pyetjesh mbi ngrirjen e vezëve për arsye sociale, përfshirë edhe pyetjen nëse ata e ofronin këtë procedurë. Gjashtë prej tyre nuk u përgjigjën ndërsa e shtata ofroi vetëm një përgjigje të shkurtër, në të cilën nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti pyetjeve.
Gratë nga Serbia dhe Kroacia kanë edhe një opsion tjetër – ligji nuk i ndalon ato të shkojnë jashtë vendit për të ngrirë vezët e tyre.
Turizmi i fertilitetit
Praga, kryeqyteti piktoresk i Republikës së Çekisë, është një destinacion tërheqës jo vetëm për pushime, por edhe për njerëzit që po kërkojnë ndihmë për të pasur fëmijë. Një mikeshë e Ivanës, avokates së Beogradit, shkoi atje dy vjet më parë për IVF dhe tashmë ka një vajzë.
Praga është bërë qendër për këtë degë të turizmit mjekësor; ka klinika me reputacion të mirë dhe kuadër ligjor shumë liberal. Një tërheqje e veçantë është IVF me përdorimin e qelizave të vezëve të dhuruara nga gra më të reja. Kjo procedurë mund të kryhet me gratë deri në moshën 49 vjeç, sipas ligjit çek. Ligji garanton gjithashtu që dhuruesit e vezëve dhe të spermës janë anonimë, ndryshe nga shumë vende të tjera Europiane, përfshirë Kroacinë.
Qendra e Fertilitetit në Pragë, një nga klinikat kryesore në këtë fushë, gjendet rreth 15 minuta larg qendrës së qytetit me autobuz ose me tram. Zona e pritjes është e qetë por përplot me njerëz, shumica çifte. Disa mbajnë dorën e njëri-tjetrit dhe ka një ndjesi shprese në ajër.
Për habinë time, shumë nga stafi i klinikës flet serbisht. “Gjysma e klientëve tanë janë nga Ballkani,” më thotë Marijana Culibrk, një koordinatore në qendër. Të tjerët janë nga Gjermania, Britania dhe Franca.
Shumë njerëz vijnë për IVF me përdorim qelizash të dhuruara, të cilat kanë një normë më të lartë suksesi për shkak se vezët e dhuruara vijnë nga gra të reja, shëndeti i të cilave është kontrolluar me kujdes.
“Një procedurë IVF me qeliza të dhuruara ka probabilitet suksesi prej 60-65 për qind. Përndryshe, norma e suksesit bie në 45 për qind,” shpjegon Culibrk duke folur rrjedhshëm serbisht.
Qendra ofron gjithashtu ngrirjen e vezëve për arsye shoqërore me kosto prej rreth 2,200 eurosh. Kjo përfshin trajtimin mjekësor, testimet, mbledhjen dhe ngrirjen e vezëve si dhe magazinimin e tyre për dy vjet. Çdo vit shtesë magazinimi kushton rreth 150 euro.
Por, thotë Culibrk, jo shumë gra zgjedhin të ngrijnë vezët e tyre.
“Afërsisht kemi më pak se njëqind gra,” thotë ajo. “Gratë zakonisht vijnë te ne vonë, rreth moshës 40 vjeç, kur rezervat e tyre të vezëve ose janë të ulëta ose me cilësi të ulët.”
Në anën tjetër të qytetit gjendet klinika Pronatal, një destinacion tjetër popullor dhe i respektuar për njerëzit që duan të provojnë IVF. Ajo ofron ngrirjen e vezëve për arsye shoqërore për rreth 2,400 euro, çmim që përfshin magazinimin e vezëve për pesë vjet.
Por edhe këtu, gjinekologu Tonko Mardesic, drejtori i kujdesit mjekësor në klinikë, thotë se shumë gra vijnë të pyesin për ngrirjen e vezëve “dhjetë vjet me vonesë” — kur fertiliteti i tyre është sakaq në rënie.
“Zakonisht ato janë rreth 38 vjeç,” thotë ai. “Natyrisht, ato mund t’i ngrijnë vezët, por duhet të jenë realiste mbi pritshmëritë.”
Qendra ofron gjithashtu ngrirjen e vezëve për arsye shoqërore me kosto prej rreth 2,200 eurosh. Kjo përfshin trajtimin mjekësor, testimet, mbledhjen dhe ngrirjen e vezëve si dhe magazinimin e tyre për dy vjet. Çdo vit shtesë magazinimi kushton rreth 150 euro.
Por, thotë Culibrk, jo shumë gra zgjedhin të ngrijnë vezët e tyre.
“Afërsisht kemi më pak se njëqind gra,” thotë ajo. “Gratë zakonisht vijnë te ne vonë, rreth moshës 40 vjeç, kur rezervat e tyre të vezëve ose janë të ulëta ose me cilësi të ulët.”
Në anën tjetër të qytetit gjendet klinika Pronatal, një destinacion tjetër popullor dhe i respektuar për njerëzit që duan të provojnë IVF. Ajo ofron ngrirjen e vezëve për arsye shoqërore për rreth 2,400 euro, çmim që përfshin magazinimin e vezëve për pesë vjet.
Por edhe këtu, gjinekologu Tonko Mardesic, drejtori i kujdesit mjekësor në klinikë, thotë se shumë gra vijnë të pyesin për ngrirjen e vezëve “dhjetë vjet me vonesë” — kur fertiliteti i tyre është sakaq në rënie.
“Zakonisht ato janë rreth 38 vjeç,” thotë ai. “Natyrisht, ato mund t’i ngrijnë vezët, por duhet të jenë realiste mbi pritshmëritë.”
Nuk ka gra nga Ballkani që kanë shkuar te Pronatal për ngrirje vezësh, thotë Mardesic. Shumica janë nga Gjermania.
“Ne kemi ngrirë qelizat e vezëve të tyre, por nuk kemi ende raste të lindjes me to,” thotë Mardesic, i cili gjithashtu flet rrjedhshëm serbisht.
Mardesic vëren se kur një çift po has vështirësi për të konceptuar, kjo mund të mos jetë thjesht problem i gruas. Ka prova gjithnjë e më të shumta se edhe fertiliteti i meshkujve është në rënie gjithashtu.
Por për gratë, disa gjëra duken qartë. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme se sa shpejt bie fertiliteti i tyre, veçanërisht pas moshës 35 vjeç, kështu që ato duhet të marrin vendimet e duhura në kohën e duhur – nëse duan apo dëshirojnë të përpiqen të mbeten shtatzënë apo të ngrijnë vezët e tyre.
“Do të jepja gjithçka nëse dikush do të më kishte thënë ‘ngriji vezët’ kur unë isha 32 apo 33 vjeç,” thotë Maja, një eksperte marketingu 44 vjeçare nga Beogradi, e cila i është nënshtruar gjashtë raundeve të pasuksesshme të IVF.
“E di se kjo është e pakuptimtë pas moshës 38 vjeç,” thotë Maja. “Por në kohën e duhur do të kisha paguar çfarëdo që nevojitej, me çdo kusht.”
Nga lajmi i parë te ngrirja e shpejtë
-Shtatëzania e parë me vezë të ngrira në botë u raportua në vitin 1986.
-Ngrirja e vezëve u përdor fillimisht nga pacientët me kancer që iu nënshtruan kimioterapisë, e cila mund të sjellë infertilitet.
-Deri pak vite më parë, shumë vezë nuk i mbijetonin dot ngrirjes dhe shkrirjes.
-Por në vitet e fundit, ekspertët kanë zhvilluar “ngrirjen e shpejtë” të njohur gjithashtu si vitrifikim, një proces i shpejtë që mundëson mbijetesën e më shumë se 90 për qind të vezëve të ngrira.
Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.