Hapa të Zbehtë në Trajtimin e Krimeve të Luftës
Autoritetet gjyqësore në Kosovë lëvizën këtë vit drejt përfundimit të procesit gjyqësor të “Grupit Drenica”.
Shkalla e parë i dha dënimet për të akuzuarit.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë është apeluar nga 15 të dënuarit, përfshirë kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku dhe ish- ambasadorin kosovar në Shqipëri, Sylejman Selimi.
Mbarimi i këtij procesi mund të shënojë rastin e dhjetë gjyqësor për krime lufte të përfunduar.
Vetëm nëntë raste gjyqësore për krime lufte janë kryer nga autoritetet gjyqësore në Kosovë. Më shumë se sa raste, kanë kaluar vite që nga lufta në Kosovë e viteve 98-99. Gjithsej gjashtëmbëdhjetë vjet.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar Prokurorinë Speciale për ta pyetur lidhur me punën e saj rreth zbardhjes së krimeve të luftes të kryera më 1998-1999.
Prokuroria Speciale deklaroi se është marrë me gjithsej 351 krime të luftës që përfshijnë 1 mijë e 476 të dyshuar.
Ndërsa vendorët e Prokurorisë Speciale kanë hetuar vetëm 17 raste të krimeve të luftës. Njëmbëdhjetë prej tyre janë në fazë preliminare, tri janë ende nën hetime dhe për tri raste kanë pushuar hetimet.
Që nga ndryshimi i ligjit vitin e kaluar për mandatin e EULEX-it në Kosovë, prokurorët ndërkomëbtarë nuk do të pranojnë më raste të reja të krimeve të luftës sepse ato tani janë kompetencë e prokurorëve vendorë.
Po ashtu, EULEX-i do t’i dorëzojë edhe shumë raste tjera te prokuroria vendore siç janë masakrat e mëdha që janë kryer nga forcat serbe dhe që përfshijnë me qindra viktima.
Ky tranzicion nga EULEX-i te prokuroria po ec ngadalë dhe për këtë po kritikohet sepse ky proces nuk ka vëmendje të duhur.
Lidhur me krimet e luftës BIRN organizoi një debat ku morën pjesë njerëz të rëndësishëm të fushës.
Debati u transmetua në televizionin publik të enjtën e javën së kaluar.
Sevdije Morina, shefe e Prokurorisë Speciale thotë se prokurorët vendorë janë të gatshëm që të marrin rastet e krimeve të luftës nga EULEX-i përkundër sfidave të mëdha me të cilat ballafaqohen.
“Prokurorët vendorë janë të gatshëm […] përkundër vështirësive, përkundër kohës së gjatë të kaluar, t’i trajtojnë këto raste me aq kapacitet që kanë,” tha ajo.
Morina i bëri këto komente gjatë debatit pas shfaqjes së filmit dokumentar të BIRN-it “Të paidentifikuarit” që u shfaq javën e kaluar në RTK.
Dokumentari identifikon zyrtarët serbë që urdhëruan sulmet në fshatrat kosovare në afërsi të Pejës në vitin 1999 dhe ata që u përfshinë në operacionin e fshehjes së trupave të viktimave.
Kriminelët e dyshuar serbë nuk mund të gjykohen në Kosovë
Jonathan Ratel, zëvendësi i Morinës, tha se misioni evropian nuk mund të mbetet përgjithmonë në Kosovë dhe për këtë ka filluar tranzicioni i disa kompetencave nga EULEX-i te vendorët.
Ratel theksoi se EULEX-i do të ofrojë edhe trajnime për prokurorët vendorë për rastet e krimeve të luftës pasi që janë raste komplekse.
Gjykimet në Serbi kundër të akuzuarve për krimet e kryera në Kosovë janë ndërmjetësuar përmes EULEX-it.
Ratel thekson se bashkëpunimi me prokurorinë serbe është në nivel të duhur.
Por një hetues i rasteve të krimeve të luftës që preferon të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së rasteve që po i heton, e mohoi këtë që e tha Ratel në debatin për BIRN-in.
“Lëndët që i kemi marrë nga EULEX-i kanë informata shumë bazike – aty në shumicën e rasteve nuk janë as emrat e të dyshuarve, por janë nofkat, pa adresa dhe pa kurfarë informata tjera që do të thotë se shumë pak punë është bërë,” tha hetuesi.
“Nëse na paska qenë bahskëpunimi me Serbi kaq i mirë, pse atëherë kemi kaq lëndë të dobëta që na janë përcjellë nga EULEX-i te vendorët?” pyeti hetuesi i krimeve të luftës në Prokurorinë e Kosovës.
Drita Hajdari, prokurore në Prokurorinë e Kosovës thotë që sfidat për t’u marrë me këto raste janë evidente.
“Kemi sfida të hatashme në rastet e krimeve të luftës, sepse kemi nevojë për bashkëpunim me organet e ndjekjes në Serbi për t’i ndjekur të dyshuarit që kryesisht gjenden në Serbi,” thotë Hajdari.
Ratel e pranoi se EULEX-i nuk ka mundur të ekstradojë serbët e dyshuar për krime lufte në Kosovë.
“Të dyshuarit në Serbi janë jashtë mundësive tona,” tha Ratel.
Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë kritikoi sistemin e drejtësisë duke thënë se një përqindje e vogël e viktimave në Kosovë kanë parë drejtësi.
Blakaj, organizata e të cilit monitoron gjykimet e krimeve të luftës, thotë se gjykimet në Kosovë zgjasin shumë gjatë, edhe pse disa prej tyre kanë qenë të thjeshta.
Ai merr shembull një rast nga regjioni i Pejës ku vetëm një person akuzohej për dëmtim prone dhe dëbim gjatë luftës.
“Rasti ka qenë pak a shumë i thjeshtë por ka zgjatur shtatë vjet,” thotë Blakaj.
Kreshnik Gashi, autor i emisionit televiziv “Drejtësia në Kosovë” shprehu dyshimet e tij se tranzicioni nga
EULEX-i te prokurorët vendorë është duke shkuar mirë.
“Si munden 12 prokurorë të hetojnë 10.000 vrasje të supozuara gjatë luftës në Kosovë,” tha Gashi.
Ai theksoi se krimet e luftës nuk janë marrë seriozisht që nga viti 1999 dhe se dëmi që po i shkaktohet këtij procesi është i madh.
Ndër të tjera, ai theksoi faktin se shumë dëshmitarë në Kosovë po vdesin dhe dëshmitë e tyre janë relevante për gjykimet kundër kriminelëve.
Dëshmitarët ndjehen të lënë anash
Rexhë Kelmendi, i mbijetuar i masakrës në fshatin Qyshk në vitin 1999 thotë se është i dëshpëruar që ende nuk ka parë drejtësi për krimet e kryera në fshatin e tij.
Ai thotë se ka dëshmuar një herë në Suedi dhe dy herë në gjykatën në Beograd dhe se nuk do të dëshmojë më.
“Edhe pse i kam nëntë anëtarë të familjes të vrarë, unë e kam humb besimin me dhënë më dëshmi,” tha Kelmendi.
Marija Ristiq, regjisorja e dokumentarit që ishte rezultat i hetimit dyvjeçar, tha se moment më i vështirë gjatë bërjes së filmit ishin përpjekjet e saj për të siguruar intervista me zyrtarët policorë të Serbisë.
“Ata filluan të informojnë njëri-tjetrin. Kanë parandaluar të tjerët që të flasin,” tha Ristiq.
Dokumentari flet në hollësi për krimet e kryera nga forcat serbe në regjionin e Pejës në vitin 1999 dhe përmban dëshmi ekskluzive, si dhe detaje të papublikuara më parë.
Të mbijetuarit shqiptarë të fshatrave Qyshk, Lybeniq, Pavlan dhe Zahaq folën për përvojën e tyre të hidhur në momentet e ekzekutimit.
Në anën tjetër, edhe disa nga kryerësit e krimit flisnin se si i kanë kryer këto krime.