Rilindja e Kuqe: Rënia dhe Ngritja e Karl Marksit

Zvonko Sundov, doktor i filozofisë, mori pagën e fundit 24 vjet më parë. Megjithatë, 63 vjeçari këmbëngul të paguajë të dyja kafetë.

Vitet që ai i ka kaluar si i pastrehi ndoshta më i arsimuar në Kroaci nuk e kanë thyer atë.
“Realiteti është një kurth për çdo mendimtar,” thotë ai.

Më 1991, Sundov u pushua nga puna në Shkollën e Inxhinjerisë Elektrike të Zagrebit. Ai i fitoi çështjet gjyqësore për pushimin nga puna si në Zagreb ashtu edhe në Strazburg por nuk u kthye më kurrë në mësimdhënie – për shkak se vendi i tij i punës nuk ekzistonte më. Ai jepte Marksizmin.

Në Jugosllavinë socialiste, Marksizmi qe lëndë e detyruar në të gjitha shkollat e mesme dhe të larta. Pastaj erdhi rënia e Murit të Berlinit më 1989 dhe rënia e komunizmit, kur, në esenë e tij të famshme Fundi i Historisë, profesori i shkencave politike në Amerikë, Francis Fukuyama, shpalli fitoren e përjetshme të demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Qindra mësues dhe profesorë Marksizmi u lanë pa punë. Gjatë ndryshimit të madh, ata u përçmuan si korrierë të totalitarizmit të cilët nuk kishin vend në një shoqëri demokratike.

Por tani, panorama politike e Europës po ndryshon: lëvizjet majtiste po fuqizohen për shkak të krizës ekonomike ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2015, Europa pati qeverinë e parë të të majtës radikale që nga koha e Fundit të Historisë me fitoren e Syriza-s në Greqi, një lëvizje politike që doli nga Partia Komuniste.

Në Spanjë, Podemos, një lëvizje e ngjashme me Syriza-n, erdhi nga asgjëja për të zënë vendin si forca e tretë në politikën kombëtare. Partia Die Linke në Gjermani, vitin e kaluar mori pushtetin në shtetin Thuringia me një platformë demokratike dhe socialiste, me një kandidat kryesor që bëri fushatë me një bust të madh të kuq të Karl Marksit.

Në Britani, udhëheqësi i ri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, ka thënë Marksi është “një figurë magjepsëse… nga i cili ne mund të mësojmë shumë”.

Duket se vlerat Marksiste, të cilat i kushtuan Sundovit dhe të tjerëve vendet e tyre të punës, po kthehen në skenën europiane. Edhe Fukuyama pati folur për problemet e pabarazisë dhe dominimin e financës në sistemin kapitalist.

Në këtë kuadër, unë desha të shoh se çfarë ka ndodhur me ata profesorë të Marksizmit të cilët humbën vendet e tyre të punës – dhe se si e shohin Marksistët Europianë të ditëve tona rigjallërimin e dukshëm të socializmit. A është Syriza vijimësia e ëndrrave të tyre të ndërprera? A është kryeministri i Greqisë dhe udhëheqësi i Syriza-s, Alexis Tsipras, Lenini i tyre demokratik për shekullin e 21? Çfarë mund të nxirret tani nga mjekra e Marksit për të ndërtuar të ardhmen e Europës?

“Koha e Marksit nuk ka ardhur ende,” pretendon Sundov, ndërsa ne pijmë një kafe në Zagreb, në maj të këtij viti. Pastaj vijon me një kuotë nga një ikonë tjetër e socializmit “Rosa Luxemburg tha “socializëm ose barbarizëm”, dhe sot ne kemi barbarizëm. Syriza dhe Podemos janë akte njerëzore të rebelimit.

Përveç Marksizmit, kapitalizmi nuk ka ndonjë armik tjetër serioz. Kapitalistët e dinë: nëse ndokush mund t’i shkatërrojë, ata janë pikërisht Marksistët. Kjo është arsyeja se pse Syriza po përballet me kaq shumë probleme në bisedime [me Bashkimin Europian].”

Pasi ai u pushua nga puna, pranon Sundov, ai pati vështirësi të mblidhte veten. Studentët e përshëndesnin atë në rrugë, por ai shmangej nga stafi mësimor, tashmë ish-miq.

Përveç kësaj, profesori u divorcua. Ish-bashkëshortja e tij e nxori nga apartamenti vetëm me shapka dhe pantallona të shkurtra.

“Unë fjeta në një stol në stacionin hekurudhor dhe, në dimër, në vagonët e braktisur të trenit krahas endacakëve. Unë pata jetuar një jetë normale dhe tashmë isha papritur i hedhur në rrugë. Edhe librat kishin mbetur pas në apartament. Dhe unë mbeta pa asnjë mik.”

Por Sundov nuk qe pa shoqëri filozofike. Ai citon një frazë të Heraklitit që një njeri është i vlefshëm sa dhjetëmijë të tillë nëse është i madh.

“Dhe unë kisha gjithashtu ata të dy”, shpejgon ai. “Hegelin dhe Marksin.”

Në fund, më 1996 zotat e fatit të mirë i buzëqeshën të rraskapiturit Marksist. Ai takoi bashkëshorten e tij të ardhëshme në zyrën e avokatit. Ai po hidhte në gjyq punëdhënësin e tij të vjetër ndërsa ajo kishte për të kryer procedura verifikimi. Faktori kyç: Avokati qe me vonesë.

“Ajo më ftoi mua në një kafene për një çaj – dhe unë nuk kisha asnjë qindarkë në xhep. Ajo mori edhe sanduiçe dhe më ofroi një mua. Unë nuk kisha ngrënë asgjë për tri, katër ditë, por u vura në siklet që ta merrja një për shkak se nuk mund të paguaja as për çajin. Ajo më bindi të merrja sanduiçin gjithsesi. Dhe ne kemi jetuar sëbashku tashmë prej 20 vjetësh. Ajo më shpëtoi.”

Sundov do të publikojë së shpejti një libër mbi Hegelin. Ai do të jetë libri i katërt që ka shkruar që kur filloi të jetojë me gruan që e ftoi atë për një çaj.

“Vatra” e Marksizmit

Mira Ljubic Lorger, e cila ka një doktoraturë në sociologji, është një akademike tjetër Marksizmi të cilës kolapsi i komunizmit i shkaktoi pasoja personale dramatike. Deri më 1990 ajo punonte në Qendrën Kërkimore të Shkencave Shoqërore në Split, një institut universitar i cili qe, në sytë e qeverisë së re anti-komuniste kroate, një vatër marksizmit.

Qendra u akuzua për persekutim fetar dhe u mbyll menjëherë – edhe pse ajo punonte bashkë me priftërinj, siç thotë Lorger.

“Ironikisht, projekti im titullohej ‘Një Dialog mes Kristianëve dhe Majtistëve’. Unë e ndërpreva në mes për shkak se më lanë pa fonde. Nuk bëhej fjalë për shumë dialog mes Kristianëve dhe të Majtës,” thotë ajo.

Për të mbijetuar, asaj iu desh të kthehej tek një pasion i vjetër: astrologjisë. E përjavshmja e Zagrebit Nacional i kërkoi asaj të shkruajë horoskopët për ta.

“Dhe djali im më thotë: ‘do të më pëlqente të haja mish ndonjëherë,’ për shkak se në atë kohë ne hanim vetëm brumë dhe makarona.”

Ajo i kërkoi Nacional që ta lejonin të shkruante me pseudonim, por ata deshën një doktor në sociologji në mënyrë që horoskopët e tyre të ishin të besueshëm.

“Kështu unë i mora në telefon të gjithë miqtë dhe iu luta të mos e blinin Nacional. Më vinte turp,” më thotë ajo në apartamentin e saj në Split. “Ose do të bëja këtë ose do të vdisja urie si një disident i respektuar. Dhe unë nuk mund të zgjidhja të dytën për shkak se kisha dy fëmijë.”

Tashmë në pension, ajo ndjek nga aftër zhvillimet në Greqi. Ajo beson se fitorja e Syriza është ngjarja më e rëndësishme shoqërore dhe politike në Europë përgjatë 20 viteve të fundit.

“Syriza ka gjasa se do të rrëzohet, por fakti që qeveritë e majta kanë filluar të fitojnë në Europë është shenjë e një epoke të re. Unë e shoh këtë si një fitore timen personale, a thua se unë pata një fëmijë të tretë.”

Më 1990, filozofi Dusko Cizmic Marovic po punonte në Qendrën e Marksizmit në Split, një institut shkencor politik i mbështetur nga partia që ekzistonte në qytetet më të mëdha të Jugosllavisë. Pasi qendra u shpërnda, si ish gazetar dhe redaktor i gazetave studentore, ai u përpoq të jetonte falë shkrimeve të tij.

Por, rikujton ai, lufta shpërtheu mes Kroacisë dhe Serbisë dhe ai zbuloi se shkrimet e tij ishin “tepër të buta” për klimën politike.“Kështu, unë u bëra peshkatar,” thotë ai.

Marovic mori para hua, mori një kredi me kolateral apartamentin e bashkëshortes së tij dhe bleu një varkë peshkimi. Por aventura e tij kapitaliste dështoi dhe më 1996 ai humbi apartamentin për shkak se nuk mund të paguante borxhet. Ai humbi edhe bashkëshorten nga kanceri.

“Unë humba apartamentin, varkën dhe vendin e punës. Mbeta me dy fëmijë, m’u desh të merrja një shtëpi me qera. Unë hodha tutje çdo lloj fature. Lidha energjinë elektrike vetë pa paguar për të. Unë jetova me para që nuk ekzistonin,” rikujton Marovic, i cili u rikthye te gazetaria pasi një koalicion i majtë liberal zëvendësoi nacionalistët në qeveri më 2000.

Tashmë ai është redaktor i të përmuajshmes universitare Universitas.
Një doktor filozofie si një njeri i pastrehë, një doktore sociologjie si një shkrimtare horoskopi, një gazetar si një peshkatar: këto janë fatet e Marksistëve të Kroacisë pas Fundit të Historisë.

‘Mashtrim’ Komunist

Ndryshe nga kolegët e tyre në shkolla dhe në institute kërkimore, profesorët e universiteteve të Marksizmit në Kroaci ia dolën disi më mirë. Ata qenë filozofë dhe sociologë të cilët mund të jepnin edhe lëndë të tjera.

Lino Veljak jepte leksione Marksizmi dhe Ontologjie në Universitetin e Zagrebit deri më 1990, pastaj vetëm Ontologji. Ai rikujton kur disa kolegë “ndryshuan flamur” dhe adaptuan axhendën e re nacionaliste.

“Marksistët më të egër u bënë anti-komunistë,” thotë ai. “Dhe Marksistët e moderuar vijuan të jenë Marksistë të moderuar.”

Më i njohuri mes të konvertuarve të Kroacisë nga Marksizmi te nacionalizmi është 78 vjeçari Zdravko Tomac, tashmë një ikonë intelektuale e të djathtës kroate, librat e të cilit janë përplot me anti-komunizëm.

Por dikur, Tomac punonte me Edvard Kardelj, krijuesin e modelit Jugosllav të “vetëmenaxhimit socialist” – nën të cilin punëtorët drejtonin ndërmarrjet shtetërore – dhe qe njëkohësisht shok i vjetër i udhëheqësit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Tomac rrëfen për mua se Marksi qe një “zbulim” për të në rininë e tij – veçanërisht ideja që dikush jo vetëm që duhet ta interpretojë botën, por edhe duhet të përpiqet ta ndryshojë atë.
“Kjo është arsyeja se pse unë vendosa të shkruaja libra mbi vetëmenaxhimin,” thotë ai. “Unë pata mundësinë të punoj me Kardelj, të dëgjoj vizionet e një bote të re.”

Tomac tashmë beson se koncepti më i gabuar i Marksizmit është që përmbysja e dhunshme e kapitalizmit mund të sjellë një shoqëri më të mirë.

“Ka edhe një supozim tjetër të pasaktë – që kolektivi është më i rëndësishëm se sa individi, se Partia përcakton se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe,” pretendon ai. “Kjo shkatërron jo thjesht lirinë e shprehjes por edhe lirinë e mendimit.”

Tomac shton se ai ka parë “fuqinë e idesë së komunizmit” dhe e kupton se pse, në fjalët e tij, shumë njerëz të mirë e pranuan “këtë mashtrim”.

“Për shkak se komunizmi përfshin disa ide humane, ide që çdo njeri demokratik mund të përqafojë. Teza që, në vend të kapitalit financiar, ata që gjenerojnë të ardhura duhet të jenë gjithashtu edhe përgjegjës për menaxhimin e tyre, është joshëse. Unë njoh shumë njerëz që besonin se kjo ide qe e vlefshme për të dhënë dhe jetën për të.”

Fantazma e Stalinit

Në çdo intervistë, fantazma e Stalinit vinte rrotull në diktofon. Të gjithë Marksistët që intervistova ndjenin nevojën për të distancuar veten nga ai. Ata e shohin Syriza-n si hapi i parë drejt socializmit demokratik në Europë, një socializëm që do të jetë dukshëm i ndryshëm nga versioni totalitar i shekullit të 20-të.

“Krahas Amerikës Latine, Europa e Jugut mund të bëhet ‘krahu i dytë’ në procesin ndërkombëtar që do të mund të sfidojë dominimin e tregut të lirë dhe kapitalizmit,” deklaron Veljak.

Të intervistuarit dolën në përfundimin se rilindja e Karl Makrsit erdhi për shkak se demokracia shoqërore e Europës u kthye djathtas, duke lënë një hapësirë majtas. Kur kriza ekonomike botërore shpërtheu, një gjeneratë e re Marksistësh zuri këtë hapësirë. Një pjesë e kësaj gjenerate u mblodh në Zagreb në Maj: anëtari i sekretariatit politik të Syriza-s, Yiannis Bournous, anëtari i njohur i Podemos, Antonio Sanchez dhe kreu i grupit parlamentar slloven E Majta e Bashkuar, Luka Mesec.

Të tre morën pjesë në një panel debati të titulluar ‘Internacionalja e Re’. Mesec dhe Sanchez, që të dy nga 27 vjeç, qenë foshnja më 1989. Vetëm 35 vjeçari Bournous mban mend Fundin e Historisë. “Unë mbaj mend qartë shkatërrimin e Murit të Berlinit, heqjen e flamurit të Bashkimit Sovjetik mbi Kremlin dhe shpërbërjen e madhe të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE),” më thotë ai pas debatit, duke shtuar se prindërit e tij qenë anëtarë të KKE.

Këta të rinj nuk patën studiuar Marksizëm në shkollë dhe megjithatë ata pranojnë hapur ndikimin e fortë të Marksizmit në të menduarit e tyre.

“Po, ne po përdorim aparatin Marksist për të analizuar kapitalizmin dhe për të vijëzuar alternativat,” konfirmon Mesec.

“Syriza e lidh lëvizjen Marksiste me qendrën,” shton Bournous.
“Marksizmi është bashkëudhëtar i Podemos, në kombinim me eksperiencat e të Majtës së Amerikës Latine,” thotë Sanchez.

Një mbështetëse e njohur e Podemos është Teresa Forcades, një murgeshë 49 vjeçare e cila ka doktoratë në shëndet publik dhe teologji dhe jeton në manastirin Sant Benet de Montserrat pranë Barcelonës.

Kur flet për të Majtën, ajo përdor përemrin “ne”. Ajo trashëgoi orientimin e saj majtist nga prindërit e saj, kundërshtarë të ashpër të diktaturës fashiste të Frankos.
“Unë kam qenë gjithmonë një e majtë dhe gjëja e re në jetën time qe religjoni, të cilin e zbulova në moshën 15 vjeçare,” thotë Forcades gjatë një vizite në Kroaci në maj.

Megjithëse ajo këmbëngul se nuk është Marksiste, për shkak se “Marksizmi promovon ateizmin”, Forcades e vlerëson Marksin.
“Kur ti lexon Manifestin Komunist, ti sheh besimin në progresin e njerëzimit,” këmbëngul ajo.

“Kapitalizmi nuk u soll nga Zoti por nga njerëzit. Dhe Zoti nuk mund të jetë përgjegjës për historinë, janë njerëzit: Unë jam dakord me Marksin për këtë,” thotë Forcades. Ne nuk e krijuam botën, thotë ajo, por bota është e jona për ta plotësuar.

 

‘E ardhmja është e Pashkruar’

Syriza ndan së paku një pjesë të vizionit të saj. Në Athinë, në selinë qendrore në Sheshin Eleftherias, rinia dominon. Me përjashtim të një kafeneje të gëzueshme në katin e parë, zyrat janë modeste, pothuajse askete.

“Po, unë jam Marksist,” thotë anëtari 40 vjeçar i sekretariatit politik të Syriza-s, Andreas Karitzis, në një dhomë të zbrazët dhe të lirë nga kompjuterët. Ka vetëm një kaskë motori në një raft bosh.

“Si një parti e majtë, ne bindshëm besojmë se logjika e fitimit dhe kapitalizmit po shkatërron planetin dhe po krijon varfëri të gjithëpërhapur,” thotë Karitzis. “Por ne nuk besojmë se mund të kalojmë te socializmi drejtpërsëdrejti nga kapitalizmi, siç beson Partia Komuniste. Po, ne duam një shoqëri të ndryshme nga ajo kapitaliste, por ne besojmë se ajo ka nevojë të ndërtohet nga poshtë – lart dhe jo nga një vendim politik nga lart.”

Një përpjekje për një shoqëri të tillë sakaq ekziston në Athinë. Lagjja Exarchia në disa raste quhet edhe zemra europiane e rezistencës ndaj kapitalizmit. Kjo është shtëpia e anarkistëve, dega më e ashpër e të Majtës së Greqisë. Policia rrallë herë hyn këtu për shkak se përshëndeten me shishe molotov. Nuk ka marka kapitaliste dhe muret janë të mbuluara me grafitë antikapitaliste. “E Ardhmja është e Pashkruar”, thotë një slogan.

“Ti nuk mund të paguash me kartë këtu, ne pranojmë vetëm kesh,” më thotë kuzhinjeri 26 vjeçar Alexander Papadopoulos në restorantin e tij. “Po, kështu ndodh në të gjithë lagjen. Kjo është forma jonë e rezistencës ndaj kapitalizmit.”

Parku prej betoni në qendër të lagjes Exarchia është dekoruar me flamuj kundër kapitalizmit.

Të rinjtë diskutojnë shoqërinë dhe politikën ndërsa qentë sillen vërdallë këmbëve të tyre. Shumë njerëz mbajnë mjekër. Një version i ri modern i Akademisë së Platonit: Më agresive se sa arketipi, por pa skllevër. Emigrantët janë të mikpritur këtu.

“Exarchia është organizuar në një mënyrë që ne të gjithë jemi të barabartë: unë, ti, Tsipras,” thotë Papadopoulos. “Ndoshta është e pamundur për të gjithë shoqërinë që të organizohet në këtë mënyrë, por është e mundur në Exarchia.”

Unë kalova dy mbrëmje qershori në protestat në Sheshin Syntagma në qendër të Athnës: Të mërkurën, demonstruesit mbështesnin Syriza, të enjten ishin kundër. Kishte më shumë të rinj të mërkurën. Ata nuk e dinin se Syriza do të kapitullojë përballë kërkesave të Bashkimit Europian për masa kursimi katër javë më vonë.

Të premten, në Londër, unë shoh të njëjtin slogan që pashë dy ditë më parë në Shesin Syntagma – “Jepini fund masave të kursimit tani”. Këtë herë, në një banderolë për një protestë, një ditë më pas në mesditë, jashtë Bankës së Anglisë në City.

Një ditë më vonë, dhjetëramijëra njerëz u mblodhën në lagjen e industrisë financiare. “Ne kemi ardhur për të shpëtuar shtetin e mirëqënies sociale,” thotë Angie, një mësuese. “Arsimi publik dhe shëndetësia po shkojnë në dreq. Nëse ne nuk rebelohemi, nuk do të mbetet asgjë.”

Rrethuar nga shumë banderola anti-kapitaliste, unë nuk jam shumë i sigurtë nëse jam në Sheshin Syntagma, në parkun prej betoni në Exarchia apo në epiqendrën e kapitalizmit botëror: Ka njerëz të zemëruar dhe, në sfond, gjendet shpirti i Karl Marksit.

Por pastaj, Londra është qyteti i Marksit: “Babai i socializmit shkencor” kaloi 34 vitet e fundit të jetës së tij këtu. Këtu u botua Manifesti i Komunizmit më 1848, në zyrat e organizatës komuniste në Rrugën Liverpul 46. Ky është vendi ku u shkruajt Das Kapital. Qendra shpirtërore e Marksizmit origjinal nuk qe në Moskë por në Londër.

 

Lenini mbi një laptop

Në mbrëmje, teksa ne bredhim në lagjen hedonistike Soho, sociologu kroat Toni Prug më thotë se të jetuarit në Londër e ka bërë atë Marksist.
“Unë u rrita nën komunizëm në Jugosllavi por politika nuk më interesoi kurrë,” thotë Prug, i cili është 43 vjeç.

“Pastaj erdha në Londër [më 1996] dhe punova në recepsion në hotelin Alexandra në Paddington për shumë vite, 10 orë në ditë për tri paund për orë. Kishte dy gra bullgare që punonin me mua atje 14 orë në ditë për dy paund për orë: ato qanin dhe dërgonin paratë pas në shtëpi. Ky qe fundi.

Unë bleva një laptop dhe fillova të lexoj Marksin dhe Leninin. Nëse nuk bëhesh Marksist pas një eksperience të tillë, atëherë ka diçka të gabuar me ty.”

Prug më pas punoi si një programues kompjuterësh për dhjetë vjet, duke paguar studimet për sociologji. Ai mori PhD nga Universiteti Queen Mary në Londër me një tezë të titulluar Prodhimi Egalitar dhe Shpërndarja e Mallrave dhe Mirëqënies. Qëllimi i prodhimit egalitar nuk është prodhimi, shpjegon ai, por shpërndarja e drejtë.

Ai thotë se ky është kontributi më i madh i Marksit dhe citon shembullin e apartamenteve nën pronësi shoqërore në ish-Jugosllavi.

“Nëse ke një fëmijë tjetër, ti merr një dhomë. Dhe natyrisht shërbim falas shëndetësor dhe arsimor. Megjithatë, Perëndimorët mendojnë se shteti është i keq. Kapitalizmi nuk ka asnjë teori shkencore mbi apartamentet nën pronësi shoqërore për shkak se këtu nuk ka fitim.”

Sipas Prug, “zemra e veprës së Marksit” nuk ka qenë kurrë kaq me rëndësi, por ka pasur tepër improvizime dhe keqinterpretime të Marksit në të shkuarën.

“Gjithsesi, Marksizmi gradualisht po hyn në parlamentet e Europës. Ai sakaq është brenda, përmes Syriza,” vëren ai. “Kjo provon se është e mundur t’i drejtohesh njerëzve në një mënyrë Marksiste edhe në shekullin e 21.”

Nëse Syriza mund të kthejë idetë e Marksit në realitet kjo mbetet për t’u parë. Pas një mandati të shkurtër të dominuar nga tentativa e dështuar për t’u përballur me BE-në mbi masat e kursimit, Syriza fitoi sërish zgjedhjet në shtator. Ne e përmbledhim historinë e ringjalljes së Marksit në varrezën Highgate, në veri të Londrës.

Marksi është “banori” më popullor këtu: fotografia e tij është në posterin zyrtar të varrezës. Shumë vizitorë ndalojnë pranë monumentit të tij dhe shpesh bëjnë sellfi.

E shkruar sipër bazamentit prej graniti gri ku mbështetet një bust i madh i Marksit, është thirrja finale nga Manifesti i Komunizmit: “Punëtorë të të gjitha vendeve – Bashkohuni”. Në fund të bazamentit, lexoj: “Filozofët thjesht sa kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme – çështja, gjithsesi, është si ta ndryshosh atë.”

Është një fjali që të gjithë jugosllavët duhej ta dinin për të kaluar në lëndën e Marksizmit në shkollë. Ajo magjepsi miliona në rininë e tyre, edhe Marksistin e kthyer në nacionalist Zdravko Tomac, dhe vijon të frymëzojë të tjerë edhe sot. Përfshirë dhe një djalë te varri që kishte veshur një bluzë me Çe Gevarën, me krahun e majtë të lyer me të kuqe të dekoruar me një drapër dhe një çekan.

“Djali im më bindi të vija deri këtu, ai është bërë një Marksist,” qesh nëna e djalit, Julie Goodman-Church. “Ata po mësonin mbi Luftën e Ftohtë në shkollë dhe iu desh të kërkonte se çfarë pati ndodhur më parë. Dhe një ditë erdhi dhe më tha: ‘Mami, Karl Marksi është një djalë i madh.’”

Emri i djalit është Ben, ai është 14 vjeç, një nga Marksistët Europianë më të rinj. A ka lexuar ndonjë nga librat e Marksit? “Manifestin e Komunizmit”, thotë ai me krenari.

Ben ka lindur në shekullin e 21, Marksi vdiq në shekullin e 19. Duket se Friedrich Engels nuk e kishte gabim kur përfundoi fjalimin e funeralit për mikun e tij më të mirë me fjalët: “Emri i tij do t’i rezistojë kohës, dhe po kështu edhe vepra e tij!”

Në fund të turneut tim në ‘Europën Marksiste’, ndërsa unë i them lamtumirë te varreza Highgate njeriut, mendimet e të cilit unë u detyrova t’i mësoj përmendësh në shkollë, rikujtoj atë që filozofi me bazë në Maqedoni, Ferid Muhic më tha në fillim të kërkimit tim. Muhis është një Marksist krenar por ai tha: “Njerëzit nuk janë qenie me ideale të mëdha dhe Marksistët nuk e kuptojnë dot këtë.

Epikuri ka thënë: “Pak miq në bahçe, një ibrik me verë dhe pak djathë dhie – dhe ky është kuptimi i jetës.

”Mendoj se Epikuri kishte më shumë të drejtë se sa Marksi. Dhe kjo është një tragjedi në mendjet e Marksistëve.”

 

Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.