Avokatët Gjaknxehtë në Rastin e Rrëmbimit në Prizren

Fillimisht në këtë seancë nuk ishte paraqitur mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Naim Qelaj.

Edhe pse në vendin e tij ishte avokatja Myrvete Qollaku, kryetari i trupit gjykues as që e pyeti se pse ndodhej ajo aty, kjo për faktin se seanca e kaluar ishte shtyrë për mungesë të avokates, e cila nuk kishte prezantuar në gjykim për shkak të mosmarrëveshjeve dhe fyerjeve sipas pretendimeve të saj që i janë bërë nga kryetari i trupit gjykues një seancë më parë.

Gjykatësi Elshani urdhëroi që avokati Qelaj, të ftohet përmes telefonit për prezantim në gjykim, përndryshe mosardhja e tij do të ndëshkohej. “Kjo nuk është lojë, kjo është gjykatë”, tha gjykatësi.

Gjykatësi me këmbëngulje kërkoi që avokati të vijë në seancë. “Thuaji a po vjen, a po vijmë po të marrim qysh nuk duhet”, tha Elshani. Në ndërkohë, avokati lajmëroi se është në Suharekë dhe se do të vonohej derisa të arrinte.
 
Kryetari pyeti të akuzuarën se kush ishte avokati i saj. Ajo tha se prapë e ka angazhuar avokaten Qollaku, mirëpo autorizimin me shkrim nuk e kishte sjellë në gjykatë, pasi që në seancën e kaluar e kishte tërhequr autorizimin për të njëjtën avokate.

Gjykatësi iu dha 20 minuta kohë që të përpilojnë një autorizim të ri, mirëpo meqë avokatja nuk luajti nga vendi për këtë punë, e akuzuara para trupit gjykues deklaroi që mbrojtës i saj të jetë avokati Naim Qelaj.

Me nervozizëm, avokatja Qollaku i tha të akuzuarës: “Mos më eja më në zyrë”.

U vendosë për 30 minuta pauzë, derisa erdhi avokati Qelaj. Për procesverbal, e akuzuara Rexhbeqaj, tha: “Unë i kam treguar avokates që e kam tërheq autorizimin, mirëpo ajo erdhi. Tani e kam heqë përgjithmonë autorizimin nga ajo dhe mbrojtësi im është avokati Naim Qelaj”.

Më në fund pas një ore vonesë, seanca gjyqësore filloi. Në sallë u ftua dëshmitari Besim Shkreli, i cili njëkohësisht është edhe i dëmtuar. Ky dëshmitar u dëgjua për të dytën here, pasi që sipas kryetarit të trupit gjykues në seancën e kaluar kanë mbetur pa u nxjerrë disa përfundime, për shkak të implikimeve me avokatët.

Rrëfimi i dëshmitarit Shkreli

“Atë natë kam qenë në Shqipëri; në shtëpi kam ardhë rreth orës 02:30 të natës. Shoqja më tregoi se dikush djalin e ka marrë. Menjëherë e njoftova policinë”, ka rrëfyer Besim Shkreli.

“Të nesërmen erdhi Enesi, më tha se kishte pirë kafe me Selamiun, i cili i kishte thënë se e di kush fshihet pas rastit. Kur Selamiu, erdhi te unë më tha se e di kush e ka bërë këtë. I thashë: ‘Kush’. Tha: ‘Daja im, Bashkimi’”.

“I thashë, i kam përgatitur 100 mijë euro; qe merri ti veç bjerma djalin. Edhe i premtova që edhe një vikendicë në Durrës kam me ja ble dhe që dosta kemi me mbetë, po nuk pranoi. Tha se këtë po e bënte për Enesin”.

“Më tha se edhe numrin e djalit e ka. Kur ma tha numrin e tij, unë u befasova. Kur e pyeta kush ta ka dhënë, më tha se ja ka dhënë e dashura e tij F., se ajo është kryesorja e rastit”.

Në lidhje me këtë, avokati Qelaj i prezantoi një vizitkartë të Restorantit “Beska”, ku ishte edhe numri i djalit të tij dhe i tha se nuk ke pasur nevojë me u befasu se ku e ka marrë numrin e djalit të tij.

“Neve na kanë ardhë mesazhe kërcënuese edhe më vonë. E di që ky sms ka ardhë nga Tusuzi”, ka vazhduar Besimi. Përkundër insistimeve të gjykatësit, prokurorit dhe avokatëve, ai nuk dha informata për këtë rast. “As emrin nuk ja di dhe as nuk e njoh, po e di që ka ardhë nga Tusuzi, e dinë Policia e Prokuroria”.

Gjykatësi shprehu dyshime, duke e kritikuar dëshmitarin për mosbashkëpunim.

Sërish gjaknxehje mes avokatëve

Derisa avokati Pjetër Përgjokaj e merrte në pyetje dëshmitarin Shkreli, nga ana tjetër në pyetjet e tij ndërhyri avokati Skender Morina, gjë që bëri të nxehej avokati Pergjokaj. “Nuk du me ta ni zanin, as ty e as ty. Shumë personalisht e kam, hiq mos ma luej kokën. Unë nuk ju pengova, kur ju e patët fjalën”, tha avokati Pergjokaj, duke bërë me gisht dhe me shumë nervozë nga avokati Morina dhe prokurori Hoxha.

Me ndërhyrjen e kryetarit të trupit gjykues, u qetësua pak situata.

Në pyetjet e avokatit Bashkim Nevzati, dëshmitari Shkreli, deklaroi: “Selami, më ka thënë se Bashkimi dhe Xhemshiti po e mbajnë djalin në Leskovec. Është e vërtetë që sa ka qëndruar në Dubravë, Enes Xhema nga burgu më ka thirrë në telefon”.

Dëshminë e dha edhe dëshmitari Ramit Krasniqi. “Unë që 7 vjet punoj si taksist. Atë ditë kam qenë i stacionuar para Spitalit; dul Enesi, më tha: ‘Ramit, merre Leonardin edhe qoje deri në shtëpi në Tusuz, e pret dhe e kthen sërish. Enesi t’i jap paret’”.

“Kur e kam kthy, prapë ka dalë Enesi; ka hyp në taksi me Leonardin. Kemi shku deri të piceria ‘Elita’, e kemi lënë djalin e Leonardit, edhe kemi vazhdu rrugën për në fshatin Nashec. Nuk di çka kanë folë ata në taksi, se ja kanë lëshu shumë zërin radios”, tha dëshmitari Krasniqi.

Gjatë gjithë pyetjeve të shtruara ndaj tij, pati reagime nga të akuzuarit Veshalli e Krasniqi, të cilët thanë se ai po gënjente. Disa herë u dashtën ndërhyrjet e kryetarit të trupit gjykues.

Leonardi e pyeti këtë dëshmitar: “A më ka bërtit Enesi, hyn në kerr, hyn në kerr? A ka qenë me ne në veturë edhe Ferdi? A mi kanë nxjerrë të dy revolet në kerr, edhe që ti i ke thënë: ‘Çka je tu ba o Enes?’” Për të gjitha këto pyetje, dëshmitari pati përgjigje negative, madje ishte edhe kundërthënës në përgjigjet e tij.

Të gjithë avokatët dhe të akuzuarit, kishin vërejtje në dëshminë e këtij dëshmitari.

Edhe pse për këtë seancë, ishte planifikuar që të dëgjohej edhe dëshmitari Enes Xhemaj, për shkak të kalimit të orarit të punës, seanca gjyqësore u ndërpre. Seanca e radhës do të jetë më 21 nëntor, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit Xhemaj.

24-vjeçari Selam Shoshaj dhe daja i tij, Bashkim Krasniqi, 48-vjeç, i njohur me pseudonimin “Mjekra”  që nga lufta e UÇK-së, akuzohen nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “Rrëmbimit të personit”, nga neni 159, i Kodit Penal të Kosovës.

Të pandehur janë dhe Besim Paçarizi, 29 vjeç; Beqir Dangallaj, i njohur me nofkën “Beqë”, i moshës 47-vjeçare dhe Fatmire Rexhbeqaj e njohur me nofkën “Fata” e moshës 32-vjeçare, që të tre ishin të punësuar në policinë rajonale në Prizren. Ata tashmë janë të suspenduar, për shkak të procesit gjyqësor. Mbi ta rëndojnë akuzat për kryerje të veprës penale të ndihmës në bashkëkryerje të veprës penale të rrëmbimit të personit.

I pandehuri Besim Paçarizi, akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij, i është gjetur një pushkë automatike AK- 47.

Ndërsa të pandehurit Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli, ngarkohen me aktakuzë të veçantë, e cila është ngritur në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ata akuzohen se më 14 shtator të vitit të kaluar, në bashkëkryerje kanë rrëmbyer të birin e biznesmenit Mërgim Shkreli, Gentianin, i cili ditën kritike ishte duke e përcjellë të dashurën e tij për në banesë.

Gentiani ishte rrëmbyer me një makinë “pick-up” dhe ishte mbajtur nga 14 deri më 19 shtator,  në një shtëpi. Të akuzuarit për lirim i kërkojnë babait të Gentianit 100 000 euro. Mërgim Shkreli ia dërgon shumën e kërkuar një personi të maskuar, i cili i merr paratë dhe ik në drejtim të Kalasë. Pas kësaj, i rrëmbyeri lirohet.