Thaçi e lavdëron zyrën e tij për satiristët rus, por harron këshilltarin serb të dyshuar si agjent

Hashim Thaçi e ka falënderuar zyrën e tij ti për kujdesin e shtuar për të mos i lejuar satiristët të qesin në lajthitje presidentin, mirëpo vetëm para disa ditësh zyra e tij kishte deklaruar se s’kanë pasur informacion kur kishin lejuar Branislav Nikoloqin ta këshilloj Thaçin për 3 vite rresht, ndonëse kishte qenë i dyshuar si agjent i fshehur i Serbisë në Kosovë.

Presidenti Thaçi sot u lavdërua para gazetarëve duke thënë se satiristët rus nuk kishin arritur të depërtojnë në zyrën e tij, ndonëse kishin provuar.

Hashim Thaçi e konfirmoi sot se dy satiristët rus që e kanë vënë në lajthitje kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, se kinse është duke folur me ish presidentin e Ukrainës, Poroshenko, kishin kontaktuar edhe me zyrën e Hashim Thaçit.

“Ta them të drejtën që mashtruesit kanë provuar të depërtojnë edhe në zyrën time. Është fat, që ka pasur kujdes maksimal sepse unë s’mundem të flasë me dikë pa qenë i informuar dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetetet. Ka qenë para 7-8 muajsh kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua, i falënderoj kabinetin për punën e tyre profesionale”, tha sot Thaçi para mediave.

Mirëpo, ndonëse i falënderoi publikisht kolegët e zyrës së tij, janë të njëjtit bashkë me Presidentin Hashim Thaçi që kishin lejuar në zyrën e tyre, një person që akuzohej se është pjesëtar i shërbimit sekret serb ta këshilloj Hashim Thaçin.

Branislav Nikoliq kishte shërbyer për gati 3 vite si këshilltar i Hashim Thaçit. Ai e kishe këshilluar të parin e vendit që nga 2016, e deri para disa javësh kur u shkarkua nga vet ai.

Në 2009, Televizioni Publik i Kosovës kishte publikuar disa pamje, ku Nikoliq provonte të gjente dëshmitarë që do të dëshmonin për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndaj tij ishte ngritur edhe një proces gjyqësor.

Mirëpo, më 19 qershor të këtij viti, pas raportimit të mediave se Nikoliq ishte përfolur si agjent i Serbisë në Kosovë, Presidenti kishte vendosur ta shkarkonte nga detyra.

Zyra për media e presidencës kishte deklaruar se nuk ka pasur informacione në lidhej me këtë.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhej në komunikatën e 19 qershorit.

Branislav Nikoliq përveç që ishte rehatuar në pozitën e këshilltarit nga Hashim Thaçi, ai edhe në të kaluarën ishte punësuar në pozita të larta nga ai.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se Nikoliq kishte shërbyer për dy mandate, para se ta kalonte në presidencë edhe si anëtar bordi në Postën e Kosovës.

Ai ishte emëruar në vitin 2012 në bordin e Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës nga Hashim Thaçi që në atë kohë ishte Kryeministër i vendit.

Posta e Kosovës- – Bordi Politik që Dëshmon Pafuqinë e Kryeministrit

.