Presidenti e shkarkon këshilltarin politik, Branislav Nikoliq

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka njoftuar se presidenti Hashim Thaçi e ka liruar nga detyra këshilltarin politik, Branislav Nikoliq.

Zyra e Presidentit ka thënë se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të Branislav Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.

“Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme të Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidnetit.

Në njoftim thuhet se për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Thaçi e ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, Branislav Nikoliqin​.

“Presidenti Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit. “, vazhdon njoftimi.

Vendimi i presidentit vjen pas raportimit të televizionit T7 se Nikoliq ishte anëtar i shërbimit sekret serb, BIA.