Seanca për imunitetin e Tahirit | Foto: Gent Shkullaku/LSA

Socialistët Sulmojnë Kërkesën për Arrestimin e Saimir Tahirit

Deputetët e Partisë Socialiste u përpoqën shumë të denigronin kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit Saimir Tahiri, në një spektakël televiziv të transmetuar drejtpërdrejtë që dukshëm synonte të bindte publikun por jo personat përgjegjës për heqjen e imunitetit, ekzaktësisht të njëjtët deputetë, mbi dobësitë e kërkesës.

Në mënyrë të përsëritur, deputetët Vasilika Hysi, Klotilda Busha, Ulsi Manja e Blendi Çuçi, bënë pyetje dhe komente para tre prokurorëve duke këmbëngulur në argumentin bazë se kërkesa e prokurorisë qe e pabazuar në prova dhe se prokuroria po vepronte “me të dhëna gazetash e portalesh”.

Prokurorët Besim Hajdarmataj, Elisabeta Ymeraj dhe Gentian Osmani i thanë deputetëve në mënyrë të përsëritur se kërkesa e tyre mbështetej në të dhëna të marra në rrugë zyrtare nga drejtësia italiane si dhe nga të dhëna hetimore të siguruara prej tyre në Shqipëri, por deputetët socialistë vijuan të këmbëngulin se provat, sipas tyre, janë “opinione mediatike dhe lajm portalesh”, sipas Ulsi Manjës, “vetëm informacione gazetash”, sipas Klotilda Bushkës e gjithashtu informacione gazetash sipas Vasilika Hysit. Alibia e “informacioneve të gazetave” u përdor edhe nga kryeministri Edi Rama kur ai deklaroi se provat e prokurorisë qenë “çorbë në kazanet e krimit”.

Prokurorët i thanë deputetëve të maxhorancës se ata me të vërtetë e nisën hetimin më datë 17 tetor ka nisur hetim kryesisht bazuar në të dhënat e bëra publike në media, por në datë 18 tetor i kanë dërguar kërkesë drejtësisë italiane, e cila i është përgjigjur më datë 19 tetor dhe se dokumentet mbi të cilat mbështetet kërkesa janë të certifikuara nga drejtësia italiane dhe jo nga dokumente të rrjedhura në media.

Pavarësisht këtij sqarimi, deputetët e maxhorancës vijuan të këmbëngulin se bëhej fjalë për “lajme portalesh”, aq sa në një pikë, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i tërhoqi vëmendjen duke i kërkuar “të mos i bënin presion prokurorëve”.

Seanca e hapur

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, një institucion i Kuvendit të Shqipërisë i cili ka për detyrë të japë autorizimin për arrestimin e Tahirit, u mblodh në orën 11 të paradites së të premtes për ta shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. Para se prokuroria të mund të veprojë, kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare.

Megjithëse Këshilli dhe Kuvendi ka të drejtë kushtetuese ta rrëzojë kërkesën e prokurorisë, kërkesa të tilla në të shkuarën janë miratuar gjithmonë.

Prokuroria u vu nën akuza për veprimtari politike në rastin e Tahirit, ku pyetja bazë qe nëse prokurorët kanë apo jo prova bindëse për përfshirjen e Tahirit në trafik ndërkombëtar droge dhe mitëmarrje.

Prokurorët kërkuan fillimisht që seanca të bëhej me dyer të mbyllura sepse provat që ata kishin përbënin  njëkohësisht sekret hetimor, ndërsa prokurori Besim Hajdarmataj lejoi t’i rrëshqasë se disponohen përgjime telefonike të një zyrtari të policisë.

Këshilli vendosi që të bëjë një pjesë të seancës të hapur, ku u diskutua më së shumti në terma politikë nëse ka apo jo prova ndërsa deputetet socialiste Hysi dhe Bushka u shprehën shumë të shqetësuara për atë që e quajtën “shkelje të të drejtave të njeriut”.

Jashtë seancës dëgjimore, nëpër media e portale të ndryshme, biografitë e tre prokurorëve që prezantuan kërkesën e tyre, përfshirë aludime për lidhje të tyre farefisnore dhe miqësore me familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit rezultoi se kishte akses thuajse në kohë reale te operacioni i prokurorisë dhe policisë në mbrëmjen e 18 tetorit në Babicë të Vogël dhe spekulimet janë të shumta mbi burimin e mundshëm të këtij informacioni.

Sistemi i drejtësisë ka qenë në një konflikt thuajse të hapur me maxhorancën qeverisëse në lidhje me reformën në drejtësi, si dhe me faktin që maxhoranca qeverisëse, përfshirë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kanë akuzuar në mënyrë të vazhdueshme prokurorët dhe gjykatësit si përgjegjës për mungesën e luftës ndaj krimit.

Kërkesa pë arrestimin e Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë në atë pjesë të seancës që qe publike, dy sete provash: provat e para janë sakaq të njohura, përbëhen nga përgjimet e organizatës kriminale shqiptare të njohur si “Vëllezërit Habilaj” nga drejtësia italiane. Sipas këtyre përgjimeve, emri i Tahirit përmendet tre herë, dy herë si përfitues i mundshëm i një shume parash dhe një dhurate të shtrenjtë ndërsa në një rast përmendet në komente të përgjithshme të dy të dyshuarve, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelajt si person që fiton 5 milionë euro në muaj dhe që nuk i mjaftojnë 20 milionë euro për një fushatë elektorale. Prova e dytë, e cila nuk jepet në dokumentet e bëra publike të drejtësisë italiane, ka lidhje me përdorimin nga ana e Tahirit, të makinës me targë AA003GB, të cilën Tahiri fillimisht ia shiti personit të dyshuar Artan Habilaj në shtator 2013 dhe e përdori në disa raste në formë huaje në verën e vitit 2014. Prokurorët në kërkesën e tyre shkruajnë: “Më darë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.3014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targë AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur më datë 5.11.2013. Në këto udhëitme rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj.”

Kërkesa e prokurorisë u diskutua gërmë për gërmë nga deputetët socialistë si dhe nga vetë i akuzuari Saimir Tahiri në përpjekje për ta denigruar. Vasilika Hysi dhe vetë Tahiri pyetën për togfjalëshin “subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj.” Prokurorët sqaruan se e kanë fjalën për faktin se ndërsa Tahiri gjendej në Greqi bashkë me familjen e tij makina është dërguar nga një nga vëllezërit Habilaj në Greqi dhe deputeti është kthyer me këtë makinë.

Tahiri dhe deputetët socialistë diskutuan gjerësisht se çfarë nënkupton prokuroria me ‘etj.’ dhe se pse thotë që “ka udhëtuar me subjekte të dyshuara” duke e konsideruar atë të pavërtetë dhe jo të përputhshëm me kur përshkrimi i faktit i dhënë në seancë lë të kuptohet se Artan Habilaj ia ka dërguar makinën në Greqi, por jo domosdoshmërisht ka udhëtuar me të.

Këto pak prova të paraqitura publikisht nga prokuroria u diskutuan gjerësisht në publik nga aktorë politikë dhe jopolitikë. Ministri i Brendshëm akuzoi “elementë të prokurorisë” që sipas tij “po vetëpërdoren politikisht” ndërsa Edi Rama e konsideroi gjithashtu akuzën e prokurorisë ” muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias!”

Kreu i opozitës Lulzim Basha kritikoi qeverinë se po mbron krimin. ” Ky është Edi Rama: Ka futur njerëz për mospagesë dritash në burg ku janë vetëvrarë, ka futur në burg qytetarë të varfër për ca tulla mur të shtuar pa leje. Dhe do të mbajë të lirë bashkëpunëtorin e tij dhe të krimit të organizuar të kapur në flagrancë para syve të gjithë botës nga antimafia italiane në trafik droge dhe armësh. Ky është narkoshteti”, tha Basha.

Prokuroria argumentoi se përgjimet në Itali, çështja e makinës së shitur dhe rimarrë hua nga Tahiri dhe fakti që policia ka dështuar të godasë në territorin e Shqipërisë këtë organizatë kriminale përgjatë katër viteve përbëjnë të gjitha të dhëna rrethanore të cilat krijojnë “bindjen e arsyeshme” për përfshirjen e Tahirit në trafik droge, prova që, ndonëse janë hetuar më parë dhe janë rrëzuar si të pavlefshme, të shqyrtuara nën dritën e zbulimeve të fundit, marrin peshë të re.

Tahiri u mbrojt duke argumentuar se Prokuroria e Fierit e ka hetuar një herë dhe ka dalë në konkluzionin “fakti nuk ekziston”. Prokuroria e Fierit e pati hetuar ngjarjen pas denoncimeve publike të ish-oficerit të policisë Dritan Zagani, i cili deklaroi publikisht se makina e Tahirit qe përdorur për trafik të lëndëve narkotike. Konkluzioni i prokurorisë së Fierit në dhjetor 2015 se fakti i pretenduar nga Zagani “nuk ekziston”. Ndërkohë, dokumentet e drejtësisë Italiane tregojnë se në mars 2014, makina në fjalë qe përdorur nga Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj për të udhëtuar në Sicili. Prokurorja Elisabeta Ymeraj u përgjigj duke thënë se përdorimi i makinës nga Habilajt në atë kohë nuk përbënte krim në vetvete dhe se as përdorimi i saj më vonë prej Tahirit nuk qe vepër penale por nën dritën e fakteve të reja, situata ndryshon. Duke iu përgjigjur kritikave të shumta të maxhorancës parlamentare mbi atë që ata e shihnin si “mungesë provash”, prokurorja Ymeraj tha se në Itali janë kapur 3.5 tonë drogë dhe në Shqipëri janë kapur 4 tonë të tjera dhe kjo përbën provë.

Prokuroria dëshiron të mbajë përgjegjës Tahirin për faktin se grupi i Habilajve veproi i paprekur nga policia shqiptare për shumë dhe shumë vite pavarësisht transportit të sasive të stërmëdha të drogës për një periudhë të gjatë kohore. Prokurorët bënë të ditur se një hetim i nisur në vitin 2016 prej tyre, në lidhje me Habilajt, kishte nisur me referencë nga Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) dhe jo me referencë nga policia. Tahiri kundërshtoi duke argumentuar se ai vetë kishte kërkuar hetimin e vetvetes në vitin 2015.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk arriti të marrë vendim deri pasdreken e së premtes. Nëse ky këshill e jep miratimin, ajo do të duhet të votohet në seancë plenare me votim të fshehtë para se prokuroria të lejohet të veprojë kundër Tahirit.

Seanca e Këshillit të Imuniteteve u zhvillua fillimisht me dyer të hapura, pastaj deputetët dëgjuan me dyer të mbyllura provat që prokuroria pretendoi se përbëjnë sekret hetimor dhe që nuk mund të jepen për publikun në këtë kohë.

Pas përfundimit të seancës me dyer të mbyllura, avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari, kërkoi tre ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Diskutime të gjata vijuan, ku deputetët e maxhorancës miratuan kërkesën e mbrojtjes ndërsa deputetët e opozitës e kundërshtuan. Kryetari i Këshillit Gramoz Ruçi refuzoi të hedhë çështjen në votim për shkak se në sallë gjendeshin pesë deputetë të maxhorancës dhe pesë të opozitës, por deklaroi se i jep afat palës mbrojtëse deri të shtunën (nesër) në orën 10 të mëngjesit.

Marrë nga reporter.al