Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

S'ka më bakshishe me role për veten e shokët - gjykata urdhëron TKK-në të hartojë rregullore për ndarjen e roleve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar Teatrin Kombëtar të Kosovës (TKK) që të zbatojë vendim e Inspektoratit të Punës (IP) të vitit 2019, i cili i kërkon TKK-së që çështjen e ndarjes së roleve për shfaqjet e tija ta rregullojë me një rregullore të brendshme.

Vendimi i Inspektoratit të Punës për rregulloren u morë pas ankesës së Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSTKK), për mënyrën e ndarjes së roleve dhe për përzgjedhjen e ekipeve artistike të shfaqjeve nga menaxhmenti i TKK-së.

Vendimi i Inspektoratit të Punës ishte marrë më 24 dhjetor 2019, dhe TKK-së i ishte dhënë afat prej 8 ditësh që çështjen ndarjes së roleve ta rregullojë me akt nënligjor.

Arsyeja e kërkesës për rregulloren

Në nëntor të 2019 SHSTKK-së ishte ankuar në IP-në për mënyrën e ndarjes së roleve dhe përzgjedhjes së ekipit kreativ për realizimin e shfaqjes “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, duke i kërkuar IP-së të anulojë vendimin për përzgjedhjen e aktorëve të shfaqjes dhe rekomandoi që raste të tillë të mos përsëriten.

Pasi konstatoi faktet, IP-ja, nuk mori vendim për anulimin e ekipit të shfaqjes, me që kur u mor vendimi shfaqje veç se ishte inskenuar dhe kishte përfunduar afatin e shfaqjes në TKK. Por, për të parandaluar rastet e tilla, dhe me që, siç thuhet në vendimin e IP-së, duke parë që ndarja e roleve nuk rregullohet me akte të brendshme nënligjore, me çka krijohet hapësira për trajtim të pa barabartë dhe mos mundësi të njëjtë të punëtorëve të TKK-së, kërkoi rregullimin e kësaj çështje me akt nënligjor.

“Obligohet Teatri Kombëtar që në afat prej 8 ditësh çështjen e ndarjes së roleve të rregullojë me rregullore të brendshme ose në formë amandamentimi ta plotësojë rregulloren ekzistuese”, thuhet në vendimin e 24.12.2020 të Inspektorati, një kopje të së cilit e posedon edhe KALLXO.com.

Meqë TKK-ja nuk e zbatoi vendimin e IP-së, brenda afateve të caktuara, Shoqata Sindikale e TKK-së çështjen e kaloi në Gjykatën Themelore në Prishtinës duke kërkuar që të obligohet teatri që përmes një vendimi gjykate ta zbatojë vendimin e IP-së së 2019.

Vendimi i gjykatës

Në përgjigje të kërkesë së SHSTKK-së, Gjykata Themelore në Prishtinës-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, aprovoi kërkesën e SHSTKK-së dhe caktoi masën përmbarimore ndaj Teatrit Kombëtar.

“TKK-ja obligohet që çështjen e ndarjes së roleve ta rregullojë me rregullore të brendshme ose në formë amandamentimi ta plotësojë rregulloren ekzistuese, në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi. Ky aktvendim ka efekt sekuestrimi dhe nëse nuk veprohet sipas këtij aktvendimi, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përgjigja e MKRS-së

Kallxo.com nuk ka mundur të marrë një prononcim nga Këshilli Drejtues i TKK-së për këtë çështje. Ndërsa, meqë ligjërisht çështja e hartimit të rregullores së TKK-së bëhet në koordinim edhe me Ministrinë e Kulturës, zyrtarë të saj kanë thënë për KALLXO.com se kërkesa e gjykatës do të trajtohet gjatë procesit të plotësim/ndryshimit të ligjit përkatës për kulturë.

“Ne e njohim këtë çështje delikate dhe do ta trajtojmë atë në mënyrë specifike gjatë procesit të plotësim/ndryshimit të ligjit përkatës për kulturë”, thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Rëndësia e vendimit sipas SHSTKK-së

Ndërsa, Naim Berisha, nënkryetar i SHSTKK-së, duke potencuar rëndësinë e vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se nëpërmjet këtij akti normativ, pamundësohet ndërhyrja e menaxhmentit tek regjisorët në caktimin e ekipit kreativ të shfaqjeve, si dhe kufizohen edhe regjisoret të manipulojnë në ndarjen e roleve.

“Fatkeqësisht, vetëm pas gjetjeve konkretë që evidentuam, arritëm ta bindim Inspektoratin e Punës, që ta obligoj Teatrin Kombëtar ta miratoj këtë rregullore, por zbatimi i këtij vendimi as që u mor parasysh, ndërkohë që në shfaqjet e këtij institucioni, drejtuesit vazhdonin të qerasnin me role shokët dhe familjarët, deri tek dhurimi i roleve për vetën (raste këto të vërtetuara edhe me opinionin e Agjencinë Kundër Korrupsion), ku UD i Udhëheqësit artistik dhe UD i Drejtorit të përgjithshëm e qerasin vetën me role”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se hartimi i rregullores për ndarje e roleve për shfaqjet e TKK-së duhet të bëhet në bashkëpunim me SHSTKK-në.